Psikiatrja shokon! Depresioni po vret shqiptarët

Aktualitet

Duhen edhe 15 minuta që ora të shënojë nëntë e mëngjesit, por radha është shumë e gjatë para zyrës së vizitave të doktoreshës psikiatre Arjana Rreli në Poliklinikën e Specialiteteve.

Janë burra dhe gra në moshë të mesme, vajza të shoqëruara nga nënat dhe shumë të tjerë afrohen dhe ikin, sepse nuk kanë durim të presin radhën e gjatë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Doktoreshë Arjana, një nga psikiatret më me përvojë, e specializuar jashtë vendit, ka një mimikë që i qetëson me kontaktin e parë pacientët. Nuk e mban bluzën e bardhë, pasi me këtë gjest do të tregojë se edhe ajo është njësoj si ata.

E gatshme në çdo moment për të sensibilizuar për sëmundjen, pohon se numri i të prekurve nga depresioni është rritur shumë, sidomos këto tre vitet e fundit. “Janë shumëfishuar rastet e ankthit që është premisa e parë për depresion. Para disa vitesh, kisha vetëm pak vizita me ankth në ditë, tani janë më shumë se 20 të tilla në ditë.

Në një intervistë për “Monitor”, Rreli shpjegon praninë e depresionit në shoqërinë shqiptare, faktorët që kanë rritur predispozitën dhe këshilla ku mund të ndërhyhet për të përmirësuar situatën.

Zonja Rreli, a keni ju sot një vlerësim statistikor se sa është e prekur shoqëria shqiptare nga depresioni ose një perceptim për praninë e kësaj sëmundje?

Më duhet të pranoj se nuk ka statistika të sakta se sa shqiptarë janë të prekur nga depresioni aktualisht. Kjo mungesë të dhënash lidhet me faktin se sëmundja vijon të jetë e nënvlerësuar dhe nëndiagnostikuar. Shoqëria vijon të jetë e stigmatizuar rreth kësaj sëmundje dhe e kanë shumë të vështirë ta pranojnë. Konsultimi me mjekun vjen vetëm pasi sëmundja ka kulmuar. Por nisur nga përvoja ime 20-vjeçare kam konstatuar një rritje të ndjeshme të të prekurve nga depresioni. Rritja është e theksuar tre vitet e fundit.

Pse po vjen kjo rritje?

E para lidhet me ndërgjegjësimin më të madh të shoqërisë dhe e dyta lidhet me problematikat që po kalon shoqëria, të cilat janë akumuluar nga tranzicioni i tejzgjatur dhe i vështirë. Më duhet të them se depresioni ka zbritur në moshat e reja. Në Shqipëri, ndër vite të prekurit më së shumti ishin mosha e tretë, por së fundmi, fenomeni ka prekur adoleshentët dhe moshat 20-45 vjeç. Kjo grupmoshë që është në kulmin e produktivitetit dhe ka synime për të realizuar projektet themelore të jetës nuk mban dot përgjegjësitë dhe nuk arrin të plotësojë objektivat, ndaj bie në depresion. Kjo sëmundje, së pari është biologjike, por faktorët e jashtëm janë vendimtarë për shpërthimin dhe agravimin e saj.

Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se më të prekura nga depresioni janë gratë. Pse?

Jo nuk mendoj se ka një hendek gjinor të prevalencës së sëmundjes, por gratë janë më të ndërgjegjshme dhe pranojnë më lehtë sëmundjet. Ato drejtohen më shpejt tek mjeku nëse dallojnë se vuajnë nga sëmundja dhe se kjo mund të shërohet. Me meshkujt ndodh e kundërta. Ata e vuajnë nga brenda dhe nuk konsultohen. E bëjnë këtë vetëm kur situata agravohet dhe pastaj problemi bëhet shumë i rëndë për t’u zgjidhur.

Doktoreshë, cilët janë faktorët që po përhapin sëmundjen?

Së pari është faktori biologjik të cilin mund ta ketë secili prej nesh. Si çdo sëmundje tjetër, edhe depresioni është shkruar në kodin gjenetik.

Faktori i dytë i jashtëm që nxit faktorin biologjik është niveli i mirëqenies. Mungesa e mundësive dhe varfëria janë faktorë themelorë. Është lehtësisht e qartë se, një prind që nuk mund të ushqejë dhe shkollojë fëmijën, natyrshëm është pre e depresionit. Mungesa e mundësive për punësim është një tjetër faktor madhor dhe gjithashtu migrimi i brendshëm. Tirana tashmë është një metropol në rritje të vazhdueshme popullsie ndaj dhe përshtatja për disa grupe po kalon pasoja që çojnë në depresion..

Çfarë pasojash ka rritja e depresionit në zhvillimin ekonomik dhe social të një shoqërie?

