“Shullazi”, prokurorët: Juristja ndryshoi dëshmi, drejtori i Hipotekës u godit në zyrë

Aktualitet

Gjykata e Krimeve të Rënda dëgjoi dëshminë e Drejtoreshës Juridike të Hipotekave, Merita Qatos e kërkuar nga prokuroria në procesin ndaj Emiljano Shullazit.

Dëshmitarja tregoi se për regjistrimin e ish-Vollgës është informuar pasi është kthyer nga pushimet verore të 2014-s. Më tej, ajo tregoi se pezullimi i veprimeve të mëtejshme ishte vendosur pasi për këtë çështje kishte konflikte, ndërkohë që nuk përmendi emra, ndërsa shtoi se nuk njihte asnjërin nga të pandehurit.

Dëshmitarja mbajti qëndrim tjetër nga ai i dhënë prej saj në qershor 2016, në të cilin tregonte se pala e konfliktit përfaqësohej nga shtetasi Alban Dabulla.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Për këtë arsye, prokurorët e pyetën Qaton a i kishte njohur apo jo personat që ishin në takim me kryeregjistruesin Ilirjan Muho, duke marrë përgjigjje negative prej saj.

Kur Merita Qato u largua prokurorët kërkuan kundërshtim të thënieve të saj, me arsyetimin se dëshmitarja më herët ka dhënë një dëshmi të detajuar.

Në procesverbalin që Top Channel disponon dëshmitarja kujton se pas pushimeve ishte thirrur në takim nga kryeregjstruesi Ilirjan Muho, ku dhe ka gjetur Jurgis Çyrbjen në atë kohë kreu i hipotekave të Durrës dhe pas 25 qershorit deputet i Partisë Socialiste.

Bashkë me ta ndodhej edhe një person tjetër për të cilin dëshmitarja tregon:

“Kur mbërrita në zyrën e tij konstatova se aty kishte plasur një debat i madh deri në zënka fizike. Ky personi që unë nuk e njihja, më vonë mësova të ishte Alban Dabulla, që po i bërtiste Jurgis Çyrbes duke e këcënuar. Në një moment Albani ishte ngritur dhe Jurgisi ishte ulur dhe Albani e rrëzoi nga karrigia . E pashë që e goditi Jurgisin. Unë menjëherë ndërhyra dhe e kapa Albanin nga dora duke i thënë çfarë bën në zyrat e shtetit”, thotë ajo.

Pas pyetjes se për çfarë ishte ky debat, dëshmitarja tregon se bëhej fjalë për regjistrimin e ish-Vollgës për të cilin kryeregjistruesi i kishte kërkuar në këtë takim qe të anulonte veprimet, pasi sipas pretendimeve të shtetasit Dabulla, çështja ishte nën gjykim.

“Pretendimi i personit që u prezantua si përfaqësues i shtetasit Zamnir Hasa ishte se nga zyra qëndrore ishte lëshuar një shkresë që ishte në kundështrim me ligjin. Kryeregjistruesi më tha të përgatisja një shkresë pezullimi”, dëshmon Qato.

Më herët për kërcënimet ka dëshmuar edhe ish-kreu i hipotekave të Durrësit, Jurgis Çyrbja aktualisht deputet i PS, i cili tregoi se kishte marrë një SMS nga një person me emrin Alban që i thoshte kontrollo në Google se kush jam unë.

Në seancën e radhës gjykata do të lexojë rrëfimin e shtetasit Jani Zaka, i cili pretendon se është kërcënuar nga Shullazi, ndërsa sipas sistemit TIMS ai rezulton të jetë larguar nga Shqipëria.

Në seancën e radhës do të lexohet rrëfimi i Jani Zakës, i cili është larguar nga Shqipëria pasi ka treguar se është kërcënuar nga grupi i Shullazit.

ME TE LEXUARAT