Formacioni i De Biasit, hermetik: Kam ende 3-4 dilema

Sport

“Nxehja” përballë pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp në Palermo nuk i zbuloi asgjë trajnerit Giani De Biasi mbi formacionin potencial ndaj kombëtares italiane të futbollit.

Trajneri i kuqezinjve pranoi se ka ende 3 apo 4 dilema për 90 minutëshin në impiantin “Renzo Barbera”, një nga të cilat përfshin edhe portën.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Tekniku i kuqezinjve tha se diferencat janë të dukshme, por ndaj italianëve duhet të japim maksimumin nëse duam të marrim rezultat.

“Kam 3 apo 4 dyshime për formacionin titullar, pasi janë lojtarë të ngjashëm dhe do të vendos deri në orën e fundit. Duhet të luajmë si të barabartë dhe të qetë.

Duhet të vendosim në vështirësi kundërshtarin dhe të mbajmë topin sa më shumë. Palermo është qytet i nxehtë dhe kjo është një nga arsyet pse Federata italiane ‘FIGC’ vendosi të luajë këtu.

Ka dhe anën supersticioze nga italianët, pasi herët e fundit kanë fituar këtu. Por ne duhet të bëjmë tonën”, tha De Biasi.

De Biasi rikthehet në Palermo, në një qytet ku në rininë e tij si futbollist kaloi 3 sezone pozitive, duke shënuar edhe 9 gola. Por tani në stolin e kuqezinjve, ai shpreson se njohja e rivalëve do ta ndihmojë mbrëmjen e së premtes.

“Njohja e kundërshtarit ndihmon shumë në strategjinë taktike. Ne kemi lojtarë që luajnë me ata që pritet të jenë në formacion me Italinë, si për shembull Ajeti me Belottin.

Por ndeshja do varet nga mënyra sesi hyjmë në fushë dhe nga gjendja fizike e lojtarëve. Strakosha apo Hoxha? Do të jetë surprizë dhe do të vendos të premten”, konfirmoi De Biasi.

Italia kryeson grupin G së bashku me Spanjën, me nga 10 pikë secila, ndërsa Shqipëria ndodhet në vendin e katërt me 6 pikë.tch

ME TE LEXUARAT