Britani e Madhe, arrestohen 2 shqiptarë për trafikim kokaine në Mançester

Aktualitet

britaniPolicia angleze ka shkatërruar një rrjet shqiptar i trafikimit të drogës në Mançester, pasi iu sekuestruan mijëra paund dhe kokainë.

Artur Ruko, 34 vjeç dhe Hajrim Merkaj, 32, të dy u deklaruan fajtorë nga  Gjykata e Mançesterit nën akuzën e posedimit të drogës, me qëllimin shpërndarjen e shitjen e saj, shkruan Mirror.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në korrik të këtij viti, oficerë policie të veshur civilë, kishin parë në rrugën Chapel, ku banonte dhe 34-vjeçari Ruko, një makinë që ishte e lidhur me tregtinë e drogës.

Gjatë vëzhgimit të policisë, civilët panë Artur Rukon të dilte nga apartamenti i tij dhe të futej në këtë makinë.

Oficerët e policisë kontrolluan makinën e tij, dhe zbuluan 17 qese me kokainë të pastër.

Më pas kontrolluan apartamentin e Rukos dhe gjetën aty 3 mijë paund para të thata, disa telefona celularë dhe një listë me vendet ku do shpërndante drogën, që do të sillnin një përfitim prej 100 mijë paundësh në 23 javët e ardhshme.

Në banesën e tij u gjetën edhe dokumenta falso greke dhe italiane me foton e Rukos. Autoritetet zbuluan se më shumë se 16 mijë paund ishin dërguar në Shqipëri.

Më vonë, policia kishte parë 32-vjeçarin Merkaj të priste në afërsi të makinës së Rukos. Ai filloi të vraponte pasi vuri re që policia ishte në vendngjarje, dhe pas një ndjekjeje u kap teksa ishte i fshehur pranë një hoteli.

Merkajt iu  sekuestruan 24 qese me kokainë të pastër, një mjet identifikimi fals italian dhe një depozitë bankare me 6.700 paund.

Ditë më vonë, një tjetër kontroll në një apartament që ishte marrë me qira prej shqiptarëve rezultoi me sekuestrimin e më shumë parave të gjetura.

Ruko do të dënohet me 4 vjet burg ndërsa Merkaj me 3 e 7 muaj, shkruajnë mediat angleze.

ME TE LEXUARAT