Thaçi: Serbia ka kryer gjenocid, dhe këtë e di e gjithë bota

Kosovë&Rajon

hashGjatë vizitës së tij në Turqi, Ministri i Jashtëm i Kosovës ka dhënë një intervistë ekskluzive për AA. Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar në datat 18-20 shkurt një vizitë zyrtare në Turqi, ku u takua me drejtuesit më të lartë të shtetit turk.

Vizita ka përkuar me 7 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndërkohë që në këto takime Thaçi ka marrë mbështetjen e Turqisë dhe premtimin për përpjekje në arenën ndërkombëtare që Kosova të njihet nga më shumë vende.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ndërkohë kryediplomati kosovar ka vlerësuar se është i vetëdijshëm që shumica nga 108 vendet e kanë njohur Kosovën për shkak të ndikimit direkt diplomatik nga Turqia.

Gjatë qëndrimit të tij në Turqi, Thaçi, ka dhënë një intervistë për Anadolu Agency (AA). Thaçi është ndalur në disa nga çështjet më të diskutuara sot sa i përket Kosovës, si procesit të njohjeve ndërkombëtare, për fenomenin e emigrantëve kosovarë në vendet evropiane, marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-Turqi, si dhe opsionin që Kosova po shikon që në një kohë të caktuar të kërkojë dëmshpërblimet e luftës nga Serbia.

AA: Shtatë vite Pavarësi – 108 njohje ndërkombëtare, por duket se ritmi i njohjeve ka rënë. Si e shpjegoni këtë situatë, përse nuk po binden t’ju njohin mbi 80 shtete?

Thaçi: Ajo që është shumë e rëndësishme është që Kosova tashmë është njohur prej shumicës së shteteve më të fuqishme të botës. Është njohur nga 108 shtete, është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, qoftë edhe në nivel rajonal, evropian apo ndërkombëtar. Është anëtarësuar kohëve të fundit edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ku vitin e ardhshëm do të marrë pjesë me simbolet e veta me himnin e vet në garat ndërkombëtare të Rio De Janeiro, pra në Lojërat Olimpike. Ndërsa tani Kosova po përgatitet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian si dhe pritet që të nxirret vendimi për liberalizimin e vizave.

AA: Prisni njohje të reja në afatin e shkurtër?

Thaçi: Definitivisht pres që do të ketë njohje të reja, jemi duke punuar në këtë drejtim. Tani është gjendje më e komplikuar për arsye se shtetet potencialisht të gatshme për ta njohur Kosovën e kanë njohur. Tani kërkohet një punë më e madhe mbi baza bilaterale.

AA: Muajt e fundit Kosova është përfshirë nga një valë eksodi. Disa raporte mediatike flasin për rreth 100 mijë të larguar. Informacionet tuaja zyrtare e konfirmojnë këtë shifër?

Thaçi: Jo, nuk është e vërtetë që janë 100 mijë njerëz të larguar, është një fenomen sikur janë ballafaquar edhe vende te tjera, qoftë Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia. Dhe mund të them se sa i përket raportit proporcional për banorë, Kosova ka më pak largime sesa vendet e tjera që kanë kaluar nëpër këto faza të tranzicionit.

AA: Keni një shifër të përafërt (të të larguarve)?

Thaçi: Nuk kemi një shifër të përafërt dhe nuk dëshiroj të spekuloj, flas më tepër për fenomenin, por paksa gjerat janë të ekzagjeruara.

AA: Sa janë shanset që qytetarët e Kosovës të përfitojnë azil në shtetet e Bashkimit Evropian?

Thaçi: Shanset janë zero.

AA: Kjo do të thotë se të gjithë emigrantët do të riatdhesohen?

Thaçi: Të gjithë do të kthehen, do të riatdhesohen në Kosovë.

AA: Në rast riatdhesimi, gjendja e tyre ekonomike do të jetë edhe më e vështirë. Si parashikoni ta trajtoni këtë çështje?

