Humbja e PD, Bylykbashi: Ditë e vështirë, shumë shpejt do të gjejmë përgjegjësit

Kliko per me shume info

Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi me anë të një statusi në Facebook ka komentuar arsyet e humbjes dhe të mos dhënies së besimit nga ana elektorati për opozitën shqiptare në votimet e 25 qershorit!

“Në këtë ditë të vështirë, të gjithë bëjmë reflektimin tonë, kërkojmë shkaqet, arsyet dhe përgjegjësitë brenda vetes dhe mes nesh, kemi të qartë që përballe kemi një piramidë pushteti që e ka majën në dritën e ligjit dhe bazamentin thellë në kriminalitet, por kjo nuk duhet të na shmangë nga përpjekja për t’u ringritur me dinjtet e pa njollat e korrupsionit dhe abuzimit që na ulën kokën në 2013, apo gabimet që bëmë në këto vite”, shkruan Bylykbashi.

Kliko per me shume info

Statusi i plotë:

Faleminderit! Për të gjithë ju aktivistët demokratë që punuat në të gjitha strukturat e Partisë Demokratike të Durrësit, në një fushatë të shkurtër, të vështirë, e të pabarabartë, por që dhatë maksimumin tuaj, përtej e përkundër dasish e mllefesh që duken kaq te vockla përballë halleve e sakrificave tuaja.

Për të gjithë ju miq komisionerë e vëzhgues që morët përsiper t’i dilnit zot votës së demokratëve e qytetarëve që votuan PD, në një kohë të vështirë presionesh e shantazhesh, kur të tjerë u stepën dhe u shmangën apo nuk deshën. Për të gjithë ju miq numërues të votave që kryet detyrën tuaj mes sakrificash shumëorëshe, në vapë, lodhje, tension, për të mos lënë asnjë votë të vidhej e blihej nga pazarxhinjtë e votës. Për të gjithë ju miq demokratë me eksperiencë të gjatë që nuk e braktisët PD-në në këtë fushatë për asnjë lloj qefmbetjeje dhe treguat fisnikërinë tuaj pavarësisht se PD në të shkuarën ju ka pasur edhe borxhe, apo qe edhe pse patë sesi ata që u trashën me pushtet e para me mbështetjen tuaj, ju lanë në baltë në këtë ditë të vështirë. Për të gjithë ju miq të rinj që me pasion e energji nuk u kursyet, ju që jeni prezent realisht dhe jo në lista fiktive anëtarësh dhe që me energjinë dhe dedikimin tuaj të mbushni me shpresë se PD e Durrësit do të hapet tek qytetaria dhe kontribuuesit pa interes pushteti, e që nuk i afrohen PD vetëm kur ndahet pushtet, poste apo interesa.

Në këtë ditë të vështirë, të gjithë bëjmë reflektimin tonë, kërkojmë shkaqet, arsyet dhe përgjegjësitë brenda vetes dhe mes nesh, kemi të qartë që përballe kemi një piramidë pushteti që e ka majën në dritën e ligjit dhe bazamentin thellë në kriminalitet, por kjo nuk duhet të na shmangë nga përpjekja për t’u ringritur me dinjitet e pa njollat e korrupsionit dhe abuzimit që na ulën kokën në 2013, apo gabimet që bëmë në këto vite. Por analiza do të vijë shpejt. Sot kam vetëm këtë falënderim të madh për të gjithë ju. Faleminderit dhe do të ringrihemi e do të rifillojmë të gjithë bashkë së shpejti!

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here