Mungesat e shumta në ndeshjen me Spanjën, Panuçi në dilemë

Sport

Sfida me Spanjën po afron, ndërsa ekipi ynë Kombëtar i futbollit vijon përgatitjet me intensitet të lartë nën drejtimin e trajnerit Panuçi dhe stafit teknik.

Pasi është njohur me formën e lojtarëve (një pjesë e mirë të dëmtuar dhe të prekur nga gripi), Panuçi ka nisur të ndërtojë skuadrën me të cilën do të prezantohet përpara kampionëve të botës dhe Europës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

DILEMAT

Pezullimi i Mërgim Mavrajt, gjendja jo e mirë fizike e kapitenit Agolli dhe mbrojtësit tjetër të krahut Hysaj, të cilët u stërvitën përgjatë seancës së paradites (dje) të diferencuar, duket se e kanë bërë me “dhimbje koke” Panuçin. Me shpresë se Agolli dhe Hysaj do të jenë të gatshëm, Veseli e Gjimshiti do konkurrojnë mes njëri-tjetrit për të qenë partner të qendërmbrojtësit Ajeti në sfidën me iberikët.

Ndërsa mesfusha, në mungesë të Abrashit (nuk është grumbulluar), Roshit e Kukelit (të pezulluar), Panuçi ka hedhur sytë nga Kaçe, Lenjani dhe Xhaka. Por, nga çka u pa në seancën e djeshme stërvitore, në grupin e titullarëve ishin edhe Lila me Memushajn. Pra, Xhaka, Lila, Memushaj, Grezda dhe Lenjani-Latifi, pritet të kompletojnë repartin e mesfushës.

Ndërsa sulmi ka një rivalitet mes Sadikut dhe Cikalleshit që vjen në superformë. Kjo është situata paraprake në kampin kuqezi, por janë edhe të paktën edhe tri seanca stërvitore që Panuçi të dalë në konkluzione përfundimtare për të projektuar 11 titullarët që do të hedhë në fushë nga minuta e parë në përballjen kundër Spanjës, e cila në këtë sfidë vjen me shumë probleme.

PËRGATITJET

Dy seanca stërvitore kishte programuar Panuçi për ditën e djeshme: paradite dhe pasdite: Seanca e paradites nuk kishte shumë ngarkesë, ku pas nxehmjes së zakonshme skuadra vuri në zbatim disa prej skemave të ideuara nga tekniku. Italiani nuk pati në dispozicion dy mbrojtësit anësorë: kapitenin Agolli dhe mbrojtësin e Napolit, Eseild Hysaj, të cilët kryen stërvitje të diferencuar.

Në këto kushte, Panuçi projektoi një mbrojtje provizore: Veseli-Ajeti-Gjimshiti-Memolla, për të aplikuar në fushë skemat e tij mbrojtëse. Ndërsa seanca stërvitore e pasdites vijoi normalisht referuar grupit të lojtarëve. Pas nxehmjes së zakonshme, Panuçi ndau grupin në dy dhe vuri në zbatim disa prej skemave të ideuara prej tij.

PORTIERËT

Shumë lojtarë të pezulluar, dëmtime të shumta, disa lojtarë të prekur nga gripi. Kjo është situata në kampin kuqezi në prag të përballjes me Spanjën. Për shkak të dëmtimit, portieri Strakosha ka lënë grumbullimin me Kombëtaren dhe u kthye në Romë ku sot pritet të kryejë testet e specializuara në klinikën e Lacios (Padeia), Berisha i prekur nga gripi nuk u stërvit me skuadrën pasditen e djeshme.

Gjithashtu mungonte edhe portieri Enea Koliçi. Dhe, në seancën e pasdites, kuqezinjtë kanë qenë vetëm me një portier, Alban Hoxhën. Në këto kushte, Panuçi thërriti portierin e shpresave për të kryer stërvitjen e djeshme.

 

ME TE LEXUARAT