KFOR: Tensionet etnike dhe “luftëtarët e huaj” mbeten kërcënim për Kosovën

Kosovë&Rajon

Sipas një raporti të KFOR, tensionet etnike në Kosovë, si dhe luftëtarët e huaj mbeten një kërcënim për vendin, edhe nëse këta të fundit aktualisht ndodhen në burg.

Luftëtarët e kthyer në Kosovë nga vatrat e luftërave në Siri e Irak, mund të paraqesin sfidë serioze për sigurinë, madje edhe nëse aktualisht vuajnë dënimin në burg. Deklarata vjen nga Komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, me të cilën bien dakord edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

“Siguria në Kosovë mbetet e brishtë dhe mjaftë e paqëndrueshme”, tha komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Gjatë një fjalimi në Bruksel, ai shtoi se ka shumë rrethana që mund të prodhojnë dhunë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në Kosovë çdo ditë ballafaqohemi me sfida politike e acarime multietnike, pastaj ato të ekstremizmit fetar, probleme të refugjatëve e të migrantëve, si dhe me ndikimin rus.Muajt e ardhshëm disa luftëtarë, pjesëmarrës në luftërat e huaja, do t’i përfundojnë dënimet e tyre nëpër burgje dhe do të kthehen në shoqëri, dhe kjo do të jetë një sfidë e vërtetë, vijoi më tej Fungo.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë ne largim të Kosovës, Valdet Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se Komandanti i KFOR-it, ka të drejtë që ngre këto shqetësime

Institucionet e Kosovës kanë një strategji për deradikalizim dhe ri-integrim. Ato po ndihmohen nga ICITAP-i, (Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnime në Hetimet Kriminale) në lidhje me trajtimin e personave të përfshirë në aktivitete radikale apo edhe terroriste.

Qëllimi i strategjisë për integrimin e personave të përfshirë në aktivitete terroriste, është që ata të ri-integrohen në familje e shoqëri, në momentin që shumica prej tyre, kanë deklaruar se janë penduar.

Në bazë të shifrave aktuale, për përfshirje apo bashkëveprim në aktivitete terroriste, janë dënuar 50 qytetarë të Kosovës, kurse ndaj 34 personave po zhvillohen procedura gjyqësore. Ndërkaq, nën hetim, janë 131 persona.

Në kuadër të luftës ndaj terrorizmit dhe radikalizmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një ligj i cili e sanksionon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja, duke parashikuar edhe dënime të rrepta deri në 15 vjet heqje lirie.

Të paktën, 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste, siç është i ashtuquajturi Shteti Islamik dhe Al-Nusra. Disa prej tyre kanë mbetur të vrarë.

ME TE LEXUARAT