Detaje të reja/ Gomonia me 1.6 ton kanabis, dy skafistët janë nga Saranda

Aktualitet

Për Greqinë është një operacion historik kapja e 1.6 ton kanabis, ndërsa për trafikantët shqiptarë ishte thjesht një “rrugë” normale, që shkoi ters për ta.

Roja bregdetare greke shënon në regjistrat e saj një nga operacionet më të suksesshme antikanabis dhe iu desh që të përballej me shkëmbim zjarri dhe ndjekje për më shumë se gjashtë orë në det.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ndërkaq sot janë zbardhur detaje të reja. Mësohet se dy skafistët që ishin në gomone, njëri prej të cilëve mbeti i plagosur rëndë, janë nga qyteti i Sarandës.

Tre skafistët për të humbur çdo gjurmë të mundshme në momentin që ndiqeshin hodhën në det telefonat celularë dhe sendet e tjera që shërbenin si shenja kontakti me grupin që i priste në breg të detit.

Gjithsesi, policia kishte informacione të sakta mbi personat e tjerë dhe po mbaheshin në vëzhgim. Në portin e Pireut dhe Athinë u arrestuan edhe tetë persona të tjerë, katër shqiptarë, dy italianë, një bullgar dhe një grek.

Gjithashtu, u zbulua edhe një gomone tjetër, që dyshohet se shërbente për trafikimin e kanabisit.

Mediat greke raportojnë se mes të arrestuarve është edhe një biznesmen me inicialet S.K. Sipas tyre, ai është një sipërmarrës i njohur në ishullin e Mikonos në Greqi.

Biznesmeni u arrestua në portin e Larissas së bashku me personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Dyshohet se ngarkesa e madhe e drogës do të shkonte pikërisht në Mikonos dhe një pjesë do të shitej në tregun vendas kurse pjesa tjetër në shtetet evropiane.

Një vit më parë shërbimet inteligjente të Greqisë ngritën alarmin se grupe të strukturuara kriminale të drejtuar nga Shqiptarë po kontrollonin trafikun e narkotikëve në këtë vend.

Veçanërisht trafikimi i kanabisit ishte në vend të parë, ndërsa një tjetër problem që ngrihej ishte tentative për të pastruar paratë e siguruara nga veprimtari të paligjshme.

Trafikimi i automjeteve luksoze është një tjetër shqetësim që kanë ngritur strukturat ligjzabtuese në Greqi, duke i konsideruar grupet e drejtuara nga shqiptarët si mjaft të organizuara dhe po fitonin shumë terren në kontrollin e trafiqeve në shtetin grek.

ME TE LEXUARAT