Duka kritikon kombëtaren: Djemtë u dehën nga Europiani

Sport

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, deklaroi se kombëtares sonë i mungoi grinta në ndeshjet e para të eliminatoreve të Botërorit të Rusisë dhe për këtë, fajin e kishte Evropiani i Francës.

“Paraqitja e kombëtares sonë në “Euro 2016” tregoi se jemi rritur në futboll dhe jemi në rrugë të mbarë. Për këtë kanë të gjithë meritë. Por, në edicionin e ri ndoshta ka munguar grinta nga dehja e Francës. Ka ardhur koha të rizgjohemi”, tha Duka.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Më pas, siç transmeton Top Channel, kreu i FSHF-së foli edhe për problemet me të cilat jeton futbolli shqiptar, që, sipas tij, janë ndeshjet e trukuara dhe sjellja e disa tifozerive.

“Ndeshjet e dyshuara për trukim kanë pësuar rënie të ndjeshme, por fatkeqësisht nuk kanë shkuar zero. Problematikë mbetet edhe sjellja e tifozerive. Grupime të ndryshme i tejkalojnë normat e caktuara dhe për këtë arsye kërkohet bashkëpunim i policisë, klubeve dhe administratës së FSHF-së. Po përgatisim një kuadër të ri ligjor për të rregulluar këtë situatë”, tha Duka.

Përsa i përket arbitrave, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, pati fjalë të mira: “Niveli i gjykimit në përgjithësi ka patur rritje. Duke evidentuar gabimet, duke punuar për shmangien e tyre dhe duke krijuar një atmosferë besimi, të gjithë bashkë mund të krijojmë një terren të mirë që gjyqtarët të jenë të paanshëm. Nën presion, gjyqtarët mund të gabojnë më shumë”.

ME TE LEXUARAT