Panucci: Nuk dua barazim, me Maqedoninë kërkojmë tri pikët

Sport

Asnjë polemikë, apo deklaratë që mund të shkaktojë tension. Me eksperiencën e një kampioni dhe i mësuar me finale edhe më të mëdha se ajo që Shqipëria do të luajë ndaj Maqedonisë, Christian Panucci dribloi të gjitha ngacmimet.

Nëse faktit që konferencën zyrtare për shtyp në Strumicë e zhvilloi në një sallë dasmash vendosi të mos e komentonte, trajneri dha garanci për formën e ekipit pas udhëtimeve të gjata me autobus.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Skuadra do të ketë ende kohë për t’u rikuperuar, por edhe Maqedonia luajti në Izrael e jemi në pozita të njëjta. Jam i bindur që për ndeshjen do të jemi rikuperuar plotësisht, sepse lojtarët janë mësuar të luajnë me kalendar kaq të ngjeshur”, tha Panucci.

Drejtuesi i stolit kuqezi dha garanci për gjendjen e sulmuesit Armando Sadiku, sërish pa preferuar të zbulojë formacionin titullar, ndërsa tha se Shqipëria hyn në fushë për fitore.

“Sadiku është i gatshëm, i kam të gjithë futbollistët të gatshëm. Përpara ndeshjes do të shikoni se cili do të jetë formacioni titullar ndaj Maqedonisë. Ne kemi ardhur për ta fituar ndeshjen dhe do të shohim se çfarë do të na rezervojë fati. Nuk firmosim për barazimin, jemi këtu për të marrë maksimumin. Kemi respekt për Maqedoninë, që është një skuadër e mirë, por jemi të vetëdijshëm për potencialin tonë”.

Përqendrim, dëshirë dhe grintë. Këto janë kërkesat e Panuccit për lojtarët, për një Shqipëri që pritet të jetë sulmuese në fushë.

“Me siguri që nëse do të luajmë si në 30 minutat e para ndaj Lihtenshtejnit do të vuajmë, pasi ishim shumë të ngadaltë në fushë. Kemi nevojë të luajmë në maksimumin tonë, me dëshirë, vëmendje dhe grintë nga minuta e parë deri në të 95-ën. Kemi respekt për Maqedoninë, por do të përpiqemi t’u krijojmë probleme, duke i sulmuar dhe duke tentuar që tu prishim lojën. Është e vërtetë që kundërshtarë kanë një mesfushë të re dhe cilësore, por karakteristika e tyre më e mirë është që nuk i lejojnë kundërshtarëve të bëjnë lojën e tyre dhe kjo u pa në Izrael.

Trajneri komentoi edhe elementët e tjerë të lojës, nga fusha, impianti i vogël në Strumicë dhe ylli i kundërshtarëve, Goran Pandev.

“Për sa i takon stadiumit, është një impiant i vogël, por fusha është e mirë. Stadiumet e vegjël fshehin gjithmonë surpriza, por ne do të përqendrohemi vetëm te ajo që do të bëjmë në fushë. Pandev e njoh, është një lojtar shumë cilësor, por nuk do të ketë një mbulim të veçantë”, tha Panucci, citon top channel.

ME TE LEXUARAT