Thaçi: Nuk mund të them se gjendja ekonomike në Kosovë është keq, gjendja ekonomike është e standardit…

AA: Flas për gjendjen ekonomike të të larguarve…

Thaçi: Natyrisht që ne duhet të bëjmë shumë më tepër si institucione të vendit, në veçanti në krijimin e vendeve të reja të punës, por edhe për rritjen e mirëqenies sociale të tyre por edhe për një edukim më të mirë.

AA: Si i vlerësoni marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-Turqi?

Thaçi: Marrëdhëniet Kosovë-Turqi janë të shkëlqyera, mund të afirmohen edhe më tepër. Edhe në takimet që kam zhvilluar në Ankara, qoftë me Presidentin Erdogan gjithashtu edhe me Ministrin e Jashtëm, Kryeparlamentarin, Kryeministrin Davutoglu janë në shërbim të afirmimit të këtyre marrëdhënieve qoftë në rrafshin politik, diplomatik, ekonomik, social, kulturor dhe të sigurisë.

AA: Si shkojnë përgatitjet për krijimin e ushtrisë së Kosovës dhe a ju ka ofruar ndihmë Turqia në krijimin e saj?

Thaçi: Tashmë qeveria e Kosovës e ka marrë vendimin për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Kjo ushtri do të jetë profesionale, e standardeve të NATO-s, multietnike, me një përfaqësim gjinor meritor dhe presim që menjëherë pas kalimit të vendimit edhe në kuvend të marrim udhërrëfyesin për partneritetin për paqe, parakusht për tu anëtarësuar në NATO.

AA: Ju ka ofruar ndihmë Turqia në këtë drejtim?

Thaçi: Turqia ka pasur rolin e vet aktiv dhe dinamik jo vetëm në rrafshin bilateral, por edhe si anëtare e NATO-s. Natyrisht që me të gjitha shtetet e NATO-s ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë, në këtë kuadër edhe me Turqinë.

AA: Lëvizja Gulen, e quajtur ndryshe nga Turqia edhe si “shtet paralel”, përshkruhet nga qeveria si kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit. Qeveria Turke po zhvillon një luftë të vendosur në këtë drejtim. Vitin e fundit, kjo ka shkaktuar jehonë edhe në botë. Cili është vlerësimi juaj mbi këtë temë?

Thaçi: Unë nuk dëshiroj dhe nuk pretendoj që të komentoj opinionet e zhvillimeve te brendshme të një vendi sovran siç është Turqia. Ne kemi bashkëpunuar shkëlqyeshëm me institucionet legjitime, me institucionet që kemi bashkëpunuar për një kohë të gjatë, me institucione që ka zgjedhur vetë populli turk. Në të njëjtin drejtim do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë ngushtë.

AA: Vitet e fundit një numër i konsiderueshëm luftëtarësh të huaj i janë bashkuar organizatës terroriste të ISIL-it (në Siri dhe Irak), mes tyre edhe qytetarë të Kosovës. Tashmë kjo organizatë po kryen sulme terroriste edhe në Evropë. A është Kosova e rrezikuar nga kjo organizatë?

Thaçi: As Kosova sikundër të gjitha vendet e tjera te Evropës nuk ka mundur të jetë plotësisht imune ndaj këtij fenomeni, por Kosova ka treguar zotësi, fuqi dhe vendosmëri të madhe, duke ndërmarrë veprime konkrete të arrestimit dhe ndjekjes së këtyre individëve që kanë marrë pjesë në luftërat në Siri apo Irak dhe që ju janë bashkangjitur grupeve ekstremiste radikale apo terroriste. Tani Kosova po nxjerr ligjin që e ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të vetë në luftërat e huaja. Kemi arrestuar rreth 133 qytetarë që kanë qenë në Siri apo Irak. Do të jemi të vendosur edhe në të ardhmen dhe Kosova do të jetë pjesë e rëndësishme e koalicionit anti-terrorist. Në Kosovë nuk do të ketë vend për njerëz të tillë.

AA: Si parashikoni t’i trajtoni ata që mund të kthehen nga lufta, dhe cilat janë masat që po ndërmerrni që teksa luftoni rrjetet e rekrutimit të terroristëve të mos burgosen persona të pafajshëm?

