Basha pret delegacionin e OSBE-ODIHR: Votat u blenë me para droge, plaga e zgjedhjeve u thellua

Politikë

Partia Demokratike ende nuk ka mbajtur një qëndrim nëse e pranon apo jo rezultatin e zgjedhjeve, por kreu i opozitës Lulzim Basha i tha misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it të njëjtën gjë që ai artikuloi ditën kur numërimi u mbyll, se zgjedhjet e 25 qershorit ishin triumf i paligjshmërisë.

Problemi kryesor i këtyre zgjedhjeve, sipas Lulzim Bashës është blerja masive e votave, me organizim sistematik partiak dhe qeveritar në të gjithë vendin, të mbështetur nga bandat kriminale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Basha i tha misionit vëzhgues se bandat kanë vepruar pa asnjë pengesë dhe në disa raste me ndihmën e strukturave shtetërore, duke përdorur në zgjedhje për shit-blerjen e votave paratë e nxjerra nga kultivimi dhe trafikimi i kanabisit.

Sipas njoftimit zyrtar nga selia blu, Edmond Spaho dhe Oerd Bylykbashi, që drejtuan përkatësisht Elbasanin dhe Durrësin, kanë treguar në takim raste konkrete të shit-blerjes së votës dhe hapat ligjorë të ndërmarrë, por që sipas tyre nuk sollën asnjë rezultat sepse në një rast policia nuk ndërmori asnjë veprim, ndërsa në tjetrin banditët e detyruan qytetarin të terhiqej nga dëshmia.

Kreu i opozitës vuri në dukje se një qëndrim realist i OSBE/ODIHR-it mbi problemet e rënda të procesit zgjedhor do ta ndihmonte shoqërinë shqiptare për të dalë nga ky stad i avancuar i zëvendësimit të demokracisë me një regjim që për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve mbështetet tek krimi, droga dhe korrupsioni galopant.

Lulzim Basha tha se këto nuk ishin zgjedhje demokratike, por prova e fundit e vdekjes klinike të zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Dhe mesa duket, ky do të jetë një nga tezat e tij në fushatën për rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike. Një fushatë që do të nisë të enjten nga Lezha dhe ku Basha dhe Eduard Selami do të jenë veç e veç para demokratëve.

ME TE LEXUARAT