Vrasja e Artan Cukut, policia kurth Mikel Shallarit para arrestimit, i bëri test alkooli për ti marrë ADN-në

Aktualitet

Për arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së Artan Cukut, Policia tha zyrtarisht se janë përdorur të gjitha metodat speciale të hetimit, provat shkencore dhe informacionet operative. Një ndër metodat e përdorura, e cila më pas ka shërbyer edhe për gjurmimin e tij, ka qenë një “kurth” i Policisë Rrugore, që e ka ndaluar dy javë para arrestimit. Me pretendimin se ishte ndaluar për kryerjen e një testi alkooli, Policia në fakt ka arritur të përftojë një tjetër profil gjenetik, përmes pështymës në gypin e dragerit.

Kjo metodë u përdor për të mos pasur më asnjë dyshim se Mikel Shallari ishte personi që kishte hedhur rrobat pas vrasjes së Artan Cukut dhe personi që kishte qenë në burg në Zvicër, nga ku kishte mbërritur dosja ku ndodhej edhe ADN e tij. Deri në këtë moment, Policia ende nuk kishte rënë në gjurmët e tij, pavarësisht provave të forta që kishte në dorë. Nga kjo kohë e deri në daljen e analizës së ADN-së, që ka zgjatur rreth 2 javë, Shallari është mbajtur nën vëzhgim në distancë nga agjentët e Policisë, derisa u arrit edhe arrestimi i tij.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Profili gjenetik i personit që dyshohet se kreu ekzekutimin e ish-drejtorit të Policisë Artan Cuku, u arrit të ndërtohej rreth një muaj nga mbetjet biologjike në rrobat që ai mbante veshur në momentin e krimit. Ai i kishte hedhur rrobat pas Postës Nr.8 në Tiranë, ku ishte filmuar edhe nga kamerat e sigurisë së bizneseve private. Analiza e ADN-së u krye edhe me ndihmën e laboratorëve të Policive të vendeve të BE. Ndërsa prova vendimtare që çoi në zbulimin e identitetit të Mikel Shallarit erdhi nga Zvicra. Dosja penale që Shallari kishte atje, përmbante edhe provën e ADN-së, ku krahasimi me profilin e ndërtuar çoi në identifikimin e tij si autor. Por ky person vijonte të ishte i lirë dhe Policia ende nuk kishte rënë në gjurmët e tij. Në këtë mënyrë u kërkua inskenimi i një aksioni të Policisë Rrugore, me qëllim kryerjen e testit të alkoolit. Në fakt nuk bëhej fjalë vetëm për Mikel Shallarin, por edhe për disa persona të tjerë, që kishin qenë në të njëjtin burg me të në Zvicër, emrat e të cilëve po ashtu kishin mbërritur në Tiranë nga Interpol Berna, citon Panorama.

Ashtu si ditën kur u arrestua, edhe dy javë më parë, kur u ndalua për herë të parë nga Policia Rrugore, Mikel Shallari po drejtonte makinën e tij. Efektivët e Qarkullimit të Tiranës, që ishin në një aksion për rripin e sigurimit dhe konstatimin e drejtuesve që i jepnin makinës nën efektin e alkoolit, i bënë shenjë të hapte krahun. Ai ndaloi pa hezitim, por kërkoi arsyen e ndalimit, pasi sipas tij nuk kishte shkelur asnjë rregull dhe rripin e sigurimit e kishte të vendosur. Në makinë ndodhej edhe e dashura e tij, vajza nga Lushnja me të cilën shoqërohej edhe në momentin e arrestimit. Shallarit iu bë e ditur nga efektivi i Rrugores se arsyeja e ndalimit ishte për të provuar nëse kishte konsumuar alkool apo jo dhe, për këtë arsye, duhej të bënte një test alkooli. Ai nuk refuzoi duke fryrë në gypin e dragerit, nga i cili më pas u përftua edhe materiali i nevojshëm për ndërtimin e profilit gjenetik.

ME TE LEXUARAT