Vdes studenti amerikan që mbahej i arrestuar në Korenë e Veriut

Bota

Studenti amerikan që ishte mbajtur në kushte të rënda për më shumë se 15 muaj në Korenë e Veriut ka vdekur një javë pasi ishte kthyer në shtëpi, në Shtetet e Bashkuara.

Otto Warmbier, 22 vjeç, po shlyente një dënim me 15 vjet punë të detyruar pasi akuzohej nga regjimi koreano-verior për akuzën e vjedhjes së një materiali propagandistik nga një hotel. Ai u kthye në Shtetet e Bashkuara të martën e kaluar, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Autoritetet në Penian deklaruan se ai kishte qenë në gjendje kome prej një viti, kur kishte marrë dhe një sëmundje, por familja e tij pretendon se ai ishte bërë subjekt i torturave çnjerëzore.

Një ekip mjekësh amerikan hodhën gjithashtu poshtë versionin e ofruar nga pala koreane. Sidoqoftë, shkaqet e marrjes së sëmundjes janë ende të paqarta.

22-vjeçari Warmbier kishte pësuar dëme në tru dhe u evakuua nga Korea e Veriut më 13 qershor për në një spital në qytetin e tij të lindjes, Cincinati.

Lajmin për vdekjen e tij e komunikoi familja. “Me trishtim njoftojmë se djali ynë, Otto Warmbier, u nda nga jeta i rrethuar nga familjarët e tij të dashur”, thuhet në një deklaratë të familjes.

Në të thuhet gjithashtu se studenti nuk ishte në gjendje të fliste, të shikonte dhe madje as të reagonte ndaj komandave verbale të mjekëve.

Presidenti Donald Trump reagoi duke e cilësuar Korenë e Veriut si një vend me një “regjim brutal”.

“Atij i ndodhën gjëra të tmerrshme, por të paktën arritëm ta kthenim në shtëpi tek prindërit e tij, edhe pse në gjendje të rëndë”, tha Trump.

Ai shtoi se, “Shtetet e Bashkuara edhe njëherë dënojnë brutalitetin e regjimit koreano-verior teksa vajtojnë viktimën e tyre të fundit”.

ME TE LEXUARAT