Arben Frroku u dënua me burgim të përjetshëm, ankohet në Kushtetuese

Aktualitet

Dy muaj pasi Gjykata e Lartë e konfrimoi dënimin me burgim të përjetshëm të tij, 49-vjeçari i është drejtuar një tjetër gjykate, me pretendimin se i janë shkelur të drejtat kushtetuese.

Mësohet se përmes avokatëve në Shqipëri, Frroku ka dorëzuar një padi në Gjykatën Kushtetuese, në të cilën kërkon rigjykim.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin e Arben Frrokut, e pikërisht ky verdikt është bërë shkak që mbrojtja të hedhë sytë nga Kushtetuesja.

Një burim pranë kësaj gjykate pohoi se, avokatët argumentojnë si shkelje faktin se të njëjtët gjyqtarë që lanë në fuqi dënimin e përjetshëm, në fakt kanë shqyrtuar më herët edhe masën e sigurimit personal. Në këtë situatë, sipas avokatëve, gjykimi është paragjykuar ndaj dhe vendimi i Gjykatës së Lartë duhet të prishet dhe të rigjykohet.

Ndërkohë, Arben Frroku mbahet nga drejtësia holandeze, derisa të ketë një vendim nëse do të ekstradohet apo jo. Frroku u shpall në kërkim për vrasjen e ish-shefit të Komisariatit të Kombinatit, Dritan Lamaj, i cili u qëllua me breshëri automatiku në shkurt të vitit 2013, teksa po kthehej në shtëpi. Gjatë gjykimit, Shkalla e Parë e shpalli të pafajshëm, ndërkohë që me të njëjtat prova, Gjykata e Shkallës së Dytë (Apeli) vendosi burg të përjetshëm. Por vendimi i Shkallës së Parë që i dha atij lirinë, i dha gjithashtu kohë të arratisej nga Shqipëria, edhe pse muaj më vonë u arrestua në Holandë nën një identitet të rremë dhe me dokumentet e një shtetasi grek, të quajtur Renato Tsepa./tch

ME TE LEXUARAT