Protesta e PD, policia publikon masat e sigurisë: S`kanë njoftuar kur përfundon

Aktualitet

Policia e Tiranes publikoi masat e sigurise nje dite para protestes se 13 majit te paralajmeruar nga opozita ne Tirane.

Sipas policisë, subjekti politik Partia Demokratike ka njoftuar zhvillimin e një proteste në orën 12:00, por nuk ka njoftuar se kur do të përfundojë, personat përgjegjës në mbarëvajtjen e tubimit si dhe personat që do të flasin në këtë tubim, etj.

MASAT E POLICISË PËR PROTESTËN E OPOZITËS MË 13 MAJ

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Subjekti politik Partia Demokratike ka njoftuar zhvillimin e një proteste ditën e shtunë, në datë 13.05.2017, ora 12:00 në qytetin e Tiranës.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka kontaktuar përfaqësues të degës së Partisë Demokratike, duke u kërkuar që të plotësojnë kërkesën e sjellë prej tyre konform ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, konkretisht, përcaktimin e orës së përfundimit të tubimit, personave përgjegjës në mbarëvajtjen e tubimit, personat që do të flasin në këtë tubim, etj.

Partia Demokratike nuk ka plotësuar ende të gjitha kërkesat ligjore të mësipërme që do të mund të bënte protestën e organizuar prej saj plotësisht ligjore në funksion të garantimit të mbarëvajtjes së saj nga Policia e Shtetit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka shprehur angazhimin e saj për marrjen e masave për garantimin e zhvillimit normal të tubimit, në datë 13.05.2017, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pa cënuar sigurinë kombëtare, sigurinë publike dhe punën normale të institucioneve.

Për të krijuar lehtësirat në funksion të mbarëvajtjes së protestës, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka vendosur:

- të ndalojë parkimin dhe qarkullimin e të gjitha kategorive të mjeteve në segmentet rrugorë:

- nga ora 07:00 deri në përfundim të protestës – Rrruga “Papa Gjon Pali II”, nga Sheshi “Italia” deri tek kryqëzimi në Bulevardin “Bajram Curri”.

- nga ora 11:30 deri në përfundim të protestës – Sheshi “Skënderbej”, Rruga “Myslym Shyri”, nga kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek Kryqëzimi me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri tek Kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova”, - Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri tek kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit”.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve për bllokimet e akseve rrugore gjatë kohës së zhvillimit të protestës.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat ligjore për sigurinë e protestës, por ndërkohë kërkon bashkëpunimin e organizatorëve për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për Tubimet”, si garanci për mbarëvajtjen e tubimit.

Policia e Shtetit, siç ka dëshmuar është plotësisht e aftë për të përmbushur detyrimin ligjor si garante e zhvillimit të çdo tubimi paqësor kudo dhe nga kushdo. Ajo ka të gjithë të drejtën ligjore, si dhe zotëron të gjithë kapacitetet për të mos lejuar cënimin e interest të qytetarëve dhe për të vënë përpara përgjegjësisë këdo që shkel ligjin.

ME TE LEXUARAT