Trefishimi i kanabisit në Itali? Tahiri i përgjigjet kreut të Antimafias

Politikë

“Askush nuk i fshihet shifrave. Në i dimë shifrat, pasi kemi bashkëpunuar me Guardia di Finanza. Ky është viti që do t’i japim fund këtij fenomeni”.

Kjo, ka qenë kjo deklarata e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, një ditë pasi kreu i Antimafias italiane deklaroi në Tiranë se kultivimi i kanabisit është trefishuar.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Tahiri ishte i pranishëm në prezantimin e projektit “Policimi në Komunitet”, Tahiri tha se problemi i kanabisit është i trashëguar, megjithatë ai theksoi se pa asnjë diskutim, policia po merret për ta zgjidhur.

Ai e cilësoi deçiziv këtë vit për Policinë e Shtetit, për t’i dhënë fund njëherë e mirë një fenomeni që, siç theksoi ai, nuk mund të vazhdojë më.

“Ka shumë debate për luftën tonë kundër kanabisit janë debate të arsyeshme deri diku, ashtu siç janë debate që shkojnë përtej çdo limiti dhe çdo logjike normale, gjë që tregon sesa nevojë kemi për t’u marrë me këtë çështje dhe për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Ndaj unë i kuptoj të gjithë ata që na sugjerojnë të bëjmë më mirë, edhe ata që drejtojnë gishtin e fajësisë tek ne, edhe ata që na ngarkojnë në pronësi parcela. I kuptoj, nevoja është që të bëjmë më shumë. Por të paktën sot, qëkur kemi marrë detyrën, një pjesë themelore e asaj që kemi bërë, është lufta kundër kanabisit. Sot, jo pa shkak flitet për luftë të përditshme kundër kanabisit, sepse policia sot po lufton si kurrë më parë. Besoj e dini të gjithë se para se ne të merrnim detyrën, as nuk flitej për luftë kundër kanabisit, ishin pajtuar të gjithë me një situatë që ishte aty. Pa diskutim kemi trashëguar një problem me kanabisin dhe pa asnjë diskutim po merremi për ta zgjidhur. Ky vit është patjetër deçiziv për Policinë e Shtetit për t’i dhënë fund njëherë e mirë një fenomeni që nuk mund të vazhdojë më. Ashtu si me Lazaratin, të njëjtën gjë do të bëjmë me çdo cep të Shqipërisë. Ky është viti për të parë realisht sesa fuqi ka policia dhe çdo institucion tjetër për t’i dhënë zgjidhje definitive këtij fenomeni që nuk mund të vazhdojë më.

Të enjten, kreu i Antimafias italiane, Franko Roberti, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare në vendin tonë deklaroi se kultivimi i drogës në Shqipëri dhe trafikimi i saj drejt Italisë, gjatë 2 viteve të fundit është trefishuar. Pas takimit me Kryeprokurorin Adriatik Llala, ai tha se për drogën shqiptare ka kërkesë të madhe në tregun italian për shkak të çmimit të ulët dhe afësisë mes dy brigjeve.

ME TE LEXUARAT