Avioni rus vret ushtarët turq, Vladimir Putin telefonon Erdoganin

Aktualitet

Një avion ushtarak rus ka vrarë tre ushtarë turq dhe ka plagosur 11 të tjerë të Enjten në qytetin sirian të El-Babit.

Ngjarja është bërë e ditur nga ushtria turke me një komunikatë, ku thotë se gjithçka ishte aksidentale.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ushtria Turke tha se ngjarja ndodhi rreth orës 08:40, mëngjesin e të Enjtes kur një avion që po gjurmonte terroristët e ISIS-it aksidentalisht ka bombarduar një godinë ku ndodheshin ushtarët turq.

Në deklaratë thuhet se tre ushtarë humbën jetën ndërsa 11 të tjerë u plagosën, një prej tyre është në gjendje kritike për jetën.

Ndërkohë me ta mësuar ngjarjen, Presidenti rus, Vladimir Putin, ka telefonuar homologun turk, Rexhep Tayyip Erdogan, për t’i kërkuar ndjesë për aksidentin dhe për t’i ofruar ngushëllimet e tij familjarëve dhe popullit turk.

Ushtria turke po lufton kundër terroristëve të ISIS-it në veri të Sirisë që prej muajit Gusht 2016. Ditët e fundit ata kanë marrë kontrollin e qytetit të El-Babit në veri të Sirisë, afër kufirit turk. Vetëm dy ditët e fundit janë vrarë 10 ushtarë turq në sulmet e ISIS-it në qytet.

Avionët rusë ndërkohë po ndihmojnë forcat e Presidentit sirian, Bashar Al Assad, në luftimet me grupin terrorist të ISIS-it dhe po i gjurmojnë ata në të gjithë Sirinë.

Në nëntor 2015, Forcat Ajrore turke rrëzuan në kufirin Turko-Sirian një bombardues rus SU-24, që po bombardonte forcat opozitare siriane.

Dy pilotët rusë u hodhën nga avioni dhe ranë në duart e rebelëve, të cilët vranë kapitenin e avionit.

Rusia vendosi sanksione të ashpra ndaj Turqisë, dhe marrëdhëniet mes dy vendeve u përmirësuan vetëm në verën e vitit 2016 pasi Presidenti turk i kërkoi falje Putinit.Klan

ME TE LEXUARAT