Bregu kundër PD-së: Fleckenstein mik i shqiptarëve. Ndihmoi Bashën në Bruksel

Politikë

Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe kryetarja e Komisionit për Integrimin, Majlinda Bregu ka qenë e ftuar në “E Diell”, në një intervistë me Adi Krastën ku ka folur për situatën e fundit politike në vend.

Protesta e opozitës, reformat, rruga e integrimit të Shqipërisë për në BE dhe marrëdhënia me Bashën dhe Ramën janë disa prej pikave që Majlinda Bregu u ndal.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Deputetja e PD-­së, Majlinda Bregu ka marrë në mbrojtje raportuesin e Shqipërisë në PE, Knut Fleckenstein. Ky i fundit u sulmua nga opozita, pasi i kërkoi kësaj të fundit të kthehet në Kuvend. Pas kësaj deklarate, pati edhe shumë shkrime nga mediat pranë opozitës që e lidhnin atë me Sorosin. Mirëpo, Bregu thotë se Fleckenstein është një mik i Shqipërisë dhe i Shqipëtarëve. Ajo tregon se si ai e ka ndihmuar opozitën për dekriminalizimin dhe ka mbështetur kauzën e Bashës dy vjet më parë.

Parmbrëmë erdhe në Shqipëri nga një udhëtim i gjatë ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A mund ta themi ne se çfarë ndodhi atje, ishte një vizitë private apo organizuar për çështje teknike pune?

Jo nuk ishte një vizitë private, ishte një vizitë e cila ishte parashikuar gati dy muaj më parë, me një ftesë ku ishin parlamentarë nga Shqipëria, Kosova, Gjeorgjia, Serbia dhe Ukraina. Të gjitha ne vendet të cilat kemi probleme me konsolidimin, me demokracinë në përgjithësi. Por sigurisht kishte dhe një komponent tjetër, se duke shfrytëzuar mundësinë që ishte një vizitë disa ditore në Uashington dhe më pas në San Francisko, unë u mundova ta shfrytëzoja edhe për takime të tjera përveç takimeve të grupit të përbashkët.

Gjatë kohës që ishe atje, gjithmonë këtu gjendet pak kohë, gjatë mungesës fizike të njeriut, që te galvanizohen disa histori paralele me historinë e vërtetë, që është vizita në një vend tjetër; pse nuk erdhi, pse nuk po vjen në çadër, çfarë qëndrimesh mban, mos është kundër, ka bërë disa kompromise, s’ka bërë disa kompromise , e do, se do, e duan, se duan,…!

Unë jam nisur në SHBA në datën 14 shkurt. Katër ditë përpara zhvillimit të protestës dhe siç the jam kthyer, siç ti e the, jo më shumë se sa 48 orë tashmë nga atje. Kështu që ka qenë një protestues më pak gjatë atyre ditëve, por një avokat më shumë! Nuk është pak dhe kjo.

Pyetja ime e parë serioze, e rëndësishme sot, përveç atyre rrethanore që bëhen në çdo fillim interviste, të cilën ti e njeh mirë se je kolege e imja, mike e vjetër, e vuajtjeve të zemrës, të gazetarisë, se këto të politikës nuk janë të zemrës, këto janë më shumë të……të vuajtjeve kur gazetaria ishte shumë e vështirë, pa teknologji, por më e vërtetë…

…më e çiltër. Është e vërtetë që Kryeministri Rama, në mënyrë private ose jo, të ka ofruar ty pozicionin e kryenegociatores së Shqipërisë në momentin që negociatat me Bashkimin e Europian do të fillonin?

