Aksioni 6 mujor, Rama: Shqipëria, e pastër me hir a me pahir!

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot aksionin për pastrimin e Shqipërisë që do të zgjasë 6 muaj.

Rama thotë se pastrimi do të bëhet i mundur “me hir a me pahir”.

Kliko per me shume info

“Shqipërinë do ta bëjmë një vend që të rrezatojë pastërti, me hir dhe me pahir. Me hir sëbashku me të gjithë ata që Shqipërinë e duan të pastër jo vetëm me llafe, por janë gati të kontribuojnë për të dhe me pahir ndaj çdokujt që Shqipërinë e do të pastër, vetëm kur bën ato komentet në Facebook dhe është gati sapo mbyll iPhone të hedhë bananen që është duke ngrënë ndërkohë bën komente”.

Gjatë prezantimit të aksionit kombëtar për pastrimin e mjedisit: “Pastrojmë Shqipërinë që duam”, Kryeministri tha se duhet edukim shoqëror për mirëmbajtjen e mjedisit dhe penalizim dhe ndërgjegjësim për ndotësit.

Kryeministri tha se aksioni që do të nisë me 24 nëntor do të përfundojë vetëm pas 6 muajsh, me 24 maj të vitit 2018, kur edhe do të pastrohet i gjithë vendi para nisjes së sezonit turistik.

“Çdo ditë do të jemi të angazhuar në këtë operacion në çdo nivel në mënyrë që Shqipëria turistike e sezonit të ardhshëm të jetë e lehtësuar nga barra e plehrave në trupin e vet. Në këto 6 muaj do të bëjmë ndërhyrje të rëndësishme për të ndërtuar mekanizma efikase që pas një viti të mos jemi prapë në këtë situatë.”

Duke folur për mbi 9000 spotet e mbeturinave në një vend kaq të vogël si Shqipëria, Rama tha se asnjë nuk duhet të flejë i qetë derisa ta shikojmë këtë numër të zbresë në zero.

“Unë jam shumë besimpolotë se duke përfshirë policinë e shtetit në këtë proces, situata do të ndryshojë rrënjësisht siç ndryshoi me ndërtimet pa leje.”

Gjendjen aktuale, Rama e quajti turp kombëtar.

“Ky është një turp kombëtar të cilin duhet ta heqim nga fytyra e vendit tonë dhe secilit prej nesh. Do të bëjmë gjithçka, ne nuk mund të bashkëjetojmë me këto vatra sëmundjesh.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here