Kujdes në rrugët e Shqipërisë, tani gjobat për cdo shkelje do ju vijnë me postë

Aktualitet

Drejtuesit e automjeteve që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar në akset rrugore të vendit, nuk duhet të habiten nëse në derën e shtëpisë do ti vijë një gjobë nga Policia Rrugore. Policia e Qarkullimit Rrugor ka nisur aplikimin e gjobave në banesë për qytetarët të cilët kanë tejkaluar shpejtësinë dhe janë fiksuar nga radarët.

Skënder Ismaili, shefi i sigurisë rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, thotë se kjo është bëre e mundur në sajë të katër radarëve që kanë mbërritur së fundi në policinë rrugore, të cilët në mënyre automatike përcaktojnë shkeljen e kryer dhe identifikojnë targën e mjetit që ka kryer shkelje. “Drejtuesit të mjetit edhe pse nuk ndalohet nga një punonjës policie, do ti vijë masa administrative në adresën që ka lënë. Sado që do ta kundërshtojë, gjoba jep orën, vendin, shpejtësinë e tejkaluar, koordinatat ku është vendosur gjoba” tha zoti Ismaili për RTSH.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në ditët e fundit numri i aksidenteve rrugore me pasojë edhe në jetë njerëzore është shtuar. Skënder Ismaili thotë se faktorët kryesorë të këtyre aksidenteve janë disa, por më kryesorja janë ato njerëzore. “Regullat e parakalimit të mjeteve, udhëtimet e gjata, bisedat që bëjnë, tërheqin vëmendjen e njëri tjetrit. Kohët e fundit janë shtuar rastet e përdorimit të alkoolit” spjegon shefi i sigurisë rrugore.

Policia rrugore analizon se aksidentet në kohët e fundit më së shumti vijnë si pasojë e parakalimeve të gabuara. Zoti Ismaili thotë se nisur nga ky fakt policia ka rritur kontrollet për të penalizuar ata drejtues mjetesh që kryejnë këtë shkelje.

“Vetëm për zërin e parakalimeve të gabuara kemi arritur mesatarisht 130-140 gjoba në ditë dhe në rastin e përsëritjes së kësaj shkeljeje do të aplikojmë saksione deri në pezullim të lejes së drejtimit”

Por cila janë akset që policia i cilëson më të rrezikshme në qarkullim duke ju bërë thirrje turistëve dhe emigrantëve të bëjnë kujdes?

“Rruga Fushë Krujë- Lezhë, Lezhë- Shkodër, Segmenti nga Harku i Bërdicës deri në Velipojë, superstrada Tiranë- Durrës, Maminas-Gjiri i Lalzit, Segmenti i pambaruar i rrugës Levan-Fier”

Sipas INSTAT në periudhën janar-korrik, nga policia janë vendosur 1600 masa administrative ndërsa janë shënuar 925 aksidente nga 956 që ishin gjatë një viti më parë./RTSH

ME TE LEXUARAT