Thaci: Sulmi ndaj Vlora Citakut, akt i shëmtuar

Kosovë&Rajon

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas sulmit me vezë ndaj ambasadores së Kosovës, në SHBA, Vlora Çitaku duke e konsideruar këtë një akt të turpshëm që cenon integritetin personal të një zyrtareje shtetërore.

“Shprehja e lirë e fjalës dhe mendimit është vlerë fundamentale e demokracisë, e cila respektohet nga të gjithë ne. Kjo e drejtë nuk duhet të keqpërdoret nga askush, duke cenuar integritetin personal të askujt, aq më tepër të një zyrtari shtetëror të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkruan Hashim Thaçi në facebook.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Keqpërdorimi i lirisë së shprehjes, i shoqëruar me dhunë automatikisht, sipas presidentit Thaçi, shndërrohet në një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm, “si ai i djeshmi ndaj ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku”.

“Fyerja dhe sulmi ndaj ambasadores Çitaku ishte edhe një tjetër përpjekje e ulët e radhës për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nxitësit dhe ekzekutuesit e veprimeve të tilla të shëmtuara, duhet të ndjehen të turpëruar”, thuhet në reagimin e Hashim Thaçit.

Ndryshe, një ditë më parë, ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku është sulmuar me vezë nga një shqiptare, aktiviste e Vetëvendosjes derisa po mbante një ligjëratë në Universitetin e Denverit. Çitaku është sulmuar në prani të ish-ambasadorit Christopher Hill i cili në fund të viteve 90’të ka ndërmjetësuar në konfliktin Kosovë -Serbi.

Sulmi ka ndodhur pasi aktivistja V. A ka bërë pyetje rreth rastit të vdekjes së Astrit Deharit, duke hedhur akuza për vrasje. Lajmi për sulmin është shpërndarë në rrjetet sociale nga aktivistë të Vetëvendosjes.

Pas këtij rasti ka reaguar edhe vetë ambasadorja në një postim në Facebook.

“...Nga fundi i bashkëbisedimit, një aktiviste shqiptare, u ngrit, më akuzoi se jam kriminele, vrasëse (duke iu referuar vdekjes së Astrit Deharit), pastaj akuzoi ambasadorin Hill që po promovon kriminelët. Dhe në fund hodhi vezë në drejtimin tim. Vezët nuk e kanë vrarë kurrë askënd. Po fjalët vrasin. Sigurisht që ndjehem e lënduar nga ato fjalë të rënda...” shkruan ambasadorja Çitaku. /RTKLive

ME TE LEXUARAT