Unë jo vetëm që nuk kam pasur as në mënyrë private as në mënyrë zyrtare, sigurisht, asnjë ofertë dhe asnjë propozim nga qeveria aktuale, por jam e bindur se mjeshtërinë e njohur tashmë të pjesës së hedhjes pak helm të kundërshtarit politik dhe këtë pjesë Rama e përdor shumë mirë, nganjëherë janë më të gatshëm që nëpërmjet shprehjes së vlerësimeve të tentojnë të të bëjnë më shumë dëm dhe në një ambient shqiptar kjo gjë s’është se nuk zë vend…

…është dalluar…

Megjithatë, investimi im i gjithë këtyre viteve është një investim i cili ka qenë dhe e them duke qeshur, është lidhja me gjatë dhjetë vjeçare që një njeri mund të ketë me një pasion të madh sikurse është pjesa e politikës, por e politikës së integrimit europian të Shqipërisë, i cili sot pak idhtarë ka, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Dhe kam përshtypjen që më tepër kjo është stisur duke u nisur nga ky rol dhe nga ky kontribut.

Po në fakt ti e synon atë pozicion?

Unë jam në politikë Adi dhe do të vazhdoj të jem në politikë. Por sigurisht një politikë pro Europës.

Kryeministri bën një dallim ne lidhje me ty edhe kur vijnë të huaj ose dhe vendas që…Majlinda Bregu është jo vetëm një grua e bukur, por është dhe një nga njerëzit më mendje hapur të këtij vendi dhe të kemi dhe ca më shumë si kjo se në partinë e saj nuk kanë, me thënë të drejtën dhe vuajnë dhe kanë këtë lavdërim. Ti e ke dëgjuar, saktë?

Nëse thotë ato që beson bën shumë mirë në fakt. Unë nuk e shoh veten as mendje mbyllur e as një nga njerëzit më pak të aftë të këtij vendi. Ky është një proces i një vetëvlerësimi që njeriu duhet ta bëjë për veten. Por të jesh i sigurt se nuk do t’i jap kënaqësinë asnjë ndërkombëtari përpara nesh që të na shoh me shpata apo me shkopinj nën duar vetëm për të treguar se sa të zotë jemi për të ruajtur gjithsecili sinorin e tij ne politikë. Jam dhe do të vazhdoj të jem në mbrojtje të një çështjeje e cila është madhore për shqiptarët, që është integrimi europian i Shqipërisë, i cili kalon përtej animozitetit tonë politik, kalon përtej atij debati të përditshëm politikë që ne kemi, sepse është një çështje dhe një aspiratë që shqiptarët ja kanë vendosur detyrë politikës shqiptare. Pra e kanë zgjidhur ata tashmë para 26 viteve që e duan Shqipërinë si e gjithë Europa. Dhe në këtë aspekt, duke menduar se Europa është qëllimi ynë i vetëm i pandryshueshëm, i panegociueshëm dhe i domosdoshëm do të vazhdojë të jetë në shërbim të kësaj kauze. të tjerat pastaj janë detaje që mua shumë pak më interesojnë.

Sapo u ktheve nga Amerika bashkë me jetleg-un që shoqëron atë udhëtim të gjatë dhe të mundimshëm shkove menjëherë, siç edhe pritej për hir të së vërtetës tek çadra e madhe që opozita ka ngritur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit përballë kryeministrisë dhe aty bëre dy deklarata ose më saktë dy pjesë të një deklarate, ishe pro protestës, siç pritej, por ishe kundër bojkotit final të PD-së në zgjedhje siç nuk pritej. Mos ndoshta këtë mund të ta konsiderojnë një mini lapsus duke pasur parasysh se PD-ja nuk është partia që vlerëson mendimin ndryshe.

Jo nuk besoj se është kështu, ose së paku shpresoj që të mos jetë kështu. E para, çështja e mos bojkotit të zgjedhjeve. Besoj se ka qenë një parim kryesor i Partisë Demokratike. PD nuk i ka bojkotuar zgjedhjet as në periudhat më të errëta të saj sikurse ishte viti ’97. Dhe është një parti e cila ka lindur për t’i dhënë mundësi shqiptarëve, që të zgjedhin një forcë politike që qeveris si një forcë politike nëpërmjet zgjedhjeve. Dhe e dyta, unë nuk do të doja kurrë, e kam thënë dhe e përsëris që, një precedent i bojkotit të zgjedhjeve nga partia e opozitës para zgjedhjeve parlamentare, të përdorej nesër nga një parti tjetër opozitare. Dhe nuk do të doja kurrë sepse Partia Demokratike është një investim i shqiptarëve. Shqiptarët pas 27 vitesh kanë të drejtën e tyre të kërkojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për këtë kauza është e jona dhe do t’i dalim ne për zot. por sigurisht për të siguruar garancitë për të arritur te zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Unë nuk e shoh asnjëherë mundësi bojkotin e zgjedhjeve parlamentare nga Partia Demokratike. Pikë! Më e qartë se kaq!