Po këtu duhet të ndalem pak. Kostot janë të larta dhe prekin të gjithë sferën ekonomike të zhvillimit. Një shoqëri e stresuar pikë së pari nuk ka produktivitet në punë. Minimalja puna e kryer nga personat në depresion nuk mund të jetë e mirë. Një shoqëri në stres dhe depresion ka shumë gjasa të tërheqë pas vetes edhe pjesën e shëndoshë. Stresi dhe depresioni përçohen edhe tek të tjerët. Depresioni është shkak për invalidizim dhe në një shkallë më të lartë, sëmundja çon në vetëvrasje.

Në këtë aspekt humbja e kapitalit njerëzor është më e madhja që një shoqëri mund të ketë. Një anë tjetër e kostos është trajtimi me shërbime dhe medikamente, të cilat janë shumë të kushtueshme. Të sëmurët nga depresioni duhet të paguajnë për shërbimet e psikologut dhe psikiatrit, teksa medikamentet që trajtojnë sëmundjen kushtojnë. Në rendin e sëmundjeve, ato të shëndetit mendor kanë kosto të larta ekonomike dhe shoqërore, pasi zinxhiri i shërbimeve dhe burimeve njerëzore që duhet në dispozicion të tyre kërkon kapacitete të mëdha.

Si është niveli i shërbimit mjekësor?

Duhet të them që nuk është në nivelet që kërkohen për një trajtim dinjitoz të të prekurve. Mungon infrastruktura bazike dhe qendra sekondare. Të sëmurët mendorë nuk kanë qendra të posaçme sociale ku të trajtohen dhe të kalojë kohë në mënyrë dinjitoze. Këto qendra do të lehtësonin familjet që kanë këta të sëmurë dhe do të ofronin një jetë dinjitoze për të sëmurët, ashtu siç i kanë vendet e zhvilluara.

Në Shqipëri ka mungesa të mëdha në referimin e sëmundjes. Mjekët në shërbimin parësor nuk kanë njohuri për sëmundjen dhe në këtë mënyrë të sëmurët që kanë kontaktin e parë me mjekët e familjes nuk arrijnë të drejtohen në mënyrë profesionale. Në pjesën më të madhe, këta sëmurë kanë kaluar të gjithë zinxhirin e mjekësisë dhe vetëm kur nuk gjejnë asnjë zgjidhje, drejtohen te psikiatri. Duhet një ndërgjegjësim dhe sensibilizim më i madh dhe media këtu ka rol kryesor. Sëmundja është më e përhapur se sa mjekët presin ndaj dhe ndërgjegjësimi është i nevojshëm për të siguruar mjekim dhe shërbim në kohë.

Trajtimi

Mungon infrastruktura bazike dhe qendra sekondare. Të sëmurët mendorë nuk kanë qendra të posaçme sociale ku të trajtohen dhe të kalojë kohë në mënyrë dinjitoze. Këto qendra do të lehtësonin familjet që kanë këta të sëmurë dhe do të ofronin një jetë dinjitoze për të sëmurët, ashtu siç i kanë vendet e zhvilluara. Në Shqipëri ka mungesa të mëdha në referimin e sëmundjes.

Cilat janë shenjat e para të sëmundjes?

Gjendja e ankthit i paraprin depresionit. Rastet janë shtuar shumë së fundmi. Shenjat janë psikologjike dhe fizike. Shenjat psikologjike shoqërohen me vetëvlerësim të ulët, me mungesë besimi te vetja që shpeshherë çon edhe në vetëvrasje. Shenjat fizike janë vështirësi në frymëmarrje. Rrahje therëse në zemër dhe në gjoks. Boshllëk në stomak. Dhimbje atipike, pagjumësi dhe djersitje. Në këto simptoma zgjatin më shumë se tre javë, duhet kontaktuar me mjekun dhe në mënyrë që rezultat të jenë më të shpejta dhe të sakta.

Çfarë këshilloni për përmirësim?

Së pari, autoritetet qeverisëse duhet të krijojnë premisa për një jetë më të shëndetshme si psikologjike dhe ekonomike, që sëmundja të mund të parandalohet në themel. Por gjithashtu duhen bërë ndërhyrje në të gjithë zinxhirin e shërbimit. Duhet të shtohet numri i mjekëve psikiatër, pasi nevojat për trajtim janë shtuar ndjeshëm. Gjithashtu, duhet të përmirësohen njohuritë në shërbimin parësor, në mënyrë që referimi të bëhet i saktë. Duhet të krijohen qendrat sociale të trajtimit dhe së fundi duhen përmirësuar kushtet financiare të mjekëve në sistemin publik. Mjekët psikiatër janë shumë të nënpaguar në krahasim me kolegët e tyre në vendet e tjera. Fushatat sensibilizuese duhet të rriten në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi.

Parandalimi

Autoritetet qeverisëse duhet të krijojnë premisa për një jetë më të shëndetshme si psikologjike dhe ekonomike, që sëmundja të mund të parandalohet në themel. Por gjithashtu duhen bërë ndërhyrje në të gjithë zinxhirin e shërbimit. Duhet të shtohet numri i mjekëve psikiatër, pasi nevojat për trajtim janë shtuar ndjeshëm

 

ME TE LEXUARAT