Dy mijë euro për punësim në administratë, pranga edhe mikut të 28-vjeçares

Aktualitet

Pas arrestimit të 28- vjeçares Klodiana Kuqi, pasi kishte mashtruar disa persona duke i marrë deri në 2000 euro me premtimin se do t’i punësonte në administratë, Policia e Elbasanit ka vënë në pranga edhe “bashkëpunëtorin” e saj.

Beqir Gjura, 51 vjeç, u arrestua në flagrancë pas një kontrolli në banesën e tij. Ai akuzohet për “Falsifikim të vulave, i stampave ose i formularëve”. Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit të koduar “Koordinatorja”, dy ditë pas arrestimit të 28- vjeçares, K. Kuqi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Gjurës, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: dokumente identifikimi, fotokopje të shtetasve të ndryshëm, certifikata, leje kalimi në gjuhën greke, një leje qarkullimi automjeti, formular i paplotësuar (bosh) që ka vulë të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, automjeti i tij, si edhe dokumente të shtetasve të ndryshëm origjinale dhe fotokopje.

Burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se: “Arrestimi i Beqir Gjurës u bë në vijim të operacionit të koduar ‘Koordinatorja’, ku vetëm dy ditë më parë me vendim të Gjykatës së Elbasanit, u mor masa e arrestit me burg për 28- vjeçaren, Kuqi, e cila u akuzua për veprën penale të ‘mashtrimit’”.

Në bazë të hetimeve të Policisë, e cila e kishte në survejim Kuqin thuajse prej një harku kohor prej një viti, kjo e fundit shoqërohej shumë me 51- vjeçarin Beqir Gjura. Në këtë kuadër pas ndalimit të saj, Policia me urdhër të Prokurorisë ushtroi një kontroll të imtësishëm në banesën e Gjurës, ku edhe sekuestroi materialet e sipërpërmendura.

Edhe pse Policia nuk ka pasur denoncime në adresë të tij, dhe se në bazë të hetimeve u konstatua se materialet e gjetura në banesën e tij nuk janë përdorur për t’u falsifikuar nga ndonjë individ, bëri arrestimin në flagrancë.

Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për të vendosur nëse ai do të qëndrojë apo jo në qeli. Ka dyshime se Gjura dhe Kuqi bashkëpunonin me njëri-tjetrin për mashtrimin e personave të ndryshëm, të cilëve u merreshin nga 500 deri në 2000 euro, me premtimin se do t’u gjenin vend pune në institucione të ndryshme të Administratës Publike, kryesisht te Tatimet, Posta dhe Sigurimet Shoqërore.

Ndërkohë, pas arrestimit vajza 28-vjeçare nuk ka pranuar të ketë bashkëpunuar me Beqir Gjurën në aktivitetin e saj të jashtëligjshëm, duke mos pranuar edhe akuzat e bëra ndaj saj. Por mësohet se Kuqi ka deklaruar se e ka thjesht mik 51-vjeçarin dhe se asnjëherë nuk ka kryer aktivitet të jashtëligjshëm me të.

Edhe vetë Gjura, nga ana e tij, nuk i ka pranuar akuzat e falsifikimit nga ana e Policisë, por gjithsesi kjo e fundit sekuestroi provat materiale të gjetura në banesën e tij dhe dokumentet në lidhje me të i kanë kaluar Prokurorisë për hetim, për të zbardhur nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të dyshimtë të tij.panorama

ME TE LEXUARAT