Dashur pa dashur ti je në një linjë besnike, do të kisha thënë, të qëndrimit që mbajti Fleckenstein i cili në takimet në Shqipëri tha, “Ok, Partia Demokratike e opozitës ka një kauze të madhe, por nuk duhet të ndërpresë parlamentin, veprimet në parlament dhe njëkohësisht as mos t’i shkojë në mend të bëjë një bojkot sepse kjo do të kishte qenë një pikë e errët”, po e perifrazoj relativisht trashe. Duke pasur parasysh se Fleckenstein është cilësuar si armiku i fundit i radhës së armiqve që në Shqipëri nxirren lehtësisht. Nuk ke frikë Majlinde se janë këto disa qëndrime shumë të kujdesshme që një njeri brenda Partisë Demokratike, sikurse çdo njeri brenda Partisë Socialiste duhet të mbajë, sepse përndryshe i presin kokën? Të gjithë njerëzve u presin kokën…

Partia Socialiste ka një histori shumë të gjatë me prerje kokash ose me ngrënie kokash të njëri-tjetrit…

Figurativisht…

E kanë të vazhdueshme sigurisht…

Por jo domosdoshmërish të shkëlqyer ju, sepse dhe atje ka pasur prerje kokash e qafash edhe fizikisht. Pra, ti dhe Fleckenstein duhet të keni shumë kujdes?

E para, nuk kemi asnjë gjë të barabartë. Fleckenstein është eurodeputet, është deputet në Parlamentin Europian. E dyta, është një politikan i zgjedhur nga vendi i tij për të përfaqësuar vendin e tij dhe forcën e tij politike dhe është raporteri për Shqipërinë. Unë vazhdoj ta konsideroj një mik shumë të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, madje e kam krijuar këtë përshtypje që në momentin e parë të takimit me të, i cili nuk daton tani, por në dhjetor të vitit 2013. Asokohe PD kishte paraqitur në Parlamentin Europian një listë me pesë kërkesa si të domosdoshme për t’u plotësuar nga mazhoranca që ne t’i jepnim fund bojkotit parlamentar të 2013. Ju e mbani mend që ne ishim në bojkot. Dhe unë kam shkuar kam takuar Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan në Parlamentin Europian pasdite. Nuk e njihja. Ishte caktuar reporter për Shqipërinë, por nuk kisha pasur mundësinë ta takoja sepse Z.Basha në një vizitë zyrtare në Bruksel në fillim të 2013 shoqërohej nga Z.Pollo. Pra unë nuk kam qenë me të në takimet zyrtare. dhe në momentin kur kisha një ftesë dhe një axhendë timen…

