Reagim i papritur i NATO-s për formimin e ushtrisë së Kosovës

Kosovë&Rajon

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë të publikuar të mërkurën ka theksuar “shqetësimet për propozimin për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Stoltenberg, që ka zhvilluar gjatë ditës biseda telefonike me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Isa Mustafa, thotë se “NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje” .

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Sot kam biseduar me Hashim Thaçin dhe me Isa Mustafën që t’iu përcjell shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s për propozimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur, pa ndryshime Kushtetuese. E kam bërë të qartë se hapat e njëanshëm siç janë këta janë të padobishëm dhe i bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”.

“Në vitet e fundit, NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje. Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë çështje të institucioneve të Kosovës në përputhje me Kushtetutën e tyre".

"Megjithkëtë, nëse mandati i FSK-së evoluon tani në mënyrën e propozuar, do t’i duhet NATO-s që ta vlerësojë nivelin e përkushtimit të saj, posaçërisht në fushën e ndërtimit të kapaciteteve".

"E kam bërë këtë të qartë gjatë vizitës sime në Kosovë në muajin shkurt dhe e kam ripërsëritur në bisedat telefonike të zhvilluara sot. Jam në kontakt të vazhdueshëm me partnerët e mi në BE”, përfundon deklarata e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

ME TE LEXUARAT