PD rimerr Kavajën për dy vjet, Isa Sakja: Do rikthej “dy gishtat”

Politikë

Mëngjesin e parë si kryebashkiaku i ri i Kavajës, Isa Sakja e kaloi larg qytetit, pranë familjes së tij, për t’u qetësuar pas një muaji fushate.

Falenderimin e parë e ka për të majtët që votuan për të, duke u shprehur se për asnjë moment nuk e humbi besimin se Kavaja do t’i jepte një leksion të gjithëve e do rikthehej në rrënjët e veta.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Fitoren ja dedikon PD, e cila nuk fitoi më 25 qershor, por në Kavajë sipas tij, tregoi se është parti e madhe.

“PD është parti e madhe në Kavajë dhe duhej të ishte forca kryesore, pavarësisht gabimeve shumë të mëdha që u bënë këtu. Ishte një revoltë që Kavaja bëri kundër krimit, një rebelim kundër trysnisë dhe presionit.

Si Kavaja nuk ka në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka patur në ’90. Nuk kishte as në 2011 pavarësisht se ishte PD në pushtet, Kavaja u rebelua dhe s’mund të ishte ndryshe në 2017”, shprehet Isa Sakja, kryetari i ri i Bashkisë së Kavajës.

Pas fitores me vetëm 28 vota më shumë, Isa Sakja përqafoi rivalin e tij në garë.

“Dori u tregua civil, më uroi për fitoren, e përqafova si kavajas. Kështu jemi ne, s’kemi kohë të urrejmë njëri-tjetrin. Ne jemi qytet me lidhje sociale të forta njëri me tjetrin. Ne mund të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”, thotë Sakja.

Dhe historia përsëritet. Ashtu siç Elvis Rroshi hoqi “Obeliskun e demokracisë” nga qendra e qytetit, edhe Isa Sakja do ta heqë “Obeliskun kuq e zi”.

“Ai simbol nuk kishte të bënte vetëm me Kavajën, ishte lëvizje mbarëkombëtare që diktatura antikomuniste të merrte fund. Unë kam dhënë fjalën në fushatë dhe do ta mbaj. Unë aty do të hap një konkurs mbarë kombëtar për arkitektë skulptorë piktorë dhe aty do jetë një simbol që përfaqëson atë lëvizje”.

Por cili do të jetë vendimi i parë në krye të bashkisë?

“Vendimi i parë që më takon mua si kryetar, është që ta hap Kavajën për qytetarët. Prej dy vitesh bashkia ishte kthyer në një bunker”.

Shpreh pozitiv për bashkëpunimin në vijim me kreun e qeverisë Rama.

“Besoj se bashkëpunimi mes nesh është i detyrueshëm, ai për hatër të banorëve të Kavajës, unë për hatër të banorëve të Kavajës. Ne s’kemi pas asnjëherë shkëmbime sms, besoj se nuk është tabu dhe mund të bëhet”, thotë Isa Sakja./top channel

ME TE LEXUARAT