Dështon seanca e Kuvendit të Kosovës, PAN-i bojkoton

Kosovë&Rajon

Aktualisht, presidenti i Republikës është institucioni i vetëm funksional në Kosovë. Kuvendi ende nuk është themeluar e qeveria ende nuk është krijuar. Madje, sot, vetëm disa minuta zgjati seanca për formimin e Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i saj, Adem Mikullovci, tha se në sallë ka deputetë mjaftueshëm që të vazhdohet seanca, por në mungesë të koalicionit PAN, të cilët kanë të drejtën e propozimit të kryetarit, ajo nuk mund të vazhdonte.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Dështoi edhe një herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Seanca e së enjtes nuk solli asnjë risi, meqë nuk erdhi grupi parlamentar i koalicionit PAN për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. E në mungesë të tyre, përfaqësues të Vetëvendosjes dhe ata të koalicionit LDK-AKR-ALT mbajtën nga një fjalim.

“ I ftojmë PAN-in që ta ndërpres bojkotin e seancës konstituive dhe e ftojmë që ta propozojnë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit të Republikës të Kosovës. Rregullat e demokracisë thonë kështu, kur nuk i ke votat dhe kur dëshiron t’i arrish ato, duhet të bësh kompromis. Kompromisin që ne po ua kërkojmë atyre është që të mos e qesin për kryetar të Kuvendit një figurë e cila prej shumicës së deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës është e papranueshme”, tha Konjufca.

"Interpretimet juridike të juristëve tanë janë të qarta që një e drejtë kushtetuese mund të konsumohet edhe nëse nuk shfrytëzohet. Do ta kemi dhe një përpjekje të fundit për konstituimin e institucioneve të vendit dhe të lëvizim në atë drejtim, në rast se vazhdojmë që PDK dhe koalicioni që udhëhiqet nga PDK të bllokojnë themelimin e institucioneve të vendit”, tha Hoti

Pas këtyre fjalimeve, kryesuesi Adem Mikullovci e mbylli seancën, duke theksuar se pa PAN-in nuk mund të vazhdojnë.

“Do të njoftoheni për seancën e ardhshme vazhdimin. Veç të iu njoftoj se në këtë moment kuorum kemi por po mungon PAN-i dhe pa PAN-in nuk mund ta vazhdoj punën, janë 61 deputet prezent”, tha Mikullovci, kryesues i seancës.

I vetmi deputet nga koalicioni PAN që ishte në sallë, ishte ai i NISMËS, Milaim Zeka.

ME TE LEXUARAT