Prokuroria e vendosur ndaj çështjes së Prengës: T’i ndërpritet mandati

Aktualitet

Prokuroria vazhdon të insistojë për ndërprerjen e mandatit të deputetit Armando Prenga. Ky i fundit ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit për ligjin e dekriminalizimit veprat penale për të cilat është dënuar vite më parë në Itali.

Në të njëjtën kohë organi i akuzës i rikërkon në këtë mënyrë ndërprerjen e mandatit të deputetit në Qarkun e Lezhës, i cili rezultoi se në përdorim ka patur disa emra të ndryshëm. Dje KQZ vendosi shtyrjen e vendimit për heqjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Armando Preng, me pretendimin se nuk kishin provat e mjaftueshme nga Prokuroria. Anëtarët e mazhorancës në KQZ propozuan në mbledhjen e djeshme që t’i kërkohen Prokurorisë informacione shtesë për Prengën, pasi sipas tyre të dhënat e dërguara nuk ishin të mjaftueshme për të kaluar në vendimmarrje.

Pas kësaj kërkese, Prokuroria e Përgjithshme i ka rikthyer përgjigje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i rikërkon ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të deputetit Armando Prenga, pasi ky i fundit nuk ka respektuar kërkesat e ligjit për plotësimin e të dhënave, duke mos deklaruar, më së pari, një dënim të formës së prerë nga Gjykata e Kurbinit, si edhe precedentët penalë në Itali.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Sipas Vendimit të Kuvendit nr.17/2016, mosplotësimi i të dhënave “….passjell përjashtimin e menjëhershëm nga funksioni publik….”. Pra, vetëm duke u mbështetur në faktin që ka një vendim penal të padeklaruar (të Gjykatës së Kurbinit), deputetit duhet t’i ndërpritet mandati”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë. Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar përgjigjen ditën e sotme për t’i dhënë mundësinë KQZ-së që të shqyrtojë brenda afatit ligjor vendimin e Prokurorisë për konstatimin për ndërprerje të mandatit të deputetit Prenga. KQZ ka detyrim që të shqyrtojë vendimin e Prokurorisë brenda 10 ditëve nga vendimmarrja e Prokurorisë. Prokuroria e Përgjithshme ka marrë vendim për konstatimin e ndërprerjes së mandatit të deputetit Prenga në dt.15.02.2017.

ME TE LEXUARAT