Ti e ke takuar në mënyrë jo zyrtare…

…Jo unë e kam takuar në mënyrë zyrtare, por isha në një vizitë e cili ishte mëngjesi i lutjeve në Bruksel. Dhe pasi jam takuar me të, dhe Z.Kukan dhe Z. Fleckenstein të dy bashkë më pyetën dhe më thanë, krejtësisht normale siç ndodh në politikë, në pesë kërkesat që ju keni paraqitur, është pak e vështirë që t’i kërkojmë mazhorancës të plotësojë pesë kërkesa përnjëherë. A keni ju çështje brenda këtyre që i konsideroni si më jetike dhe që ju japin dhe ju si opozitë mundësi për t’u kthyer në parlament? Dhe unë në fakt i thash pa hezitim, dekriminalizimi, sepse dekriminalizimi kishte filluar të jepte shenjat që në zgjedhjet e 2013 në përfshirjen e elementeve kriminal në politikë. Të them të drejtën kam gjetur një dakordësi të menjëhershme dhe kjo është intuita e politikanëve, atyre që merren me politikë përcaktuar brenda pesë çështjeve që kishte paraqitur PD. Nuk ishte lehtësisht i realizueshëm dekriminalizimi. Mendoni se duhet të merrej dakordësia e mazhorancës sepse ishte kërkesa jonë. Dhe aty jam ndarë nga ai takim. Dhe Knut Fleckenstein thotë ok. Në datën tre kam qenë unë në Bruksel. Më thotë se pas tre ditësh do të kem unë Kryeministrin Rama. Do t’ia paraqesë edhe atij këtë kërkesë thotë, por në rast se ata bien dakord ju do të ktheheni në parlament? I thash se ky nuk është një vendim që e marrë vetëm unë. Por unë besoj se kjo është një çështje madhore. Unë do të kthehem sa të flas me kryetarin e partisë time. Kthehem dhe i them Bashës se kjo ka qenë biseda me Z.Kukan dhe Z. Fleckenstein. Dhe sigurisht që na u duk një zgjidhje shumë e mirë. Nga ai moment pati një investim të fuqishëm dhe ishin këta të dy eurodeputëte të cilët investuan për t’i dhënë PD-së dhe për të mbështetur kauzën kryesore e cila sot vazhdon të mbetet një nga kauzat kryesore të PD. Pikërisht procesin e dekriminalizmitqë ende vazhdon të jetë problematik pavarësisht se është votuar.

Pra të them ty Majlindë, mos ndoshta as ju nuk jeni në gjendje ta kërkoni këtë sepse ka hipokrizi në Partinë Demokratike, duke pasur parasysh se kryetari i partisë suaj Z.Basha, mjafton një prokuror në të ardhmen, si ai që i ktheu mbrapsht Trampit dekretin presidencial për vendimin e emigrantëve, të rihapë çështjen e Rrugës së Kombit, që të mos rregullohet në ato analet e vonesave proceduriale dhe t’i këpusë një burg që t’i shkojë syri shtrembër. Si mundeni ju t’i kërkoni dekriminalizim kur ne PD keni pasur një të kaluar pothuaj kriminale.

Po flasim për dekriminalizmin, për shkëputjen e politikës nga elementët kriminal, gjë që do ta tregojë shumë shpejt lista e ardhshme zgjedhore. Po flasim për një betejë kryesore që është nisur nga PD, por që sigurisht që nuk ka vullnet për t’u zbatuar as sot e kësaj dite për t’u zbatuar nga mazhoranca. Vetëm rasti i fundit i Elvis Roshit të Kavajës, që po bëhet si anekdodë “dorëheqjesh” për të gjithë shqiptarët, ku asnjë nuk di me të vërtetë nëse ky zotëri është larguar, ka dhënë dorëheqjen, firmos ditët e fundit prapë si kryetar bashkie, megjithëse është shkarkuar nga detyra e tij, tregon me të vërtetë se mund të jetë shkëputur edhe PS nga elementë të cilët dekriminalizimi i quajti problematikë pjesën e nivelit administrativ dhe qeveritar, por që i ka si pjesë kryesore në parti. Gjë që do të thotë se është një mënyrë për t’i nxjerrë nga dera për të thënë se janë në rregull dhe për t’i rikthyer përsëri nga dritarja. Pjesa tjetër, që Ti më pyete pak më përpara nuk ka asnjë linjë në të cilën mund të krahasohet PD me PS apo grupi parlamentar i PD-së dhe përfshirja e elementëve kriminal në Partinë Socialiste, jo vetëm në grupin parlamentar. Por nëse do që të shkoj më tej, mund të them, ky nuk është një proces në të cilin sigurisht ka gjobën e saj vetëm PS. Ky është një proces dhe vetëdija e PD nuk mund të jetë e pavlerësuar. Për të pastruar politikën shqiptare nga përfshirja e elementëve të fortë kriminal, por jo vetëm. Unë do të shkoja më tej e të gjithë atyre që e kanë bërë politikën të shpifur, të papërballueshme dhe që i ka detyruar njerëzit të shkëputen nga politika. Në parlament sot ke njerëz pa gojë, ke njerëz që nuk kanë asnjë pikë dëshire dhe mendje për politikën, njerëz që janë në politikë sepse besojnë dhe sepse kryetari i partisë i ka dhënë mundësinë ose kanë pasur burime financiare për të përballuar fushatat dhe për të fituar zonat e tyre duke blerë dhe vota ose sepse duan të fitojnë nga politika. Por ke dhe të tjerë që besojnë se politika është ende mision për ndryshim.

