Detajet/ Vdekja e 18-vjeçarit në burgun e Shënkollit, familja dyshon se e kanë vrarë

Aktualitet

Vdekja tragjike e 18-vjeçarit Albi Lukës, që u vetëhelmua në burgun e Shënkollit dy ditë më pare nuk pranohet nga familja e tij. Ata hedhin dyshime se ai mund të jetë vrarë nga persona të tjerë. Kjo pasi ata mbështeten te disa shenja dhune që kanë konstatuar në kokën e të riut pas tërheqjes së trupit të pajetë nga morgu.

Njerku i 18- vjeçarit, Ardian Korra, thotë se kur tërhoqën trupin e tij konstatuan shenjat dyshuese. Sipas tij, Albi Luka është vrarë nga persona të tjerë në burgun e Shënkollit, ku vuante dënimin prej një muaji në ambientet e paraburgimit, pasi ishte arrestuar për vjedhje.

Korra tregon se kishte biseduar në telefon vetëm 3 orë para ngjarjes me 18-vjeçarin dhe mohon pretendimet e policisë se ai ishte i ngarkuar psikologjikisht kohët e fundit.

“Albi nuk kishte se pse të vriste veten. Ndryshe nga policia, ne si familjarë nuk kemi konstatuar se Albi ishte i rënduar nga ana psikologjike, teksa qëndronte në ambientet e paraburgimit në pritje të dënimit nga gjykata. Ai akuzohej për vjedhje. Tri-katër orë përpara se të ndodhte ngjarja kam kontaktuar me të dhe nuk kuptova asnjë shqetësim. Na thanë se i dha fund jetës duke u vetëhelmuar me gaz, pasi nuk duronte dot izolimin, por ne konstatuam dëmtime në kokë dhe mendojmë se Albi është vrarë, nuk është vetëvrarë”, tregon njerku i 18- vjeçarit, ndërsa kërkon zbardhjen e së vërtetës, shkruan “Panorama”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në lidhje me ngjarjen kanë nisur hetimet, ndërkohë dyshimet janë se i riu mund t’i ketë dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar me gaz të lëngshëm brenda ambienteve të qelisë.

Gjithsesi do të jetë ekspertiza mjekoligjore, e cila do të zbardhë shkaqet e vdekjes së 18-vjeçarit.

Ai mësohet se ishte arrestuar një muaj më parë nga Policia e Krujës për veprën penale të vjedhjes dhe ishte në pritje të dënimit nga gjykata.

“Paraprakisht dyshohet se 18-vjeçari ka qenë në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike në momentin e kryerjes së aktit vetëvrasës, për shkak se ai nuk e ka përballuar dot izolimin.

Frika se gjykata do ta dënonte, ka bërë që 18-vjeçari të shfaqte shenja të depresionit, çka sipas burimeve është konfirmuar edhe nga persona të tjerë që kanë qenë në kontakt ditët e fundit me të. Ai është vetëhelmuar me gaz të lëngshëm brenda ambienteve të qelisë”, thanë burime nga Policia, e cila shton se Albi Luka nga Fushë- Kruja u gjet pa ndjenja brenda ambienteve të qelisë së burgut.

Kanë qenë gardianët, të cilët konstatuan ngjarjen dhe më pas ai është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Lezhës, por bluzat e bardha bënë të ditur se ai mbërriti pa shenja jete.

Ndërkohë, policia konfirmoi se është duke hetuar për të përcaktuar shkakun e kësaj ngjarjeje.

ME TE LEXUARAT