Zyrtari i SHBA në Tiranë pas protestës, ja çfarë pritet të ndodhë

Politikë

Javën që vjen, pritet të mbërrijë në Tiranë zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee. Si duket ndërkombëtaret do të bëjnë tentativën e fundit për të futur në zgjedhje Partinë Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës.

Zyrtari i lartë i DASHit, sipas burimeve, do të zhvillojë takime me liderët kryesorë politikë, në përpjekjen për arritjen e një marrëveshjeje mes opozitës dhe maxhorancës.

Mësohet se zëvendësndihmëssekretari i shtetit do të takojë Kryeministrin Edi Rama, Presidentin e zgjedhur Ilir Meta dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kjo vizitë vjen pas dështimit të negociatorit të Partisë Popullore Europiane, David McAllister.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ndërsa ditën e djeshme, eurodeputeti Knut Fleckenstein, i angazhuar personalisht për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri, ka diskutuar me senatorin amerikan John Mccain. Lajmin e ka bërë të ditur vetë eurodeputeti përmes një postimi në rrjetin social “Tëitter”. “Pata një bisedë konstruktive me senatorin John Mccain në Uashington.

Qëndrimi ynë sa i takon situatës në Shqipëri është i qartë. Ne i kërkojmë PD-së të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar Fleckenstein në profilin e tij.

Në një kohë që opozita ka paralajmëruar protestën e 13 majit, Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar shtetasit amerikanë që të kenë kujdes, edhe pse nuk kanë të dhëna për rreziqe të mundshme.

“Ambasada Amerikane në Tiranë njofton qytetarët amerikanë se një protestë e madhe politike është planifikuar të zhvillohet më 13 maj 2017, e cila nis te selia e Partisë Demokratike Shqiptare dhe përfundon para Kryeministrisë. Qarkullimi rrugor mund të preket nga protesta.

Ju lutemi që të ndiqni raportimet në media dhe të ndryshoni planet për atë ditë. Ambasada Amerikane nuk është e shqetësuar për ndonjë kërcënim konkret ndaj qytetarëve apo interesave amerikane. Ambasada u rikujton shtetasve amerikanë se edhe demonstratat me qëllime paqësore mund të kthehen në konfrontime.

Shmangni sheshet e protestës dhe qëndroni larg vatrave, apo tubimeve të tilla. Turma me njerëz mund të ketë në të gjitha rrugët kryesore të qytetit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës

ME TE LEXUARAT