Nis protesta e opozitës për shkarkimin e Jabllanoviç dhe çështjen Trepça

Kosovë&Rajon

prishtine 1Në Prishtinë janë mbledhur një numër protestuesish në sheshe, si dhe pritet që të mbërrijnë protestues, që janë nisur edhe nga qytete të tjera të Kosovës. Të gjithë protestuesit do të marshojnë e grumbullohen në sheshin para ndërtesës së qeverisë, e cila sot është “barrikaduar” nga Policia e Kosovës.

Në një njoftim për shtyp Policia e Kosovës bën të ditur se, “janë marrë të  gjitha masat siç parashikohet me ligjin mbi tubimet publike, e cila pritet të mbahet sot në orën 12:00 në Prishtinë, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar urdhrin operativ”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Katër autobusë me rreth 200 persona, kryesisht simpatizantë të Vetëvendosjes, janë nisur të martën nga Mitrovica për t’iu bashkëngjitur protestës kundër ministrit Jabllanoviq dhe mbrojtjes së Trepçës, që do të mbahet sot në Prishtinë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka, tha për KosovaPress se ata sapo kanë arritur në Prishtinë dhe gjatë rrugës nuk kanë pasur asnjë problem.

“Në përjashtim kur policia ka arrestuar aktivisten tonë Mimoza Abrazhda në Mitrovicë, derisa autobusët me protestues po përgatiteshin të niseshin dhe pastaj e kanë liruar, gjithçka tjetër ka shkuar pa ndonjë problem”, ka thënë Mujka.

Të shtunën e javës së kaluar, Policia kosovare ka ndërhyrë me gaz lotësjellës për të shpërndarë grupet që gjuanin me gurë dhe demolonin ndërtesën e qeverisë, pas përfundimit të protestës me paralajmërimet e organizatorëve për vazhdim sot nëse nuk plotësohen kërkesat për shkarkimin e minsitrit serb Jabllanoviç dhe për Trepçën ndërmarrje publike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka theksuar respektin për të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë dhe të drejtën e protestës, por njëkohësisht ka dënuar dhunën dhe dëmtimin e pronës publike.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh vendosmërinë që të mos tolerojë zhvillime, të cilat cënojnë vendin, cënojnë institucionet, pronën dhe pasurinë publike e private, dhe veçmas sigurinë dhe jetën e qytetarëve të saj”, përfundohej në deklaratë./

ME TE LEXUARAT