Atentat ndaj biznesmenit në Tiranë, policia zbardh biografinë e tij të zezë

Aktualitet

Policia e Tiranës vijon me hetimet e atentatit ndaj biznesmenit një ditë më parë.

Burime nga grupi hetimor thanë se dyshimet e para lidhen me një histori hakmarrjesh, pas një vrasjeje të ndodhur 22 vite më parë.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohen as motivet e konkurrencës në biznes, apo borxhet që ka pasur ndaj personave të ndryshëm. Në vitin 1995, një person i afërt i Hykës, me të cilin kishte lidhje farefisnore, por edhe miqësore, u dyshua si autor i vrasjes së “të fortit” të Shijakut, Dritan Avdyli.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në atë kohë dyshohej se një person i afërt me Hykën futi në kurth Dritan Avdylin, madje u përmend gjatë hetimeve edhe emri i tij, pavarësisht se në asnjë moment nuk u gjetën prova për implikimin e tij në ngjarje. Ekzekutimi do të pasohej me të tjera ngjarje kriminale, të cilat u transferuan dhe në Tiranë, ku në vitin 2007, u vra në Kombinat, Durim Kusi, personi që ishte dyshuar për ekzekutimin e Avdylit, me të cilin Tofik Hyka kishte lidhje shumë të afërt. Nga ana tjetër, biznesmeni 56-vjeçar kishte pasur edhe një konflikt pronësie me të vëllanë, i cili e kishte hedhur në gjyq për të përfituar një pjesë të pasurisë së tij.

BIZNESET

Tofik Hyka njihet prej vitesh si pronar i disa bizneseve në Vorë e në Shijak. Ai është pronar i shoqërisë “Fabiona”, që mban emrin e vajzës së tij të madhe, e hapur në vitin 1995, si dhe pronar i ish-fabrikës së tullave në Vorë. Gjithashtu ka në pronësi edhe dy objekte në Xhafzotaj, Durrës, si dhe një tjetër objekt te “Katër Rrugët e Shijakut”.

Hyka u bë pronar i fabrikës së tullave në Vorë në kohën kur ishte hedhur në ankand nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit në vitin 1995. Më 7 shkurt 1997, objekti i ka kaluar në favor Tofik Hykës, i cili e ka blerë për 1 milion dollarë dhe deri në vitin 1999 investoi 1.4 milionë dollarë të tjerë.

Ky objekt me sipërfaqe prej 42 hektarësh, që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, iu njoh zyrtarisht si pronë Tofik Hykës në vitin 1999, kur përfundoi edhe pagesën e kësteve për blerjen e objektit sipas kontratës.

Biznesi i tij, që sipas ekstraktit të QKR ka status aktiv, “Euro Fabiona Hyka”, ka si objekt përpunimin e gurit, mermerit, granitit, prodhim tullash, tjegullash etj. Por nga ana tjetër, merret edhe me tregti me shumicë e pakicë, import dhe eksport e furnizimi i porosive dhe mallrave të ndryshëm.

KONFLIKTI

Tofik Hyka ka pasur edhe një konflikt pronësie me vëllain e tij, Sinan Hyka. Më 14 qershor të vitit 2012, Sinan Hyka ka bërë padi civile në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar që të njihet si pronar i një toke me sipërfaqe 350 metra katrorë në fshatin Lalm të Tiranës.

Në padinë e civile, Gjykata e Tiranës vendosi që Sinan Hyka, vëllai i biznesmenit Tofik Hyka, të njihet si pronar i pjesës së tokës që i takon. Këtë vendim të vitit 2012, biznesmeni Tofik Hyka e ankimoi në Gjykatën e Apelit Tiranë, që në vitin 2014 vendosi gjithashtu në favor të të vëllait, duke rrëzuar ankimimin e tij.

ME TE LEXUARAT