Rama: Kosovës nuk guxon t’i cenohet asnjë pjesë e territorit

Kosovë&Rajon

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se shqiptarët – Shqipëria dhe Kosova – janë bashkë për të promovuar paqen, por edhe për të mbrojtur integritetin territorial.

Ai ka deklaruar se Kosovës nuk guxon t’i cënohet asnjë pjesë e territorit dhe se provokimet e Serbisë janë shpërfaqje e një ideologjie të prapambetur.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Praktikisht cështja e territorit të Kosovës është mbyllur ditën kur është firmosur pavarësia e saj. Të dy vendet tona janë vendosmërisht krahpërkrah për të promovuar paqen. Janë krahpërkrah edhe për të mbrojtur integritetin. Nuk ka shans që Kosova të cënohet qoftë edhe në një centimetër katror të territorit të saj. Ai mur nuk është se sfidon realisht sovranitetin e Kosovës. Është shfaqje brutale e një ideologjie shumë të prapambetur. Jam i bindur që pavarësisht si do të dalë në fund kjo histori, nuk është e tillë ku pala tjetër duket mirë”.

“Ne jemi në anën e duhur të historisë, dhe e duhura është ana e urës, jo e murit”.

“Besoj që shfaqja e këtij muri absurd, apo e atij treni absurd, janë shfaqje të një makthi që nuk është i yni – është i fqinjve tanë. Janë shfaqje që shkaktojnë keqardhje. Janë fqinjët tanë që janë për të ardhur keq që shfaqen në forma të tilla dhe deri në nivelet me të larta kapen për të ndërtuar një politikë që nuk i duhet dreqit, lëre më popullit serb. Ne duhet të vazhdojmë t’i besojmë rrugës sonë. Këto shfaqje nuk tregojnë se paqja që kërkojmë është e gabuar, por se nuk është e lehtë.

Nuk cënojnë dinjitetin e shqiptarëve, as integritetin e Kosovës, as imazhin pozitiv që shqiptarët kanë ndërtuar që nga momenti i parë i ndërtimit të shtetit në Kosovë. Ndaj unë besoj që ka një konsum të tepruar të këtyre ngjarjeve deri në histeri, për të nxitur imagjinatën e një konflikti të mundshëm, që nuk është i yni. Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën nuk do të clirohet nga ky makth”, ka deklaruar Rama.

ME TE LEXUARAT