Dua të flas pak shkurt vetëm për pozicionin tënd. Ke ti një ndjesi që duhet të tregohesh shumë e kujdesshme në PD, ka ndonjë gjë që duhet të ma shpjegosh në raport me përditshmërinë tënde në PD? Mund të të rrëshqasë këmba atje? Kështu ka një ndjesi që qarkullon si në për të.

E para unë di, ose kam mësuar pas kaq shumë vitesh, duke u rritur siç rritet çdo njeri, se nga njëherë, vendimet dhe qëndrimet më të vështira janë më të drejta. Gjatë gjithë këtyre viteve, katër kanë qenë çështjet kryesore për të cilat kam folur gjithmonë. Por me një ndryshim tjetër mbase. I jam larguar gjuhës së përbaltjes së llumit, të gjuhës së drunjtë që gjithmonë ku gjithmonë kundërshtarin duhet ta etiketosh si bartësin e të gjithë të këqijave që janë në këtë botë dhe jam munduar që t’i lë më shumë vend pjesës së logjikës. Është e drejtë, vlerësohet, nuk vlerësohet në politikë, unë besoj se mbas kaq viteve njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë të flasësh dhe jo të ulërasësh. Kam mbrojtur katër çështje kryesore gjatë këtyre katër viteve: dekriminalizimin, reformën në drejtësi, integrimin europian dhe sigurisht reformën zgjedhore që nuk po kryhet ende sot e kësaj dite. Besoj se kanë qenë të gjitha çështje të opozitës. Në rast se qëndrimi im ka qenë një hap përpara apo ka qenë ndonjëherë me deklarata të cilat kanë turbulluar ujërat apo mendjet e dikujt që mendon se politika është rehati dhe vetëm duhet të presësh që të vij dita dhe radha që të përfitosh, kjo të jem e sinqertë plotësisht me ty, nuk më shqetëson fare. Do të më shqetësonte në rast se gjatë këtyre viteve një nga këto çështje që kam ngritur dhe kam mbrojtur nuk do të kishte qenë kauze e PD. Përderisa janë kauza të PD dhe kauza të cilat besoj se i duhen edhe qytetarëve shqiptar, asgjë tjetër përtej kësaj nuk më shqetëson. Dhe nuk ta them se e shoh veten trime, por e kam bindje.

Java e fundit është konsideruar një javë, të paktën nga ndonjë shkrues mendjehollë i cili i pëlqen ngjyrimet stilistike të frazës e të mendimit, anti ambasadoriale. Në qoftë se për shembull, ka pasur gojë edhe të politikës të cilët, kanë stigmatizuar, ose të pushteteve të tjera si rasti i Llallës, kanë çelur, kanë hapur, kanë nxjerrë nga Kutia e Pandorës, zemërata të mirë artikuluara kundër ambasadorëve. Është prishur marrëveshja për, “ata i buzëqeshën njëri-tjetrit” dhe “unë them mendimet e mija dhe ti tund kokën tënde” dhe çfarë ka tani, ka edhe një luftë ndërkombëtare përbrenda këtij vendi të vogël e problematik?

