Ministri Xhafaj takohet me Fleckenstein: Ja çështjet ku kërkojmë mbështetjen e BE

Politikë

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti sot Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, i cili shoqërohej nga ambasadorja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Gjatë takimit, europarlamentari u njoh me prioritetet e Ministrisë së Brendshme.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ministri Xhafaj i shprehu z.Fleckenstein mirënjohjen për mbështetjen për Reformën në Drejtësi, duke besuar se BE-ja do të ofrojë të njëjtën mbështetje edhe për prioritetet që lidhen me rendin dhe sigurinë publike. Në këtë kontekst, ministri Xhafaj prezantoi prioritetet kyçe të Ministrisë së Brendshme, të hartuara edhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të misionit ‘PAMECA V’.

Ndër to, ministri veçoi procesin e Vetting-ut në Policinë e Shtetit; luftën ndaj kanabisit, luftën kundër krimit të organizuar; parandalimin e fenomenit të azilkërkimit dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore (veçanërisht minorenëve).

Ministri Xhafaj informoi gjithashtu për masat që po programohen për të forcuar më tej bashkëpunimin me autoritetet homologe të vendeve partnere, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore.

Zyrtari i lartë i PE-së shfaqi interes të posaçëm lidhur me procesin e Vetting-ut dhe rezultatet konkrete në luftën kundër kanabisit.

Zoti Fleckenstein vlerësoi faktin që EUROPOL-i do të sjellë ekspertë në Shqipëri për të bashkërenduar punën mes Tiranës dhe Brukselit, në luftën kundër krimit të organizuar. Ai shprehu angazhimin për t’i kërkuar Komisionit Europian një mbështetje më të madhe, me fokus në prioritetet e prezantuara.

ME TE LEXUARAT