Pandeli Majko: Koalicioni me LSI-në do të vazhdojë për të mbajtur pushtetin

Kliko per me shume info

Ish-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, i tha Zërit të Amerikës se me akuzat e ngritura kohët e fundit ndaj qeverisë le të merret Prokurori i Përgjithshëm, nëse ai verifikon se në to ka diçka që vlen për t’u proceduar.

Majko foli për disa nga problemet e mprehta me të cilat përballet koalicioni i majtë, duke përfshirë edhe dështimin e qeverisë në frenimin e kultivimit të drogës. Ai ndodhet në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e përvitshme “Mëngjesi i Lutjeve”.

Kliko per me shume info

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ditët e fundit në Shqipëri ka patur zhvillime të tensionuara brenda shumicës, Ministri i Drejtësisë u shkarkua. Ndërkohë ai lëshoi akuza të rënda ndaj qeverisë për korrupsion, për lidhje me krimin, për vendime që merren – sipas tij – nën ndikimin e interesave të bizneseve të caktuara. Këto janë akuza mjaft serioze. A nuk meritojnë ato një hetim të posaçëm?
Pandeli Majko: Kjo është një pyetje për Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës në qoftë se ai do të verifikojë që nga këto akuza ka diçka që vlen për t’u proceduar, mendoj që është në të drejtën e tij për ta bërë këtë. Megjithatë mendoj që shpesh metaforat në politikë keqkuptohen dhe mendoj se ne kemi të bëjmë pak a shumë me një histori të tillë. Në qershor ne kemi zgjedhjet dhe mendoj që aktualisht marrëdhënia e Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim është në një diskutim – si marrëveshje – nëse ne do ta vazhdojmë këtë apo jo. Unë jam partizan i të vazhduarit, prandaj në komentet e mia do të jem mjaft i rezervuar, ashtu siç bëjnë të gjithë kolegët e mi.
Zëri i Amerikës: Por normalisht akuzat, siç thashë, janë mjaft të rënda, do të meritonin të paktën ngritjen e një komisioni parlamentar.

Pandeli Majko: Nuk besoj se do të vlente shumë një komision parlamentar. Ai do të keqpërdorej dhe do të vihej në funksion të fushatës elektorale të qershorit. Mendoj se ai që duhet të flasë dhe të tjerët të dëgjojnë, është Prokurori i Përgjithshëm, i cili nëse vlerëson se në këto akuza ka diçka të vërtetë dhe të faktuar, të procedojë sipas ligjit në fuqi.

Zëri i Amerikës: Por çfarë po ndodh brenda koalicionit tuaj? Edhe më parë LSI-ja ka bërë kritika të ashpra për qeverinë, sidomos për ministrin e brendshëm, kanë folur për ndikimin që policia mund të ketë në zgjedhjet e ardhshme. Duket qartë se marrëdhëniet janë të vështira dhe të tensionuara.

Pandeli Majko: Nuk kemi thënë ndonjëherë që marrëveshja me LSI-në do të ishte një marrëveshje e lehtë, përkundrazi. Unë hyj tek njerëzit që kanë pasur rezerva, por tani bëj pjesë tek kategoria e njerëzve që mendojnë se vazhdimi i marrëveshjes është mjaft i dobishëm. Mjaft i dobishëm edhe në sensin e asaj që ka të bëjë me stabilitetin e vendit. Dhe në këtë këndvështrim mendoj se ia vlen që të dyja palët të ulen dhe më shumë se sa të komunikojnë nëpërmjet mediave, qoftë edhe me akuza, të ulen në një tavolinë dhe të diskutojnë së bashku, me transparencë, lidhur me ato që bëjnë mirë, dhe me ato që mund të bëjnë më mirë.

Zëri i Amerikës: Më thoni ju lutem, përveç arsyes për të mbajtur pushtetin, çfarë arsyeje ka ky koalicion për të ekzistuar?

Pandeli Majko: Ky koalicion filloi si arsyetim i marrjes së pushtetit, dhe do të vazhdojë si një arsyetim i mbajtjes së pushtetit. Dhe mendoj se në fund fare do të jenë votuesit shqiptarë ata që do të vendosin. Në këtë që sapo thashë e ndjej që ka një lloj cinizmi por mendoj se në kushtet në të cilat po zhvillohet politika në Shqipëri, ne do ta fillojmë nga stabiliteti, e para, dhe pastaj të diskutojmë standarde të natyrave të ndryshme. Unë nuk hyj tek pesimistët, por mendoj se krahas atyre që mund të konsiderohen si kritika të natyrshme pas tre vjet e gjysmë në pushtet, ka edhe arritje të cilat vlen të theksohen dhe në çdo rast këto do të jenë gjërat, të cilat do të diskutohen në publik dhe do të kërkohet vota e njerëzve. Ata që janë cinikë dhe mosbesues kanë të drejtën të mos votojnë alternativën e këtij koalicioni, apo alternativën e Partisë Socialiste, të tjerën do të bëjnë atë që kanë bërë në 2013-tën.

