Ekspertiza del në përfundim: Ja kush i helmoi protestuesit e PD

Aktualitet

Ngjarja e ndodhur një muaj më parë, ku protestuesit e PD u helmuan gjatë mitingut deri më tani vazhdonte të ishte nën hetim.

Mësohet se Instituti i Mjekësisë Ligjore e konsideron të zbuluar shkakun e helmimit masiv që ndodhi tek 76 qytetarë mbështetës të opozitës. Sipas disa burimeve, mjekësia Ligjore ka dorëzuar në prokurori aktin e ekspertimit në lidhje me problemet shëndetësore të 76 protestuesve përfshi edhe kryetarin e PD, Lulzim Basha që mori ndihmë mjekësore 7 orë pas mitingut hapës të fushatës elektorale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Probabiliteti më i lartë për problemet shëndetësore të konstatuara tek 50 mostrat e marra në analizë është që ato të jenë shkaktuar si pasojë e rrezatimit të prozhektorëve si pasojë e qëndrimit nën këtë efekt për 2-3 orë”, thuhet ndër të tjera në aktin e ekspertimit të Mjekësisë Ligjore.

Hetuesit thonë se mjekësia ligjore e ka bazuar ekspertimin në analizimin e të dhënave nga mostrat e marra tek 50 shtetas nga totali prej 76 personash që u patraqitën me shqetësime në spital (QSUT). Personat u paraqitën në urgjencë më 28 maj, një ditë pasi kishin marrë pjesë në hapjen e fushatës së opozitës më 27 maj 2017 në Tiranë.

Prokuroria e Tiranës mësohet se e ka administruar në dosje këtë dokument, ndërsa është në pritje të mbërritjes së analizave nga Gjermania ku është kërkuar me letërporosi, një ekzaminim më i thelluar për shkakun e shqetësimeve shëndetësore që shfaqen protestuesit e opozitës.

Vetëm 7 orë pas pjesëmarrjes në tubimin e zhvilluar në bulevardin tek kryeministria, 230 persona përfshi edhe kryetarin e PD Lulzim Basha, u paraqitën me simptoma të skuqjes, enjtes dhe irritimit në fytyrë, në kokë dhe në qafë. Disa prej pjesëmarrësve kishin skuqje e irritim edhe në pjesën e krahëve.

Pak javë më parë në prokurori mbërriti edhe një përgjigje e organeve të specializuara të ushtrisë shqiptare e cila theksonte se një ditë pas mitingut të PD, në bulevard nuk janë gjetur mostra lëndësh kimike apo ushtarake helmuese.

Ushtria u përfshi në hetimin e rastit bashkë me policinë, prokurorinë dhe SHISH-in pas dyshimeve për një akt të mundshëm sabotazhi.

Prokuroria po i vazhdon hetimet për këtë rast me akuzën e pengimit të subjekteve zgjedhore dhe ndotjes së ambientit deri në mbërritjen e përgjigjes së analizave shkencore të kërkuara në Gjermani në lidhje me shkakun e problemeve shëndetësore që u shkaktuan tek rreth 230 protestues të PD.

Policia aludoi që në fillim për efekte të shkaktuara nga prozhektorët, madje disa prej tyre u sekuestruan por përfaqësuesit e kompanisë paraqitën dokumente për cilësinë e pajisjeve dhe për përdorimin e ndriçuesve në aktivitete të tjera si mitingje partish apo koncerte ku nuk ishte raportuar asnjë problem shëndetësor tek pjesëmarrësit.

ME TE LEXUARAT