Gjykata liroi baronin e madh të drogës edhe në 2014-n, kishte sëmurë gruan

Lirimi i Alket Hatisë me vendim të Gjykatës së Durrësit, edhe pse Interpol Roma e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, shkaktoi debat mes institucioneve të drejtësisë si dhe nxiti një kontroll të Inspektoriatit të KLD-së. Megjithatë, ky nuk është vendimi i vetëm në favor të Hatisë, i dhënë nga drejtësia shqiptare.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Hatija nuk e ka shlyer të plotë dënimin me 10 vjet e 8 muaj burg të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe të konfirmuar nga Apeli për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve”.

Sipas vendimit të parë të Gjykatës së Elbasanit, Alket Hatija u arrestua në shtator 2008 dhe u lirua në dhjetor 2014, pasi gjykata e cilësoi të drejtë kërkesën e tij për ta shlyer në shtëpi pjesën e mbetur të dënimit. Vendimi i gjykatës përcakton se ditën e lirimit, më 23 dhjetor 2014, Hatisë i kishin mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e gjashtë muaj burg.

LEXO EDHE:  Gruaja gjen të shoqin të varur me litar, më pas policia zbulon se...
Kliko per me shume info

Alket Hatija ka argumentuar me sukses para gjykatës së Elbasanit se bashkëshortja e tij vuante nga sëmundje kronike.

“Situata përkeqësohet akoma dhe më shumë pasi bashkëshortja e sëmurë jeton me dy vajzat e mitura, dhe për pasojë e vetme nuk mund të përballojë rritjen e dy fëmijëve të mitur,” ka argumentuar ai para gjykatës.

Një tjetër argument i paraqitur në gjykatë është fakti se atij i kishin mbetur më pak se dy vite burg për të shlyer, çka sipas mbrojtjes përmbush kriterin kryesor të parashikuar në nenin 59/a të Kodit Penal që flet për “pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në prove”.

Njëherësh, Hatija i ka paraqitur gjykatës dhe një relacion të drejtorisë së burgut të Peqinit, në të cilin thuhet se:”…gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit sjellja e të dënuarit ka qënë tepër korrekte me bashkëvuajtësit, me personelin e institucionit…”

Prokuroria e Elbasanit e kundërshtoi lirimin e tij të parakoshëm, por gjykata vendosi të pranojë kërkesën dhe urdhëroi që Hatija të mbante kontakte të vazhdueshme me shërbimin e provës.

LEXO EDHE:  Kompozitori i njohur shpërthen ndaj Ramës/ Kolona zanore e Himnit Kombëtar, turp dhe skandal…

Vetëm 2 vjet e gjashtë muaj pas lirimit nga burgu, Hatija është kthyer sërish në vëmendjen e drejtësisë, pasi Interpol Roma e kërkon atë pasi Gjykata e Milanos e ka dënuar atë me 20 vjet burg.

Por gjyqtari Petrit Çurri i Gjykatës së Durrësit e quajti të paligjshëm arrestimin, ndërsa pranoi argumentet e të akuzuarit se vendimi i Gjykatës së Milanos kishte shqyrtuar të njëjtat fakte kriminale si ajo e Gjykatës së Krimeve të Rënda në Shqipëri.

Prokuroria e ka apeluar çështjen, duke pretenduar se vendimi i lirimit është dhënë në kundërshtim me parashikimin e Kodit të Procedurës Penale në raste të ngjashme dhe se pretendimi i Hatisë nuk mund të vërtetohet pa administruar vendimin e Gjykatës së Milanos.

Avokati i 44 vjeçarit Hatija, Denion Bogdani argumenton të kundërtën.

“Vendimi i gjykatës së Durrësit që urdhëroi lirimin e Hatisë është i drejtë dhe nuk duhet të paragjykohet nga askush, për aq kohë sa ne si shoqëri pretendojmë dhe kërkojmë çdo ditë drejtësi,” tha avokati për BIRN.

LEXO EDHE:  Protestuesi kuksian rrëfen momentet e arrestimit, me maska dhe me elektrikë në dorë

“Në kuptim të Konventës Evropiane për ekstradimet dhe të nenit 491/ç dhe 493/3 te K.Pr.Penale bën që Alket Hatisë t’i jetë cënuar parimi bazë i të drejtës penale “ne bis in idem”, jo dy herë për të njëjtën vepër dhe për pasojë të mos ekzistojnë as kushtet për ekstradimin e tij në të ardhmen, çka determinon në mos caktimin e një mase shtrënguese sigurimi,” shtoi ai.

Avokati pretendon se dënimi i formës së prerë, i dhënë së fundmi në Itali nuk ka asnjë efekt në Shqipëri në lidhje me ekstradimin e Hatisë dhe theksoi faktin se klienti i tij nuk ka tentuar t’i shpëtojë në asnjë rast drejtësisë. Në të kundërt, Prokuroria e ka çuar lirimin e tij në Apel, duke pretenduar paligjshmëri në vendimin e Gjykatës së Durrësit./BIRN

Kliko per me shume info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here