Zvicër, vdes në spital shqiptari i plagosur nga vjehrri

Aktualitet

Ndërron jetë në një spital në Zvicër, shqiptari me origjinë nga Maqedonia, i cili u plagos nga vjehrri i tij paraditen e djeshme, rreth orës 10.45 në qytezën Gerlafingen të Kantonit Solothurn. Paraditen e djeshme, rreth orës 10.45 në qytezën Gerlafingen të Kantonit Solothurn, një person 29 vjeçar është qëlluar dhe plagosur rëndë me armë zjarri nga vjehrri i tij, 54 vjeçar.

Dorasi është vetëdorëzuar në polici, shkruan 20minuten.ch. I plagosuri, për të cilin mediat shkruajnë se është shqiptar nga Maqedonia, është transportuar në spital ndërsa prokuroria është duke zhvilluar hetimet mbi rrjedhën e ngjarjes, raporton “albinfo”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas rrëfimit të një dëshmitareje, fqinje të familjes, bashkëshortja e të plagosurit e kishte mbajtur në krahë të shoqin e plagosur rëndë ndërsa dorasi, babai i saj dhe vjehrri i viktimës e kishte njoftuar ambulancën dhe pastaj edhe i ishte dorëzuar policisë. Mediat i referohen dorasit si zviceran ndërkohë që për viktimën ashtu dhe të shoqen shkruajnë se janë shqiptar. Nga kjo mund të bihet në përfundim se vjehrri është po ashtu shqiptar por me shtetësi zvicerane.

Policia nuk e sqaron këtë dhe as marrëdhënien në mes të palëve në konflikt. Një dëshmitare tjetër thotë për 20minuten.ch të ketë parë dy burra të lidhur me pranga që po merreshin nga policia. Duket se nuk ka qenë vetëm vjehrri por edhe vëllai i viktimës, i cili jeton në të njëjtin kat të ndërtesë, që është arrestuar. Fqinja më tej thotë se dy të martuarit nuk e çonin shumë mirë mes vete, shpeshherë ziheshin. Por një zëdhënës i policisë së Kantonit Solothurn, i pyetur nga gazetari nuk ka mundur ta konfirmojë këtë rrëfim. Ai ka thënë se marrëdhënia në mes të viktimës dhe dorasit është çështje e hetimeve.

ME TE LEXUARAT