Një person vdes në QSUT, pasi iu ça aorta! Denoncimi: Familjarët rrahin mjekët

Kliko per me shume info

Në person i paraqitur dy ditë më parë në QSUT me çarje në aortë të zemrës humbi jetën në reanimacion. Familjarët e viktimës kanë dhunuar dy mjekët dhe një infermiere. Ata janë qëlluar me grushte dhe shqelma.

Denoncimin e publikoi partia “Zgjidhja” përmes një deklarate për mediat.

Kliko per me shume info

DENONCIMI

Reagimi i partisë ZGJIDHJA për dhunimin e mjekëve dhe infermierëve në QSUT

Edi Rama nxit dhunën ndaj mjekëve

Parmbrëmë, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë, arriti në urgjencë një pacient me aortë të çarë. Mjekët e reanimuan dhe shpejtuan ta fusin në sallë, por i sëmuri nuk jetoi, si pasojë e hemoragjisë. Duke sqaruar e ngushëlluar familjarët për sa ndodhi, dy mjekët dhe infermierja u përballën me pëllëmbët, grushtat dhe shkelmat e familjarëve të viktimës.

Kryeministri thotë se mjekët janë të gjithë të korruptuar dhe nxit urrejtjen kolektive të njerëzve ndaj tyre. Situata për mjekët është bërë e padurueshme, të gjithë mendojnë si të ikin një orë e më parë nga Shqipëria. Dhe faktikisht të gjithë mjekët e aftë po ikin. Si do të ketë mjekësi ky vend pa mjekë dhe infermierë të aftë?

ZGJIDHJA ka denoncuar disa herë situatën e rëndë të mjekësisë tonë të shpartalluar. Kryeministri po e varros mjekësinë publike duke i hequr të gjitha financimet nga buxheti i shtetit dhe duke ja kaluar ato koncesionarëve privatë. Në katër vitet e shkuara drejtorët e spitaleve u zhveshën nga çdo mbështetje e kompetencë. Edhe rojet dhe infermierët vendosen apo pushohen nga lart dhe vetëm nëse paguajnë nën dorë ose kontribuojnë me vota për pushtetin e Rilindjes.

Rama ka urdhëruar dhe ka bërë vetë sa e sa emërime skandaloze njerëzish të korruptuar e të paaftë në poste kyçe të sistemit të mjekësisë. Ai ju bën gjyqin publik, i denigron, fyen, poshtëron e çnderon kolektivisht, në bllok e publikisht të gjithë menaxherët e spitaleve. Nuk gjykohet asnjë personalisht, në bazë të performancës e nga institucionet kompetente. Jo! Gjykohet e poshtërohet mjeku si profesion, gjykohet e poshtërohet drejtuesi i spitalit si funksion!

Rama nuk e bën këtë për të përmirësuar shëndetësinë. Ai kërkon të mashtrojë e manipulojë opinionin publik dhe qytetarët e këtij vendi se, demek, nuk është përgjegjësi kryesor për dështimin e plotë të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Rama i ka katandisur spitalet në ditën e tyre më të errët. I ka mbushur të gjithë me profanët e Rilindjes! Çdo mjek dhe punonjës i denjë i shëndetësisë publike ndihet i shitur, i prerë në besë dhe i tradhëtuar nga ky kryeministër. Verbëria dhe papërgjegjshmëria e tij bën që mjekët, infermierët dhe specialistët e denjë të mjekësisë të jenë të pashpërblyer, të parespektuar, të pambrojtur dhe të rrezikuar më shumë se kurrë.