Shqipëria ka jetuar për shumë vite në një izolim total. Ne mund të jemi nga ata të fundit që mbajnë mend bëmat e komunizmit dhe të mendjeve të mbyllura. Me sa duket e gjithë kjo pjesa e zhvillimit të demokracisë gjatë këtyre viteve, një gjë nuk na e zhvilloi dot. Mënyrën për të lënë një fushe dhe një hapësirë për t’u marrë vesh me njëri tjetrin pa ndërhyrjen e të tjerëve dhe pa ndërkombëtarët. Pra si të gjithë ato debatet që keni në familje, ku në fund të fundit përgjegjësia është e jona nuk është e atij që vjen për vizitë dhe do të iki nesër. Ti mund t’i qahesh gjithë ditën, të shash burrin, dhe burri të shaj gruan, por në fund pastaj çështja do të zgjidhet po nga një vendim në familje. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me personalitet e huaja. Jemi ne që i kemi rritur dhe u kemi dhënë më peshë shpesh herë të pa mërzitur me zgjuarsinë tonë. Shpesh herë edhe të pamerituar në krahasim me vullnetin që kemi ne për të marrë dhe për të bërë ndryshim.

Ka një kompleks inferioriteti?

Sigurisht që mund të ketë qenë në fillim një kompleks inferioriteti, duke menduar edhe dëshirën për eksperiencë, pra duke menduar se këta vijnë nga jashtë dhe dinë më shumë se sa ne…

…Mos ndoshta edhe qëndrimi i kundërt se ata nuk dinë aq shumë saç pretendojnë është prapë i gabuar?

Bregu:..Ose edhe kjo mund të ketë qenë prezent. Pra varet nga personalitetet se si kanë dashur ta manipulojnë pjesën e prezencës së ndërkombëtarëve në Shqipëri. Por mbi këtë, cilat do të jenë arsyet dhe cilat do të jenë detajet apo qasjet e gjithë secilit individualisht, nuk do të kishin qenë kaq shumë prezent në Shqipëri në rast se Ne nuk do t’ua kishim lejuar.

Nëse ju Znj.Bregu do të kishit qenë në një darkë te një ambasador ose ambasadoreshë dhe në atë darkë do të ishte thënë që, “Znj.Bregu në atmosferën politike në Shqipëri shumë të komplikuar, kur natyrisht është shumë e vështirë të bëni Reformën e Vetingut dhe Reformën Zgjedhore, por mbi të gjitha mënyra se si është ndërtuar detanta, një lloj qëndrueshmërie e detyruar e partive të vogla e të mëdha në Shqipëri, ndoshta Znj.Bregu duhet menduar si të hiqet qafe për shembull kryetari i një partie relativisht të vogël i cili na hap shumë telashe, dhe ai e di dhe ne e dimë po ja, si ta heqim qafe atë njeri?”, si reagoni ju zakonisht në një situatë të tillë?

Kjo mund të jetë një nga situatat më të zakonshme ose mund të ketë pasur situata më të vështira për të trajtuar dhe diskutuar në takimet ndërkombëtarët, nuk është kjo. Ka edhe situata nga ato që të bëjnë të kalojë djersa nga lart poshtë dhe nuk ke se çfarë të thuash…

Më thuaj një situatë të tillë, kam shumë nevojë të di një situatë të tillë…

Ka pasur situata të tilla gjatë gjithë viteve ku ti ngeleshe pa përgjigje, pavarësisht se e dije se cila ishte situata. Mbaj mend për shembull një rast, që e kam rrëfyer dikur, kur në 2011, kur sapo kishte filluar një lloj ç’tensionimi po them, Kryeministri i asaj kohe Daçiç që së bashku me Kryeministrin Thaçi kishin filluar të takoheshin në Bruksel për të zhvilluar dialogun Beograd-Prishtinë. Dhe ne ishim këtu në katrahurën tonë të debatit të luftës mbas zgjedhjeve të 2009-ës, nëse i mban mend të gjitha historitë, çadrat atëherë ishin të Partisë Socialiste në 2010-ën në bulevard, çështja e liberalizimit të vizave, e kështu me radhë, një nga parlamentarët europian në takim thotë – një pyetje kam, pasi unë po i flisja me pasion të madh për të gjitha çështjet, se opozita e asokohe nuk kishte grup faktesh për të vërtetuar vjedhjen e votave e kështu me radhë…-mirë mirë, thotë, -por një gjë nuk kuptoj unë. Si ka mundësi që ne të ulim Daçiçin dhe Thaçin në një tavolinë dhe nuk ulim dot Ramën dhe Berishën, këtë nuk arrij ta kuptoj?! Dhe Ti nuk ke çfarë t’i thuash pastaj më.

