Detajet/ Policia tregon për grabitjen e parave në Rinas: Na qëlluan me armë

Aktualitet

Të tjera detaje zbulohen ditë pas grabitjes së 3.2 milionë dollallëve në rrugën Tiranë –Rinas. Prokuroria ka zbardhur me detaje lëvizjet që kanë kryer dy automjetet e përshtatura si të blinduara ditën e krimit, pasi kanë marrë shumën e parave nga zyrat e bankës BKT.

“Pasi kanë dalë nga Banka, kanë vazhduar në drejtim të bulevardit dhe janë kthyer tek ura e bulevardit, në drejtim të qendrës, kanë kaluar pas Bashkisë, te sheshi i “Ushtarit të Panjohur”, pas 15- katëshit, pas Muzeut, në Rrugën e Kavajës, te “Zogu i Zi”, kryqëzimi i Laprakës dhe afër bllokut “Gintash”, kanë hyrë te një filial i Bankës BKT, ku kishin për të dërguar një pako”, kanë thënë burimet e hetimit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas tyre, referuar edhe dëshmive të policëve privatë të arrestuar, pasi është dorëzuar pakoja te filiali i Bankës në Laprakë, dy makinat janë nisur në drejtim të Rinasit, duke kaluar në rrugën e “A.M.C” te sheshi “Shqiponja” dhe kanë vazhduar drejt autostradës, te Mbikalimi i Kasharit janë kthyer për Rinas, shkruan Panorama.

Një element i ri duket se është dëshmia e policëve privatë se pas ngjarjes autorët e grabitjes kanë ikur drejt autostradës.

ÇFARË KISHTE NË MAKINA

Referuar dokumenteve që banka i ka dhënë Prokurorisë së Tiranës, është mësuar edhe sasia e saktë monetare që ndodhej në makinat e përshtatura si të blinduara.

“Shuma 2 milionë e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë amerikanë, 80 mijë franga zvicerane, rreth 280 mijë paund, një sasi dollarësh kanadezë dhe australianë, po dërgoheshin në Rinas për t’u nisur me kargo drejt Austrisë”, kanë bërë me dije burimet nga grupi i hetimit. Sipas tyre, hetimi po vazhdon me qëllim përcaktimin përfundimtar të shumës monetare të vjedhur në ngjarjen e datës 9 shkurt 2017.

PRITA E GRABITËSVE

Para se të shkonim te Universiteti “Epoka”, policët privatë kanë parë se nga një rrugë dytësore nga krahu i djathtë po dilte një makinë tip fuoristradë “JEP”, me ngjyrë si të errët, me xhama të zinj.

Kjo makinë, pasi ka dalë në rrugë kryesore, ka bërë sikur po futej në krahun e saj për të shkuar në drejtim të Autostradës. Në momentin që është afruar makina e blinduar i është drejtuar duke u përplasur me makinën e deklaruesit te feneri i krahut të shoferit dhe pas përplasjes, makina e blinduar është spostuar duke u afruar të bordura mbrojtëse e rrugës. Makina që policët thonë se i ka përplasur në mjetin ku ndodheshin paratë, ka vazhduar që t’i shtynte dhe automjeti i përshtatur si i blinduar është fikur.

Në këtë moment, nga fuoristrada kanë zbritur 4 persona të veshur me uniforma të zeza me mbishkrim “Policia”, me maska dhe doreza. Po kështu, sipas dëshmive të policëve privatë, dy nga këta persona kanë pasur armë automatikë në dorë, kurse dy personat e tjerë kishin në duar varre (mjet i fortë për thyerjen e xhamave).

Njëri nga personat ka qëlluar me automatik në pjesën anësore të makinës së blinduar nga krahu i shoferit, kurse një person tjetër ka goditur me varre xhamin e parë të makinës së blindës. Në këtë kohë, punonjësi i SHPSF, xxxxxxx, që kishte automatik, e ka mbushur armën dhe po rrinte në pozicion.

Pasi nuk është thyer xhami i parë, autori ka filluar që të godiste xhamin e derës së shoferit dhe pasi e kanë goditur dy-tri herë, xhami është thyer si pllakë duke rënë në asfalt.

TË SHTËNAT ME ARMË

Në këtë moment, punonjësi i SHPSF, xxxxxx, ka qëlluar me armë në drejtim të dritares së thyer dhe deklaruesi është hedhur, duke kaluar në pjesën e pasme të furgonit, në këtë moment njëri nga autorët ka futur armën nga dritarja që është thyer dhe ka qëlluar brenda në furgon.

Ai ka futur dorën, duke hapur derën nga brenda. Pasi është hapur dera, njëri nga personat është futur në furgon dhe pasi i ka marrë armën punonjësit, i kanë nxjerrë jashtë makinës dhe i kanë shtrirë në asfalt. Në këtë moment, sipas dëshmisë së dhënë nga të arrestuarit, punonjësit nuk i shikonin veprimet e autorëve, por vetëm dëgjonin kur thoshin “ku është çelësi”.

KËRKIMET PËR PARATË

Në vazhdim të dëshmive dhe të hetimit, ka rezultuar se pasi autorët kanë parë që kasaforta ishte e mbyllur, kanë ardhur dy autorë dhe i kanë ngritur punonjësit e policisë private, duke u kërkuar çelësat. Autorët më pas i kanë marrë duke i dërguar policët privatë te kasaforta, duke i goditur në kokë dhe në bark dhe vazhdonin t’u kërkonin se ku ishin çelësat.

“Pas kësaj, përsëri këta persona i kanë marrë policët privatë duke i dërguar te makina e shoqërimit, duke pyetur se “kush e ka çelësin”. Autorët i kanë kërkuar që të hapej kasaforta e makinës shoqëruese, por punonjësit u kanë thënë se kasaforta nuk hapet”, bën me dije Prokuroria.

Sipas dëshmive, gjatë kohës që policët privatë ishin të shtrirë, autorët kanë filluar që të hapin kasafortën me gurë fresibël dhe pasi e kanë hapur, kanë ngarkuar paratë në makinat e tyre dhe janë larguar në drejtim të autostradës./

ME TE LEXUARAT