Deklarata/ “Shkëmbimi i territorit Kosovë- Serbi do të destabilizonte Ballkanin”

Kryekomunari i Preshevës, Shqiprim Arifi tha se një propozim nga anëtari i Kongresit Amerikan, Dana Rohrabacher për “një shkëmbim të territoreve” mes Serbisë dhe Kosovës do të dëmtonte stabilitetin rajonal dhe shkonte kundër politikës së BE-së.

Arifi i tha BIRN në një intervistë se shkëmbime të tilla nuk ishin politika zyrtare amerikane dhe në këtë kontekst, ideja ishte “thjesht një opinion, as më shumë e as më pak”.

Gazeta serbe Blic publikoi një artikull të hënën ku thuhej se kongresmeni republikan Rohrabacher, gjithashtu kryetar i nënkomitetit të çështjeve të jashtme për Europën, Euroazinë dhe Kërcënimet, ka dërguar një propozim në letër për presidentin serb Tomislav Nikoliç.

Letra propozonte “një shkëmbim të territoreve” në Serbinë jugore për ato në Kosovën veriore “si zgjidhje që do të lehtësonte tensionet në këtë pjesë të Ballkanit”.

Disa politikanë në Kosovë janë dakord. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lutfi Haziri, të premten tha se mënyra më e mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Serbinë ishte përmes shkëmbimit të territoreve dhe kthimit të kufijve të vjetër jugosllav të 1956, të cilat ishin më të bazuara në kritere demografike.

“Ne duhet t’i kthehemi kufijve bazuar në kritere demografike, sepse gjatë viteve 1950 Serbia i kishte vënë kufijtë bazuar në këtë parim. Përse nuk munden shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës t’i bashkohen shtetit të tyre, duke qenë se i përkisnin Kosovës në vitet 1950?” pyeti Haziri në Klan Kosova TV.

Por kryekomunari i Preshevës tha se kishte frikë se ideja vetëm sa do të sillte destabilitet në rajon.

“Jam i interesuar në stabilizimin e rajonit dhe në këtë kontekst duhet të kuptojmë se çdo lëvizje e kufijve apo territoreve vetëm sa do sillte një lëvizje më të madhe dhe pastaj lëvizje tjetër dhe gjërat do të vazhdonin si zinxhir. Ne nuk e duam këtë. Politika jonë është politika e BE-së, që nuk mbështet ndryshimin e kufijve,” shpjegoi ai.

Arifi tha se ecja përpara drejt procesit të integrimit të të gjithë rajonit në BE, ishte një ide e mirë.

“Nëse e përshpejtojmë këtë, kjo do të ishte… zgjidhja për të gjithë rajonin. Nuk ka një zgjidhje të pjesshme vetëm për shqiptarët në Serbinë e jugut apo serbët në veriun e Kosovës, apo për serbët në Bosnje,” tha ai.

“Anëtarësia në BE është… jetesë në paqe dhe stabilitet. Çdo zgjidhje e propozuar që mund të destabilizojë [rajonin] nuk është një propozim i mirë, nuk ndihmon dhe sa do të destabilizonte procesin dhe rajonin”, tha Arifi.

I pyetur nëse Kosova po përdorte fushatat politike në Serbi, kryebashkiku tha se ishte e rëndësishme të kujtohej se Serbia ishte drejtuar për në zgjedhje presidenciale.

“Duhet të kuptojmë se politikanët dhe politika po kërkon për tema dhe se Kosova mund të jetë një gjithashtu,” tha ai.

Shqiptarët përbëjnë 87.48 për qind të popullsisë në Preshevë, ndërsa serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në disa komuna fqinje në veri të Kosovës, përfshirë gjysmën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Sipas artikullit në Blic, Rohrabacher ka shkruar në letrën drejtuar Nikoliç se “në vend të shembujve negativ, si dërgimi i një tren me simbole provokuese në Kosovë, ndoshta do të ishte më mirë, dhe në interes të përbashkët, të merret parasysh shkëmbimi i territoreve”.

Në letër thuhet se është shkruar se kjo do të sjellë në një numër më të madh serbësh pranë Serbisë dhe një numër më të madh shqiptarësh të Kosovës në Kosovë, dhe se ky opsion “është i mundur dhe nuk duhet të shpërfillet”.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç të hënën e bëri të qartë se ai nuk ishte pro idesë.

Ai tha se kushtetuta e Serbisë fliste qartë për integritetin territorial të Serbisë, duke iu referuar faktit se kushtetuta pretendon se e gjithë ish-krahina e Kosovës është territor serb.

Kryetari i Komunës së Preshevës është lideri i partisë Alternativa për Ndryshim, e cila pas zgjedhjeve të fundit lokale në prill 2016, lidhi marrëveshje koalicioni me Partinë për Veprim Demokratik dhe mori pushtetin në Preshevë.

“Qeveria e re lokale është shumë e angazhuar në mbajtjen e stabilitetit dhe ngritjen e problemeve që shqiptarët në Preshevë kanë dhe gjetjen e zgjidhjeve,” tha ai.

“Kemi komunikim të mirë me qeverinë [e Serbisë] që nuk ndodhte më parë dhe po punojmë me ministri të ndryshme rreth problemeve tona,” shtoi ai. “Duam paqe dhe stabilitet në rajon”, përfundoi Arifi./BIRN

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Dacic: Ekziston rreziku për destabilizimin e Ballkanit

Serbia e ka kritikuar vendimin e Bosnje Hercegovinës që ta dërgojë në ...