“Suksese në jetë!” Ish zv.kryeministrja teknike i përgjigjet “flakë për flakë” Edi Ramës
Pas reagimit ironik të kryeministrit Edi Rama në lidhje me raportin e ministrave teknikë të PD-së për zgjedhjet e 25 qershorit, reagoi Ledina Mandija, ish Zv.Kryeministrja teknike.
Mandija shprehet se materialet që janë pasqyruar në raport kanë ardhur si rezultat i informacioneve që Task Forca ka marrë nga institucionet shtetërore dhe ministrisë e qeverisë dhe ky fakt nuk e bën të njëanshëm raportin ashtu siç pretendon Kryeministri.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Ish Zv.Kryeministrja teknike ka ironizuar duke deklaruar se nuk është faji i saj nëse ndonjë force të caktuar politike nuk i pëlqejnë informacionet që kanë dhënë institucionet shtetërore, mbi të cilat është bazuar dhe raporti i Task Forcës për zgjedhjet e 25 qershorit.
REAGIMI I PLOTË I ISH ZVKRYEMINISTRES:
Duke marrë shkas nga deklarata e kryeministrit për njëanshmëri të “raportit” dhe mosqënien e tij në nivelin tim profesional, dëshiroj të sqaroj se materiali përmbledhës është pasqyrim i plotë, i saktë dhe sistematik i materialit të dërguar në kohë pranë Task-Forcës nga të gjitha institucionet shtetërore. Jo pa qëllim është quajtur material përmbledhës pasi nga ana e zyrës se Zëvendëskryeministrit nuk është ndryshuar apo shtuar asgjë që nuk është referuar apo raportuar.
Fakti që informacionet apo raportimet e vetë institucioneve shtetërore apo edhe zhvillimet e përditshme të situatave gjatë përmbushjes së misionit të Task-Forcës mund të mos i pëlqejnë forcave të caktuara politike nuk e bën raportin të njëanshëm apo jo profesional.
Jam udhëhequr vazhdimisht nga bërja e transparencës së plotë kundrejt opinionit publik dhe pasqyrimi me profesionalizëm i të dhënave dhe fakteve që më janë raportuar dhe konsideroj se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i një sistemi demokratik të një shteti që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.