Dëmshpërblimi për banorët e Zharrëzës, MEI: Ja projekt-vendimi që do kalojë në Qeveri

Aktualitet

Tri ministri kanë hartuar draftin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për “Marrjen e masave për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tokës në njësinë administrative Zharrëz, njësinë administrative Patos (fshati Dukas), Bashkia Patos dhe njësinë administrative Kuman, Bashkia Roskovec”. Ky dokument do të miratohet në mbledhjen e radhës që mbahet ditën e mërkurë.

Më herët, përmes shkresës nr.7270/6, datë 26.12.2016, Ministri i Energjisë dhe Industrisë urdhëroi Bankers Petroleum “për ndërprerjen e injektimit të ujit teknologjik në puset e lokalizuar përreth fshatit Zharrëz, deri në një njoftim të dytë”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Mbështetur në nenin 3 dhe 12, të ligjit nr.7746, datë 28.07.1993 “Për hidrokarburet (kërkim-prodhim), i ndryshuar si dhe në zbatim të nenit 9.3 të Licensë Marrëveshjes, bazuar dhe në konkluzionet e grupit të punës të ngritur nga Kryeministri, Ministri i Energjisë dhe Industrisë ka firmosur urdhërin nr.1275/1, datë 27.02.2017 ku “urdhëron kompaninë Bankers Petroleum Albania Ltd, të ndalojë operacionet e injektimit të ujit në gëlqeror në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit teknologjik pa dëmtuar mjedisin, sipas standardeve ndërkombëtare e në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat negative për komunitetin”.

Në zbatim të Urdhërit nr.178 të dt.27.12.2016 të Kryeministrit “Për vlerësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës në zonën e fshatit Zharrëz dhe për përcaktimin e masave që duhet të merren në varësi të shkaqeve të ndodhjes së fenomenit të lëkundjeve të tokës”, grupi i punës është duke vlerësuar të gjithë faktorët dhe pasojat që lidhen me lëkundjet e tokës në zonën e vendburimit të Patos-Marinzës dhe veçanërisht në zonën e fshatit Zharrëz.

Nga komunikimi i vazhdueshëm që kemi pasur për këtë problem me kompaninë Bankers janë evidentuar qëndrime të ndryshme të palëve në Licencë Marrëveshje përkatëse për shkakun e këtyre lëkundjeve dhe pavarësisht përpjekjeve të bëra për zgjidhjen me negocim të këtyre mosmarrëveshjeve, zgjidhja e saj nuk është arritur.

Meqenëse mosmarrëveshja ka të bëjë me çështje teknike, Bankers Petroleum ka dërguar një shkresë nr.1410/3, datë 09.01.2017 ku fton palët të bien bashkërisht dakord për angazhimin e një eksperti teknik që të asistojë palët në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë i ka përcjellë Bankers Petroleum në datën 20.01.2017 propozimet e dërguara nga Instituti i Gjeoshkencës, një listë me pesë institute ndërkombëtare: 1). Royal Netherlands Meteorological Institute (ORFEUS); 2). Instituto Nazionale di Geofisica e Vulcanologia- Luigi Improta, Italy; 3). Swiss Seismological Service-Stefan Wiemer; 4).German Research Centre for Geosciences/ Torsten Dahm, Ernst Huenges; 5). University of Bergen, Norway/Lars Ottemoller.

Qeveria shqiptare dhe Bankers Petroleum kanë përzgjedhur me konsensus që eksperti të jetë nga Instituti Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanikës (Instituto Nazionale di Geofisica e Vulcanologia/Luigi Improta). Palët do të përcaktojnë tashmë termat e referencës mbi të cilat do të fillojë punën eksperti i pavarur.

ME TE LEXUARAT