Basha: Rama po përgatit koncesionin për mbikëqyrjen e TVSH-së për të vëllain

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, akuzon kryeministrin Edi Rama se me buxhetin e vitit 2018 po dëmton ekonominë e vendit, dhe po favorizon klientët e tij. Nga foltorja e Kuvendit, kryedemokrati u ndal tek tre masat kryesore që sipas tij, kreu i qeverisë ka parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Sipas Bashës, me vendimin për faturat e TVSH-së, kryeministri Rama po përgatit koncesionin për vëllain e tij.

PJESE NGA FJALA E KREUT TE PD-SE
Pak ditë më parë Rama u shfaq në shtëpinë e një familje të thjeshtë të Bulqizës. Para atyre njerëzve u shfaq me arrogancën e vet, dhe gënjeu duke i fshehur dhe fshirë vuajtjet e fëmijëve të Bulqizës, të cilët mjerimi i ka kthyer në viktima të kromit, në përpjekje për të mbijetuar. A ka dramë më të madhe për një vend, se kur një gazetare e huaj i përgjërohet kryeministrit të bëjë diçka për fëmijët e vendit të tij, dhe ky i fundit i përvishet dhe i quan kazan. Këtë e bën një i pashpirt. Atë ditë një qytetar i Bulqizës, më shkroi i irrituar, dhe më tregoi se Edi Rama shkoi në Bulqizë, pro karriget i kishte sjellë nga Tirana, pasi për të Bulqiza është skenë ku interpreton shfaqjen e radhës. Duke e trajtuar realitetin si teatër merr me vete ngado ku shkon skenat, kolltukët, figurantët, të gjitha të organizuara me kujdes nga regjisorët e rilindjes. Ky ishte në Bulqizë, por nuk pa varfëri, nuk pa shtëpitë e rrënuara, nuk pa fëmijët që punonin, ata që pasqyruar mediat italiane.

Kliko per me shume info

Nuk ka asgjë më të trishtë se buxheti i 2018. Në të nuk ka asnjë politikë për fëmijët e Bulqizës, nuk ka asgjë për ekonominë e shqiptarëve, nuk ka asgjë për të ardhmen e vendit. Është një buxhet për krimin dhe klientët e Edi Ramës. Ka vetëm tre momente në këtë buxhet.

I pari është detyrimi pothuajse i çdo biznesi të vogël për të lëshuar faturë me TVSh, është një masë që nuk do sjellë asnjë ndihmesë në të ardhurave, por që veçse do të ndikojë të biznesi. Por çfarë e shtyn një kryeministër të marrë një politikë që dëmton këdo dhe kundërshtohet nga të gjithë, përgjigjja është e thjeshtë, interesat e familjes dhe klientit.

Duke futur në skemën e TVSh gati 100 mijë biznese Rama do justifikohet se shteti nuk ka mundësi dhe kapacitet për të mbikëqyrur këtë numër biznesesh dhe ndaj duhet të jepet me koncesion. Dhe këtë do t’ia japë vëllait të tij, Olsi Ramës. Mjerimi i përket fëmijëve të Bulqizës dhe mbarë vendit, ndërsa koncesionet përgatiten për vëllain e kryeministrit dhe klientët e tij.

Masa e dytë e rëndësishme e buxhetit është heqja e tatimit mbi fitimin dhe ulja e TVSh me 6 % për të gjitha hotelet luksoze. Por hotelet që do ta përfitojnë do të jepen me vendim të kryeministrit. Edhe këtë vendim e ka kundërshtuar FMN dhe ekspertët. Përgjigjja është e thjeshtë, por e ndërmerr për të mbështetur “Santaquarantat” e parave të drogës, të ndërtuar nga Balilajt me shokë. Në këtë mënyrë paratë e pista do të investohet në hotele, dhe për to nuk do të ketë asnjë mbikëqyrje.

Masa e tretë dhe më shkatërrues i buxhetit do të jetë projekti 1 miliardë i PPP-ve. PPP-të tregojnë thelbin e këtij programi, pastrimi i parave të pista.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.