41 mijë shqiptarë nuk e shikuan terrorizmin një problem, pushuan në Antalia verën e kaluar

Aktualitet

2016-a ishte një nga vitet më të vështira për turizmin në Turqi. Sulmet terroriste dhe grushti i shtetit në verë të vitit të kaluar krijuan një klimë pasigurie për vendin, që përjetoi një tkurrje të ndjeshme të numrit të turistëve nga shtetet e tjera, kryesisht ato perëndimore dhe Rusia (kjo e fundit edhe për shkak të konflikteve politike).

Mediat e huaja e quajtën një vit shkatërrues për turizmin turk. “The Guardian” shkruan se sulmet me bomba, trazirat në juglindje të vendit dhe një gusht shteti i dhunshëm – i ndjekur nga arrestime masive gjatë gjendjes së jashtëzakonshme – i kanë mbajtur turistët larg. Sidomos sulmi në Aeroportin Ataturk në qershor pati ndikim tepër negativ psikologjik te turistët. Sipas vlerësimeve nga Shoqata e Agjencive Turistike Turke (Türsab), Turqia vlerësohet të ketë humbur në 2016-n midis 2-2.5 miliardë euro të ardhura nga turizmi.

Por, ndërsa e gjithë bota iu shmang Turqisë në 2016-n, shqiptarët, të patrembur nga sulmet terroriste dhe situata e pasigurt, kanë përfituar nga rasti për të pushuar më lirë në resortet turke, pas ofertave të këtyre të fundit, në përpjekje për të joshur të huajt. Të dhënat nga Tirana International Airport për udhëtimet me charter tregojnë se drejt Antalias kanë fluturuar mbi 41 mijë persona, me një rritje prej 18% në krahasim me vitin e mëparshëm. Një vit më parë drejt Antalias kishin fluturuar përmes charter-ave rreth 35 mijë persona.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në 2016-n, operatorët turistikë shqiptarë e konfirmuan interesin e shtuar të pushuesve shqiptarë për pushimet në Turqi, të nxitur nga çmimet e ulëta. Ulja e çmimeve të paketave turistike, deri edhe me 50%, tërhoqi shqiptarët që të zgjidhnin të pushonin në qytetet bregdetare të Turqisë. Agjencitë thanë se kërkesa për të prenotuar në resortet e tipit all dhe ultra inclusive shënoi kulmin e saj në periudhën pas datës 14 korrik e deri në fund të muajit gusht. Shqiptarët në Turqi preferojnë të prenotojnë në resorte me katër e pesë yje dhe me shërbime all apo edhe ultra all inclusive. Antalia është destinacioni kryesor, duke u ndjekur nga Kemeri, Bodrumi e Alania. Koha e qëndrimit llogaritet mesatarisht nga 7 në 10 net.Me një mesatare prej 400-500 euro për person, që kushton një paketë, shpenzimet e shqiptarëve në plazhin e Turqisë vitin e kaluar llogariten të paktën 6-7 milionë euro.

Antalia mbetet një nga destinacionet e preferuara të familjeve shqiptare, për shkak të larmishmërisë së zgjedhjeve, raportit mes cilësisë dhe çmimit dhe lehtësisë së transportit përmes charter-ave.Për këtë vit, agjencitë në Shqipëri nuk arrijnë të bëjnë dot një parashikim se si do të jetë kërkesa, për shkak se punonjësit e administratës, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të pushuesve, janë në pritje të zhvillimeve politike dhe ecurisë së zgjedhjeve.

Rritet 42% trafiku i pasagjerëve me charter

Gjatë vitit 2016 kanë fluturuar me charter nga Aeroporti i Rinasit 166 mijë persona, me një rritje prej 42% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Destinacioni kryesor ishte Antalia, me 25% të totalit të pasagjerëve. (Shiko Tabelën: Trafiku i pasagjerëve, sipas charter-ave të skeduluara, 2016).

Destinacioni i dytë ishte Parisi, me 22 mijë pasagjerë dhe një rritje të ndjeshme në raport me vitin e mëparshëm, kryesisht për shkak të interesit të lartë për të udhëtuar, pasi kombëtarja shqiptare për herë të parë mori pjesë në Kampionatin Europian, që u zhvillua në Francë.

Ka një rritje të ndjeshme të fluturimeve charter drejt PolonisëDestinacione të tjera të frekuentuara nga charter-at që nisen nga Rinasi janë Londër, Pragë, Kiev, Varshavë etj

ME TE LEXUARAT