Nëse Basha nuk i fiton zgjedhjet dhe njëkohësisht nuk ndodhin disa gjëra të mira dhe të rëndësishme, ti do t’i thuash, në përfundim të procesit, do të gjesh kurajën për t’i thënë Basha ik?

Ka pasur një debat të zhvilluar pas zgjedhjeve të Dibrës në Partinë Demokratike, i cili sigurisht u bë publik pastaj për ta qartësuar dhe për të hequr hijet e bëra unë po partë në Top Channel në një intervistë me Sokol Ballën dhe atë dite kur diskutonim kam thënë një gjë në mbledhje të cilën nuk besoj se po bëj gabim që ta them këtu. Mund të ketë shumë njerëz dhe mund të ketë shumë zëra të cilët nuk mund të mos kenë besim ose që kanë besim dhe urojnë që PD të fitojë zgjedhjet, dhe ky është synimi i vetëm i një force politike. Pra, këtë radhë sigurisht për tu përpjekur për një kauz më të madhe për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por që sigurisht nesër të fitojë zgjedhjet.

Unë nuk do të doja që të llogaritesha në grupin e atyre njerëzve që për hir të faktit se duan ose kanë në një axhendë personale, t’i lenë gjërat pa thënë duke pritur që të mund të ketë ajo rrëshqitja e këmbës që më përmende pak më parë në minutë të fundit, për t’i thënë kryetarit të partisë, – e sheh se çfarë ndodhi, sepse ishte faji yt, e kështu me radhë. Jo, çfarëdo qëndrimi të ketë qenë i imi dhe besoj i kolegëve të mi që të kemi shprehur ka qenë për të ndihmuar PD-në të jetë më e fortë dhe sigurisht, Lulzim Bashën të jetë një kryetar shumë më i mirë i PD. Asnjë qellim tjetër dhe asgjë personale. Unë shpresoj shumë që ky të jetë qëndrimi i të gjithëve.

E di ai?

Gjithsecili i bën llogaritë me veten….

…E dinë ata rreth tij?

…Këto janë gjëra që janë thënë publikisht. Nuk më shqetëson asgjë përtej atyre që kam bindjen. Unë dua që Partia Demokratike të mbetet partia më e madhe e investimit të shqiptarëve në këtë vend. Të gjithë kanë kontributin e tyre për të mbajtur Partinë Demokratike në këmbë. Por është investimi i shqiptarëve. Në rast se shqiptarët nuk do të ishin ngritur për të kërkuar ndryshimin e sistemit dhe në rast se shqiptarët nuk do të kishin qenë të parët për të kërkuar ndryshimin…edhe ajo protesta e datës 18 nuk ishin vetëm njerëz të PD. Madje e kam thënë dhe e përsëris, një parti, sidomos në këto kushte siç është opozita shqiptare, nuk do të ishte kurrë në gjende të bënte një protestë aq të madhe në rast se nuk do të kishte pasur njerëz që ta ndiqnin.

Pse PD nuk e ndihmoi fshatin e Zharrëzës që në momentin e parë, pse nuk e bëri personale?

Kjo është një pyetje që qëndron dhe shqetësimi yt sigurisht që qëndron…

…Pse-ja nuk sqarohet! Apo u mor me çështje më të mëdha dhe më të rëndësishme dhe do të kishte qenë një shkëputje vëmendjes, ishte një lloj prioriteti si me thënë? Balancë prioritetesh?

Nuk mund ta jap unë këtë përgjigje, sepse nuk është se ka pasur një diskutim që mos merremi këtë çështje se do të merremi me këtë tjetrën. Por në këtë listën e madhe që ka Shqipëria, të njëmijë e një halleve dhe të kauzave të mëdha politike jo gjithmonë ka një reciprocitet. Pra jo gjithmonë shkojnë baras me njëra-tjetrën.

