Edhe PS me lobist në Amerikë, punëson kompaninë e afërt me Donald Trump

Aktualitet

Partia Socialiste e Shqipërisë ka punësuar kompaninë e lobimit Ballard Partners me bazë në Florida-kompani e cila njihet për lidhjet me presidentin amerikan, Donald Trump. Të dhënat e siguruara nga BIRN në Departamentin Amerikan të Drejtësisë tregojnë se kontrata është firmosur më 13 prill 2017 nga kryefinancierja e PS, Dhurata Isufaj dhe presidenti i Ballard Partners, Brian Ballard.

“I regjistruari do të sigurojë shërbime advokacie lidhur me marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Shqipërisë,” thuhet në deklaratën e regjistrimit të kompanisë në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. “Aktiviteti do të përfshijë informimin, këshillimin dhe ndihmën e kontraktuesit të huaj në komunikimin me zyrtarët e qeverisë amerikane,” shtohet aty.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ballard Partners është një kompani e njohur me bazë në Florida, e cila ka tërhequr vëmendjen e medias amerikane për shkak se presidenti i saj, Brian Ballard njihet si një ndër mbledhësit kryesorë të fondeve për fushatën presidenciale të Trump në shtetin e Floridas.

Sipas revistës “Politico”, Ballard Partners hapi zyrën e vet të lobimit në Uashington pas fitores së Trump dhe firmosi kontratën e parë të lobimit me Republikën Domenikane për 900 mijë dollarë në total.

Partia Socialiste e Shqipërisë është klienti i dytë i huaj për Ballard Partners. Në deklaratën e dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë, kompania e lobimit nuk ka përfshirë kontratën dhe vlerën e saj, por një artikull i gazetës me qendër në Uashington “The Hill” zbulon se Partia Socialiste do të paguajë 20 mijë dollarë në muaj për një vit radhazi.

Kontratat me kompani të kushtueshme lobuese për të ndikuar mbi qeverinë amerikane janë manovra të përdorura herët nga partitë politike në Shqipëri, të cilat kohët e fundit po shënojnë një kulm të ri. Partia Socialiste i është bashkuar në këtë përpjekje Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, të cilat kanë punësuar më herët lobuesit e tyre për të vendosur marrëdhënie me administratën e Trump-it.

Në dy investigime të mëparshme, BIRN zbuloi se Lëvizja Socialiste për Integrim pagoi mbi 300 mijë dollarë për lobim në SHBA gjatë vitit 2016, aktivitet i cili përfshinte edhe një ftesë për inaugurimin e presidentit Trump. Ndërkohë, Partia Demokratike pajtoi në muajin mars kompaninë e lobimit “Stonington Strategies,” pjesë e “Muzin Capitol Partners” për 25 mijë dollarë në muaj. /Reporter

ME TE LEXUARAT