Zëri i Amerikës: Është e qartë që në politikë ka mjaft cinizëm, por është e qartë gjithashtu se policia në Shqipëri ka dështuar në frenimin e dukurisë mjaft të ndjeshme për kultivimin e marijuanës. Sipërfaqja e mbjellë krahasuar me 2015 ishte gati 5 herë me e lartë, dhe thuajse çdo ditë po kapen sasi të mëdha marijuana si në Shqipëri, ashtu dhe në Itali apo Greqi? Si e shpjegoni një dështim të tillë të qeverisë?

Pandeli Majko: Nuk e fus veten tek ekspertët e policisë, prandaj dua të jem në përgjigjet e mia deri diku larg pritshmërisë së pyetjes suaj shumë teknike. Mendoj se është e vërtetë, në Shqipëri ka një fenomen, që është fenomeni i mbjelljes së hashashit, është një fenomen që ka krijuar goxha shqetësime në shoqërinë shqiptare dhe shqetësimi kryesor është se gjithë kjo para që del nga industria kriminale e hashashit, bie në duart e njerëzve që janë baza kriminale a një shoqërie. Dhe bërja e pasur e kësaj shtrese sigurisht që është një shqetësim i cili e tejkalon faktin që shkelet apo nuk shkelet ligji, në çfarë niveli në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Dhe mendoj se ky ka të bëjë me një nervozizëm të natyrshëm, por nuk besoj se ne mund të flasim këtu dhe vetëm për një bashkëpunim të policisë me këtë kastë kriminale që ekziston në Shqipëri, po flas lidhur me mbjelljen e hashashit, pasi akuza të tilla metaforika që policia po bashkëpunon, mendoj se duhen shmangur. Nëqoftëse do të flasim për dështim të policisë kemi histori me dështime të policisë këto 25 vjet sa të duash.

Zëri i Amerikës: Por ju jeni të vetëdijshëm se fenomeni është mjaft i përhapur …

Pandeli Majko: Absolutisht, fenomeni ekziston.

Zëri i Amerikës: Dhe atëherë ju duhet të keni një koment të paktën për Klement Balilin, për moskapjen e tij. Ka kaluar një kohë kaq e gjatë…

Pandeli Majko: Mendoj që kjo legjenda e Balilit është tepruar, është tepruar në sensin sepse ka kaluar dhe po i vihet si një llogari politikës, a thua se politika është ajo që merr vendime se duhet arrestuar dikush

Zëri i Amerikës: Po akuzat kryesore janë nëse ai ka mbështetje në rangjet më të larta të politikës…

Pandeli Majko: Nëqoftëse ai ka mbështetje në rangjet e larta të politikës, kjo është shumë e lehtë për t’u vlerësuar sepse edhe sot që flasim, Prokurori i Përgjithshëm nuk është emërim i Partisë Socialiste, shefi i Shërbimit Informativ nuk është njeri që kontrollohet nga Partia Socialiste, aq më tepër pastaj për Presidentin e Republikës. Megjithatë unë jam kurioz të shikoj se si për herë të parë do të mblidhet Këshilli i Sigurimit. Besoj se në historinë e shumë shteteve kjo do të ngjallë interes, pasi do të mblidhet vetëm për një çështje: a arrestohet apo nuk arrestohet një individ, i cili ndiqet penalisht.

Zëri i Amerikës: Jam kurioz gjithashtu të di se çfarë mendoni ju për administratën e re të Presidentit Donald Trump? Ai ka lëshuar disa urdhra ekzekutiv. Por cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë administrate?

Pandeli Majko: Pritshmëria ime është ajo që ka qenë edhe me Presidentë të tjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, falë këtij bashkëpunimi 25 vjeçar, sidomos flas 25 vjeçarin e fundit, Shqipëria ka kuptuar dhe politika shqiptare në përgjithësi mendoj se ka kuptuar një gjë: Nuk është Presidenti që bën Amerikën, është Amerika që bën presidenti. Unë mendoj dhe jam optimist se me presidentit të sapozgjedhur ne do të kemi marrëdhënie shumë të mira, të lidhur me strategjinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me bashkëpunimin e vjetër dhe të ri që Shqipëria ka ofruar për politikën amerikane në rajon dhe janë disa gjëra të cilat ne na çojnë normalisht drejt të vërtetave të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Amerikës, të cilat as i ka vënë njeri në dyshim, as mund t’i vendosë në dyshim.

Zëri i Amerikës: Zoti Majko, ju ndoshta nuk e dini po sot është pikërisht 75-vjetori i themelimit të Zërit të Amerikës. Desha të kisha ndonjë mendim tuajin sepse ju keni qenë shpesh i ftuari ynë këtu. A kanë qenë pyetjet tona të vështira sa duhet?

Pandeli Majko: Sa të duash kanë qenë të vështira. Unë të kërkova 10 minuta që të m’i tregoje pyetjet dhe nuk m’i tregove që nuk m’i tregove. E them këtë nisur nga ky moment mjaft familjar dhe që ne kemi gjetur tek Zëri i Amerikës, sigurisht ndonjëherë edhe duke kruajtur kurrizin pasi pyetjet e VOA janë të drejtpërdrejta dhe një standard i medias së lirë. Vazhdoni kështu siç jeni. Është një pasqyrë që kushdo që ka dëshirë ta shikojë veten ashtu siç është, ta shikojë. Ata që nuk kanë dëshirë ta shikojnë, është problemi i tyre jo i Zërit të Amerikës.

Kliko per me shume info
Kliko per me shume info
SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here