Saimir Tahiri thumbon LSI-në nga Kamza: Ka parti që gënjejnë me premtime për punë

Politikë

Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës Saimir Tahiri, shoqëruar nga deputeti Sadri Abazi dhe Kryetari i ALUIZN-it Artan Lame zhvilluan një takim me të rinj në zonën e Kamzës.

Gjate deklarates atje, Tahiri iu drejtua pjesemarresve ne takim qe te mos mashtrohen nga ato qe ai i quajti parti qe premtojne punesim. Dukshem kjo deklarate duket se shkon per LSI-ne qe eshte pjese e Qeverise, pasi opozita nuk ka si te premtoje punesim te pakten per momentin.

Saimir Tahiri, njëheresh ministër i Brendshëm, tha se Kamza është një qytet që ka mbetur peng i politikës. Duke u ndalur tek reformat e kryera këtë mandat qeverisës, Tahiri nënvizoi se zgjidhja është tek ndërtimi i një shteti funksional. Ai kërkoi veçanërisht nga të rinjtë t’i bashkohen Partisë Socialiste e të hedhin prapa krahëve mbështetjen për parti, që u kanë marrë vetëm votën dhe i kanë gënjyer.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Çdo fushatë është bërë zakon vijnë ju trokasin te dera dhe ju premtojnë që do ju marrin në punë. Ju premtojnë që do ju zgjidhin punë. Ka parti në Shqipëri që jetojnë vetëm me këtë qëllim. Premto dhe gënje se do fusësh në punë dhe se do zgjidhësh punë. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Kjo nuk është Shqipëria që ju duhet ju, nuk është Shqipëria që duam ne. Asgjë e mirë nuk mund të ndodhë në këtë vend nëse nuk ndërtojmë shtetin. Asgjë nuk mund të bëhet nëse nuk kemi një shtet që funksionon e që mendon realisht për qytetarët.” u shpreh ai

Më tej Tahiri shtoi se prej shumë vitesh, qytetarët shqiptarë kanë vuajtur nga parti politike që i kanë parë vetëm për votat dhe asgjë më tepër.

“Ky vend, Kamza përfshirë, kanë vujatur nga Parti politike që i kanë mbajtur peng. Kanë vuajtur nga ndarja që i kanë shtruar në tavolinë qytetarëve: o je me mua, ose je kundër meje. Kanë vuajtur nga historia, jemi bashkë, hajde bëhemi bashkë për votim dhe pastaj shohim e bëjmë. Dhe në fakt prandaj janë akoma problemet këmbëkryq edhe këtu, sepse kanë ardhur, kanë ikur. Janë sot ende në politikë. Kanë gënjyer dhe vazhdojnë gënjejnë, e kjo histori nuk mund të vazhdojë më.” tha Tahiri

Për këtë arsye, kreu i PS së Tiranës, kërkoi votat e kësaj njësie më 18 Qershor, siç tha ai për të vazhduar rrugën e vështirë por të domosdoshme të reformave.

“Ne më shumë se gjithçka tjetër kemi nevojë për të ndërtuar shtet. ne më shumë se gjithçka tjetër kemi nevojë për forcën e ligjit. Është kjo e vetmja mënyrë për të pasur punësim për secilin prej jush. Është kjo e vetmja mënyrë për të pasur ekonomi për familjet tuaja, për të pasur legalizimet për çdo shtëpi. Është kjo e vetmja mënyrë për të pasur shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë. Është e vetmja mënyrë për të pasur një të ardhme më të sigurt për ju. Partia Socialiste ka nisur një rrugë. Ishte rruga më e vështirë.

Ne sigurisht mund të bënim atë që kishte bërë gjithkush më përpara. Të mos lëviznim asgjë. Problemet t'i linim aty ku ishin dhe të vazhdonim historinë si të gjitha ata që ishin përpara. Kjo ishte rruga më e lehtë, pa kokëçarje, pa debate, por ishte rruga më e vështirë për qytetarët. Ne zgjodhëm rrugën e reformave. Ne zgjodhëm rrugën më të vështirë. I hymë me themel gjithçkaje që trashëguam në njëzet e kusur vite dhe bashkë me Kryeministrin Edi Rama po çojmë përpara punë, të cilat deri dje nuk janë bërë kurrë. Punë të cilat deri dje askush as nuk i ka menduar, jo më t'i hynte dhe t'i zgjidhte. Por kjo kërkon besimin tuaj.” tha ai

Ndërkohë deputeti socialist Sadri Abazi u shpreh se e ardhmja do të jetë e sigurt për këtë zonë, vetëm kur të rinjtë të vendosin vetë për të.

“Ta lemë Kamzën në dorën tuaj. Ta ndëtojmë Kamzën për ju, ashtu si është ndërtuar Tirana, ashtu si është ndërtuar e gjithë Shqipëria. Rilindja do të trokasë edhe në Kamëz, por duhet forca juaj. Që Shqipëria e Gjeneratës tjetër të jetë në dorën tuaj, që ju ta drejtoni Kamzën, Kamza është Tiranë.” tha Sadri Abazi. Ndërsa kryetari i ALUIZN-it Artan Lame theksoi se në këtë mandat janë kryer rreth 100 mijë legalizime, ose 6 herë më shumë se në 8 vitet e qeverisë “Berisha”.

“Legalizimi është hapi parë për atë pjesë ku duhet të jeni ju pjesëmarrës, pjesën për ta kthyer Kamzën në qytet të mirëfilltë. Legalizimet janë hapi i parë drejt asaj faze. Janë hapi i parë për të pajisur Kamzën dhe të gjithë Shqipërinë, sepse ky është proces në të gjithë vendin me infrastrukturën, me ujësjellësat e të tëra.” tha Lame

ME TE LEXUARAT