ZGJIDHJA e di se ka edhe mjekë e specialistë të cilët kanë marrë jetë njerëzish me inkompetencën apo papërgjegjshmërinë e tyre, siç ndodh që vdesin njerëz kudo në botën ku operon një mjekësi super e zhvilluar dhe kjo nuk do të thotë se, në çdo rast, fajtorë janë domosdoshmërisht mjekët! Spitalet tona janë të mjeruara, pa mjedise, medikamente, paisje, teknologji, personel të aftë e sisteme menaxhimi, standarde, procedura e manuale rigoroze. Farmacitë, në shumicën e tyre, janë rrafsh me ilaçe të skaduara dhe me farmacistë e falsifikatorë që nuk duan tja dinë as për recetat e mjekëve dhe as për shëndetin e njerëzve. Shqipëria ka edhe shumë mjekë e specialistë të nderuar që me humanizëm e përkushtim të thellë, kanë shërbyer popullin tonë, pavarësisht kushteve ekstremisht të pafavorshme në të cilat punojnë. Rastet e këqija nuk e bëjnë një shoqëri të emancipuar të paragjykojë apriori mjekët, dhe aq më keq të justifikojë akte dhune, fyerjeje dhe linçimi të tyre. Mjekët nuk mund të konsiderohen kriminelë se kështu i intereson kryeministrit. Qeveria është përgjegjëse të ngrejë një mjekësi të shëndetëshme e profesionale, pa mjekë e zyrtarë të paaftë dhe të papërgjegjshëm. Njerëzit e vëmendshëm e kuptojnë shumë mirë se dhunën, linçimin dhe mendësinë e vetgjyqësisë së njerëzve ndaj mjekëve e nxit personalisht Edi Rama me strategjitë e tij diabolike për tja u hedhur dështimin e politikave të tij, mjekëve dhe drejtuesve të spitaleve.

Të gjithë e kanë të freskët rastin e fletërrufesë vulgare të kryeministrit ndaj shkencëtarit dhe profesorit shqiptar me famë botërore, doktor Petrelës. Pasi e bëri këtë përmes një denoncuesi anonim, Rama “i lau duart” kur tha se nuk ishte Ai autori, por njerëzit që pagoi për t’i përgatitur raportet! Njësoj si në rastet e panumërta kur ai u vë në qafë njerëzve që i targeton si objektiv, shpifësit e shumtë e të paskrupullt që i paguan me para ose me tendera, koncesione, fusha kanabisi, privilegje, vende pune, leje e licenca etj.

ZGJIDHJA i kërkon kryeministrit të marrë përgjegjësitë dhe të garantojë sigurinë, dinjitetin dhe integritetin e njerëzve në krye të detyrës në përgjithësi dhe të bluzave të bardha në veçanti.

Kliko per me shume info
SHARE

1 COMMENT

  1. Edhe ju si shumica e shqiptarëve sot shikoni vetëm majen e ajzbergut që është mbi ujë.Atë që fshihet në thellësi të detit askush nuk ka guximin ta shikojë pa le të mendosh ti bëjë analizë të thellë për të zbuluar shkaqet se përse sistemi ynë shëndetsor ka aritur në të tillë derenxhe ku të shkosh në spital të duket vetja se je njëlloj si bagëtitë që po çojnë në thertore e kasapi po pret me thikat në duart e përgjakura e me shikim të turbulluar nga lodhja e kurbanëve që ka bërë.Disa që kanë pushtet ose dhe ata që kanë rënë nga pushteti pasi kjo gjendje mizerabël ka 27 vite që po vazhdon përpiqen të justifikohen me varfërinë ekstreme te Shqipërisë.Po u them këtyre derdimenëve se janë ata që me makutërinë e tyre e varfëruan këtë vend dhe e kanë çuar në buzë të greminës.Le të shikojmë njëherë të vetme mbrapa në histori e pasi e kemi sharë e mallkuar sistemin e kaluar le të kujtojmë se nga gërmadhat e varfërinë Migjeniane që la pas lufta ky sistem ndërtoj një ekonomi të fuqishme e të zhvilluar në të gjitha fushat në shërbim të popullit e të interesave të kombit e jo të oligarkëve,hajdutëve,tradhëtareve e të koruptuarve.Fjalët e tepërta janë fukarallëk thotë populli.Në duam vërtet ta bëjmë Shqipërinë vend të zhvilluar ku ja vlen të jetosh puna e parë që duhet të bëjmë është të dimë të vlerësojmë e gjykojmë drejt historinë tonë,të mirat dhe anët pozitive ti vlerësojmë e ti rivemë në funksion e të metat e gabimet ti kritikojmë e ti flakim tej.Se po pritëm nga shpellarët e Viçidolit apo buzëqumshtit e Bllokut të na qeverisin e të na japin mend sikur janë ata që zbuluan rrotën të jeni të sigurtë që jo vetëm nga çarja e aortës kanë për të vdekur njerëzit e doktorët kanë për të ngrënë dru por kemi për të konkuruar me popujt e Afrikës e të Lindjes së Mesme se kush u jep drurin më mirë politikanëve të pa aftë e të korruptuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here