Thaçi: Persona te pafajshëm as janë burgosur as nuk do të burgosen. Por, persona që kanë marrë pjesë në veprime të dhunshme dhe terroriste do të ballafaqohen me drejtësinë, nuk do të ketë asnjë lëshim në këtë drejtim.

AA: ZV/ministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi ka thënë se Kosova në një kohë të caktuar do të kërkojë reparacione lufte nga Serbia. Planifikoni diçka të tillë?

Thaçi: Është duke u diskutuar, është duke u punuar, dhe në një moment që ne të vlerësojmë që janë krijuar rrethanat e brendshme dhe ndërkombëtare do ta bëjmë një gjë të tillë.

AA: Nuk ka një afat kur parashikoni të aplikoni? Brenda një viti?

Thaçi: Nuk mund të flas për datë, por diçka e tillë do të ndodhë.

AA: Keni prova që Serbia ka kryer gjenocid?

Thaçi: Definitivisht Serbia ka kryer gjenocid.

AA: Keni Prova për këtë?

Thaçi: Kemi prova, ka dëshmi, e gjithë bota e di. Por, duke mos qenë Kosova ende pjesë e OKB-së, jemi në përpjekje për të gjetur hapësira legale për ta akuzuar Serbinë për gjenocid dhe për ta dëshmuar këtë para drejtësisë ndërkombëtare.

AA: Në muajin Mars në Kosovë do të zhvillohet Samiti i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Prishtinë për herë të parë do të zhvillojë vizitë Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën dhe cili do të jetë mesazhi juaj për Daçiçin?

Thaçi: Mendoj se për Kosovën do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë ministrat e jashtëm të të gjitha shteteve do të marrin pjesë në Samitin e Ministrave të Jashtëm. Ky samit nuk organizohet për Serbinë dhe për ministrin e Serbisë, por është shumë mirë që Ministri i Jashtëm i Serbisë ka vendosur për të ardhur dhe për të marrë pjesë në këtë takim. Në fakt është një njohje edhe e Serbisë për institucionet e shtetit të Kosovës.

AA: Me të marrë postin e Ministrit të Jashtëm dhe të zv.Kryeministrit keni zhvilluar vizita zyrtare në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni. Si e shikoni gjendjen aktuale të shqiptarëve në Ballkan dhe të ardhmen e tyre?

Thaçi: Shqiptarët kurrë në historinë e tyre nuk kanë qenë në pozicion më të favorshëm dhe më të mirë, derisa Shqipërinë e kemi anëtare të NATO-s dhe Kosova është vend i pavarur dhe sovran, ndërsa shqiptarët në Maqedoni janë duke i gëzuar të drejtat e tyre kombëtare. Gjithnjë e më shumë po afirmohen të drejtat e tyre, janë një forcë jashtëzakonisht e rëndësishme shtetbërëse dhe fuqi e stabilitetit dhe konsolidimit të Maqedonisë. Ndërsa, gjithashtu shqiptarët në Preshevë janë integruar në institucionet lokale përmes liderëve të tyre, për herë të parë vendosin për vetvete, se si ta ndërtojnë atë pjesë ku jetojnë. Gjithashtu edhe shqiptarët në Malin e Zi, ku i kam vizituar, janë duke bërë përpjekje maksimale që ti gëzojnë të drejtat e tyre kombëtare të plota. Kështu që mund të them lirisht se kurrë nuk ka ekzistuar ndonjë komunikim kaq i mirë mes shqiptarëve, një koordinim kaq i mirë mes tyre, por edhe një harmonizim dhe një orientim mbi të gjitha kudo që jetojnë, orientimi euroatlantik.

AA: Në Tetor të vitit 2014 Anadolu Agency ka filluar transmetimin edhe në gjuhën shqipe, gjuha e 8-të në të cilën transmeton lajmet agjencia. Si e vlerësoni ketë zhvillim?

Thaçi: Vlerësoj që është një hap i rëndësishëm dhe i inkurajoj që të vazhdojnë edhe më tutje.  RTK

ME TE LEXUARAT