Zgjedhjet Presidenciale/ Plot frikë dhe pasiguri, qytetarët francezë i drejtohen qendrave të votimit

Bota

Zgjedhjet në Francë ditën e sotme ka rrethuar qendrat e votimit, pasi zgjedhjet janë konsideruar si më të paparashikuarat për dekada të tëra si edhe zgjedhje që mund të ndryshojnë shumë gjëra në Evropë. Sipas mediave, qytetarët do t’i drejtohen qendrave të votimit mes pasigurisë dhe frikës ndaj terrorizmit. Kandidatët kryesorë, që variojnë nga e djathta ekstreme deri tek e majta ekstreme, Marine Le Pen (e djathta ekstreme), Jean-Luc Melenchon (radikal i majtë), Emmanuel Macron (centrist) dhe Francois Fillon (konservator) do të përpiqen të zënë sot dy vendet e para për të dale më pas në balotazh, më 7 maj.

Francezët janë skeptikë nëse kandidatët do të arrijnë të mbajnë premtimet elektorale apo do zgjidhin çështjet për të cilat kanë dhënë garanci. Vrasja e një efektivi të policisë nga një militant i dyshuar i Shtetit Islamik të enjtën e 20 prillit e vendosi sigurinë kombëtare në krye të axhendës politike franceze. Liderja e Frontit Nacional Marine Le Pen ka premtuar ashpërsim të kontrolleve kufitare dhe zhdukjen e terrorizmit islamik nëse ajo zgjidhet presidente e vendit.

Sondazhet tregojnë se të katër kandidatët kanë diferenca mjaft të ngushta. Votimi mbyllet në orën lokale 20:00, exit poll-et e para do të publikohen pas mbylljes së qendrës së fundit të votimit dhe rezultatet do të publikohen nga Ministria e Brendshme. Votuesit francezë me banim jashtë Francës, votuan dje. Sakaq, 50 mijë policë dhe 7 mijë forca ushtarake janë angazhuar në mbarë vendin për mbarëvajtjen e sigurisë.

ME TE LEXUARAT