Do të ngrihet çadra së shpejti? Nuk mund të qëndroje deri ditën e zgjedhjeve. Nuk mund të bëni paralelisht dhe bojkot dhe të merrni pjesë në zgjedhje dhe të detyroni qeverinë që të hyjë në marrëdhënie me ju për të dhënë dhe për të marrë aq sa të jeni të kënaqur…

Unë jam duke respektuar vendimin e PD. Do të jem aty deri në momentin e fundit.

E njihni Kryeministrin Rama në profilin e tij psiko-social? E keni studiuar në pozicionin e kundërshtares?

Nuk besoj se më takon mua, por sigurisht në shprehjen e kërshërisë për të kuptuar kundërshtarin sikurse dhe mikun mund të kem qëndrimin tim.

Mendoni që pavarësisht qëndrimeve të prera tani, në qoftë se rritet presioni dhe në qarqe thuhet se ai e ha presionin, ai do të bëjë lëshimet e duhura me qëllim që ju ta hiqni tendën, të ktheheni në parlament dhe të dyja palët të shkojnë drejt realizimit të një qëllimi?

Nuk dua të besoj dhe as dua të vras mendjen se cili do të jetë qëndrimi i Kryeministrit. Kam një shpresë edhe një besim se do të ketë një mundësi qoftë edhe me prezencën dhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve të cilët janë faktor tani mes nesh, nuk bëjmë dot pa ta, për të gjetur një zgjidhje për të respektuar kauzën e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kam besim.

Kush na garanton që në një rrokadë të madhe politike, që e realizojnë shqiptarët, PD dhe lidershipi i saj nuk do të ndjejë të njëjtën gjë dhe si përpara edhe ku ka pasur nevoja të marre edhe vendime të mëdha dhe të realizojë disa reforma të cilat i kishte me shqetësim atëherë dhe i shtyu deri në momentin që u detyrua përfundimisht, do të bëjë të njëjtën gjë. Mos harrojmë. Është shumë e vështirë të aplikohet Vetting?!

Bregu: Është e vështirë sepse do të luftojë një kulturë të madhe në të cilën janë bërë, kanë qenë bashkë shumë grupe. Por kam besim plotë se sado të vështira të jenë reformat vjen një moment që duhet të shkëputet nganjëherë. Dhe është ai momenti i kthesës dhe reforma në drejtësi është pikërisht një nga ato momentet e kthesës së mirë për shqiptarët.

Pyetja e fundit: Reforma zgjedhore konsiderohet vetëm një reformë e folur, ajo nuk ka shans të realizohet ashtu siç duhet apo në sekondën e fundit do të pranohet një votim elektronik dhe pastaj gjithçka tjetër do të jetë sjellje e zakonshme e njerëzve që intimidojnë, blejnë…?

Ky është problemi që votimi elektronik nuk e shmang dot pjesën e blerjes së votës në fakt. I jep më shumë garanci dhe siguri por nuk shmang pjesën e presionit ndaj votës, apo ndaj qytetarëve apo të blerjes së saj. Por për reformën zgjedhore ne jemi shumë vonë. Ju kujtoj se PD e ka paraqitur e para draftin në maj të vitit të kaluar, por në fakt kjo betejë që ka nisur dhe është kauza për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ose kjo çadër, ose kjo protestë, mund të kishte ndodhur qysh në shtator të këtij viti, sepse kalimi dhe ngushtimi i kohës i jep një argument më shumë, edhe kundërshtarit, edhe atyre që thash pak më parë, edhe forcën politike e vendos përball sikleti më të madh, sepse nuk ka kohë për ta bërë. Por të jesh i sigurt, dhe unë këtë shqetësim e kam shprehur që në gusht të këtij viti. Kam pasur frikë se reforma zgjedhore do të ishte viktima e radhës së pazarit të çiftit të mazhorancës dhe qeverisës që kemi ne. Nuk u intereson që të preket asnjë gjë tjetër. Është një sistem në të cilin në kurriz të njëri-tjetrit fitojnë më shumë për veten dhe sigurisht në kurriz të shqiptarëve.

ME TE LEXUARAT