Pakt me Qeverinë, familjet e viktimave të 21 janarit tërheqin paditë nga Strasburgu

Aktualitet

Katër familjarët e demonstruesve të vrarë më 21 janar fituan në Gjykatën e Strasburgut përmes marrëveshjes së pajtimit me qeverinë shqiptare, pas këmbënguljes së tyre se dosja e tragjedisë nuk ishte hetuar në praninë e tyre.

Çka do të thotë se në referim të deklaratës së firmosur mes familjarëve të viktimave dhe qeverisë shqiptare, kjo e fundit ka marrë përsipër përgjegjësinë për shkelje të konventës dhe angazhohet për rihapjen e çështjes penale në gjykatën vendase.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Përmbajtja e kësaj marrëveshjeje të pranuar nga gjykata europiane si një zgjidhje bazohet në respektimin dhe plotësimin e standardeve të të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, përmes këtij vendimi shteti shqiptar duhet të dëmshpërblejë me vlerën e 39 mijë euro dy fëmijët e të ndjerit Ziver Veizi për dëmin e shkaktuar atyre pasi nuk u pranuan të ishin pjesë në procesin penal ku ishin të pandeheur Agim Llupo dhe shefi i Gardës, Ndrea Prendi.

Me 15 mijë euro dëmshpërblehen për të njëjtin fakt edhe vëllai i të ndjerit Ziver Veizi dhe vëllai i Hekuran Dedës. I kontaktuar nga Top Channel, Dorjan Matlia që është avokat i familjarëve të demonstruesve të vrarë Ziver Veizi dhe Hekuran Deda tha se do t’i drejtohet autoriteteve për të zgjeruar hetimet për “21 Janarin”, por mbrojtja nuk ka vendosur ende nëse me një kërkesë të tillë do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë apo Prokurorisë së Përgjithshme.

Ajo që dihet është se, nëse do të pranohet kërkesa e avokatëve, kjo nuk do të thotë se do të ketë një rigjykim për Agim Llupon e Ndrea Prendin.

Mbi ta do të qëndrojë në fuqi vendimi i fajësisë për vrasje nga pakujdesia të dy protestuesve dhe dënimi me një vit burg për Prendin dhe 3 vjet për Llupon.

Por nëse pranohet kërkesa e avokatëve, zgjerimi i hetimeve do të kryhet ndaj personave të tjerë. Një vendim të ngjashëm Gjykata e Strasburgut e ka dhënë për Letoninë, ku një çështje është rihapur./tch

ME TE LEXUARAT