Bastet e çuditshme, Bushi: Të dyja skuadrat fjetëm në një hotel, ja e vërteta

Miqësorja e skuadrës Kombëtare U-20 u bë pjesë e hetimeve nga kompania “Federbet”. Luhatjet e koeficienteve përpara dhe gjatë ndeshjes miqësore mes 20- vjeçarëve të Gjeorgjisë dhe Shqipërisë, bënë që kompania në fjalë të dalë me akuza për dyshime në lidhje me mbarëvajtjen e këtij takimi.
I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri Alban Bushi jep versionin e tij duke u distancuar nga gjithçka është thënë në lidhje me këtë çështje. Në fjalën e tij, trajneri tregon grumbullimin, ndeshjet dhe episodet gjatë saj si dhe elementët që kanë spikatur në këtë 90-minutësh që mund të jenë të vlefshëm për ekipin Shpresa në të ardhmen.

Ka pasur sinjale të forta nga kompania “Federbet” në lidhje me miqësoren kundër Gjeorgjisë për luhatjen e koeficienteve para dhe gjatë ndeshjes. Komenti juaj rreth saj?
Nuk kam koment. Unë jam trajneri i skuadrës dhe përgjigjem për pjesën taktike dhe teknike të ekipit.

Kliko per me shume info

Si ishte kjo ndeshje miqësore?
Ekipi gjeorgjian ishte U- 20, i bërë bashkë prej një viti. Një grup që njiheshin mjaft mirë mes tyre, pasi për një periudhë të caktuar ishin të grumbulluar dhe studionin bashkë. Në qendrën e tyre fjeti edhe ekipi ynë kombëtar. Për këtë miqësore kisha marrë shtatë apo tetë lojtarë nga kampionati shqiptar.
Kisha edhe futbollistë që vetë nuk i njihja personalisht, por në bashkëpunim me skautët e federatës dhe përfaqësuesit e zonave të ndryshme m’u sugjeruan si futbollistë të mirë dhe që duhet t’i shihja. Në përfundim, kam nxjerrë konkluzionet e mia për futbollistët që u aktivizuan. Për fat të keq, ekipi nuk bëri mjaftueshëm stërvitje, vetëm një seancë taktike sepse nuk kishim mundësi. Dhe shumë nga lojtarët shiheshin për herë të parë me njëri-tjetrin.

Si ishte ndeshja, si rrodhi loja?
Unë mendoj se ishte ndeshje e barabartë. Kemi humbur një penallti me Zekën në minutën e 24-t, kur mund të barazonim sfidën. Kemi bërë dy shtylla gjatë lojës, madje një në minutën e 20-të dhe një në fund të ndeshjes. Bushi i Laçit u paraqit mirë, por edhe disa elementë të tjerë më lanë përshtypje pozitive.

Si ishte pësimi i golave?
Nuk duhet të kalojmë në një nivel të tillë bisede.

Po e riformuloj, në takimin e fundit zyrtar u përmend edhe një mungesë përqendrimi në fund dhe u pësua gol. Po këtë ndeshje çfarë ndodhi?
Jo, këtë herë nuk kishte situata të tilla. Goli i parë u pësua nga goditja nga këndi. Megjithatë, dua të them që ne humbëm shumë raste. Si në pjesën e parë që mund të ishim në avantazh, si penalltia, ashtu edhe një rast sërish nga Zeka, i cili humbi një moment shënimi një për një me portierin kundërshtar. Në të dytën, goditëm dy herë shtyllën me anë të Bushit. Lojtarët i shihja për herë të parë dhe shumë prej tyre nuk i njihja as si fytyra. Ishin futbollistë të përzgjedhur nga seleksionuesit tanë si në Itali apo edhe në Danimarkë dhe unë i pashë. Pas kësaj, do të nxjerr konkluzionet e mija se kush bën për të ardhmen.

Këtë miqësore e ka kërkuar Shqipëria apo pala gjeorgjiane?
Kemi rënë dakord të dyja federatat për ta bërë këtë miqësore. Ne deshëm një miqësore me këtë grup, U-20, por Gjeorgjia ishte shumë ekip i fortë. Ishte skuadër e bërë dhe kishte edhe U-21 që luajti po atë ditë ndaj Lituanisë, por kishin edhe këtë grupmoshë U-20 që e mbanin gjithmonë të grumbulluar dhe që bënin shumë miqë- sore. Ishte skuadër e kompletuar jo si ne, eksperimental. Edhe kjo e bëri që humbëm. Gjithsesi, kam pëlqyer disa elemente dhe kam mendim të mirë për ta.

Pra, po thoni që ju shërbeu si test?
Po, shërbeu për disa elemente, mes të cilëve spikati Bushi. Gjithsesi, ishim të pafat edhe këtë herë.

E thoni prej penalltisë së humbur?
Unë as nuk e pashë fare ekzekutimin. I thashë Bellait në stol që nuk do ta shoh dhe ktheva kokën në anën tjetër dhe për fat të keq, e priti portieri. Ju thashë, nuk kemi fat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.