“Si u largua Selami i kërcënuar nga Gazidede në ’97, rrahëm Olsi Ramën kur u zgjodh Berisha President”

14
Kliko per me shume info

Ish-badigardi i Sali Berishës, Izet Haxhia në vijim të dëshmive nga kohët e tmerrshme të vitit 1997, rrëfen mes të tjerash për një vizitë të beftë të Eduart Selamit në shkurt ’97 dhe rizgjedhjen e Sali Berishës për herë të dytë president, ndërsa vendi ishte në kaos.

Në një intervistë dhënë për gazetën Dita, Haxhia trehon se si u njoftua Berisha për hapjen e depove të armëve dhe plani anti-shqiptar për të ndarë vendin në dy pjesë.

Kliko per me shume info

Si e kujtoni marrjen peng të Tritan Shehut? Cilat ishin reagimet e Sali Berishës pasi u njoftua për këtë dhe çfarë masash morët ju si shoqëruesi i tij?

Duhet thënë se revolta e fajdeve shpërtheu aty ku nuk pritej, pikërisht në qytetin e Lushnjes. Shteti autoritar që kishte krijuar Berisha ra për herë të parë në muajin janar të 1997 në Lushnje, për t’u shembur plotësisht tre muaj më vonë në mars të ’97-s… Dërgimi i Tritan Shehut në stadiumin e Lushnjes dhe hedhja e tij si preh gjahu përpara turmave të egërsuara ka qenë një kurth i Agim Shehut e Gazidedes me urdhër direkt të Berishës. Pasi është marrë lajmi për këtë pengmarrje të Shehut, Berisha ka kaluar nga Presidenca në vilën katër nga ku aty ka ndjekur zhvillimin e situatës në Lushnje… Ka pritur disa herë atë ditë Gazideden që e informonte për rrjedhën e ngjarjeve. Komunikonte herë pas here me Agim Shehun që drejtonte nga Tirana operacionin e shpëtimit të Tritan Shehut. Në fakt Tritani edhe pse u keqtrajtua e u poshtërua nga lushnjarët, shpëtimin ia bënë po vetë djemtë lushnjarë duke e fshehur atë për disa orë në dhomat e zhveshjes së Stadiumit të Lushnjes pas një dollapi, ku Tritani me të drejtë i frikësuar, shante Berishën për kurthin që i kishte bërë. Të mos harrojmë se Berishës i janë dashur gjithmonë heronj në rrugën e tij të krimit, dhe Tritanin donte ta bënte një nga këta heronj.

Pasi protestat po rriteshin dita ditës në të gjithë vendin më 19 shkurt Sali Berisha mendoi për një antimiting. Si e kujtoni atë dhe çfarë ndodhi aty?

Ngaqë kemi bërë shumë mitingje, këtë miting e kisha harruar po ma kujtuat juve. Në mos gaboj, ky miting është bërë në sheshin para universitetit. Situata ishte e dëshpëruar. Pas dështimit me turp të militantëve të PD të dërguar nga Tirana të veshur si policë, me skafandër e nga një shkop gome që të shtypnin protestën e 9 shkurtit, por që morën me vrap kodrat e ullishteve kur u gjendën përballë zemërimit të qytetarëve vlonjatë, Berishës i duhej një përkrahje për të ngritur moralin e rënë përtokë të tijin dhe të bashkëpunëtorëve të tij, por në të njëjtën kohë ai donte të bënte edhe një demonstrim force, tipike për diktatorët që gjenden në vështirësi. Ishte një pjesëmarrje e vakët dhe jo entuziaste, çka tregonte se Berisha i kishte ditët e numëruara në pushtet.

Si e kujtoni vizitën e Eduard Selamit nga SHBA dhe si e priti Berisha?

Mesa më kujtohet ka qenë muaji shkurt i 1997. Protestat kishin përfshirë shumicën e vendit, ishte krijuar organizimi opozitar. ‘Forumi për Demokraci’ ku rolin kryesor në këtë forum e kishin ish PD-istat e larguar që krijuan Aleancën Demokratike. Ky organizim kishte mbështetjen e të huajve, sidomos Ambasadës Amerikane e Fondacionit “Soros”. Edhe ardhja e papritur e gjysmë klandestine e Selamit nga jeta prej emigranti që bënte në USA, pasi u përzu nga PD, ka qenë që të krijojë kontakte me këtë forum dhe elementë opozitarë përkrahës të tij brenda PD. Është folur që kishte sjellë mesazh nga miqtë e përbashkët që kishte me Berishën në Uashington, që i kërkonin Berishës të dorëhiqej, por kjo nuk më duket e besueshme. Selami erdhi në një situatë të dobësimit e rënies së Berishës dhe PD, me qëllim që të merrte një rol në këtë situatë, por u largua menjëherë i kërcënuar nga SHIK-u i Gazidedes, kuptohet me urdhër të Berishës.

Izet, një nga pikat më kulmore të pranverës  ‘97 është momenti i rizgjedhjes së Berishës President për një mandat të dytë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Çfarë kujton nga kjo ngjarje?

Siç e thamë dhe më lartë situata dihet në ato ditë. Tym e flakë gjithandej Shqipëria. Shtetrrethim. Shteti kishte rënë në pothuajse gjithë jugun e Shqipërisë, por të ekzaltuar nga fjalët e Berishës se “Do t’i shtyp me zjarr e hekur rebelët komunistë në jug, do ta ndaj shapin nga sheqeri, do t’i shtyp të kuqtë njëherë e mirë” etj., erdhi dita e 2 marsit. Në Tiranë kishte filluar shpërndarja e armëve për militantët e PD-së dhe në drejtim të jugut nga dy krahët ishin nisur forca të shumta të ushtrisë, rekrutëve të PD-së dhe ato të SHIK-ut që po përgatisnin goditjen e fundit, sipas Berishës. Pasi përcollëm Berishën në parlament, ku pritej zgjedhja e tij për herë të dytë si president, kjo ishte një gjë thjeshtë formale, pasi rizgjedhja e tij ishte e sigurt në bazë të aritmetikës së parlamentit, ku opozita socialiste kishte vetëm pak vende në këtë parlament të manipuluar pas zgjedhjeve të 26 majit 1996. Por edhe ata pak deputetë të PD-së që kundërshtonin këtë zgjedhje të dytë të Berishës, nuk mund të dilnin hapur kundër, sepse ndiheshin të trembur e terrorizuar nga Berisha dhe ne që i qëndronim pranë atij. Këtë e tregoi edhe mbledhja e një dite më parë në Pallatin e Kongreseve të Këshillit Kombëtar të PD-së, ku u caktua Berisha si kandidat për President. Dhe një nga ata që kundërshtoi këtë vendim, Dylber Vrioni, u rrah në tualetet e Pallatit të Kongreseve. Genc Ruli u etiketua si një spiun i Sigurimit etj.

Pra, në këtë atmosferë u zgjodh Berisha president në mars të 97-s?

Po, kjo ishte situata. Parlamenti ishte i rrethuar me tanke. Në momentet kur po bëhej votimi i Berishës në parlament, përpara ndërtesës së parlamentit ishin mbledhur shumë gazetarë të huaj që ndiqnin situatën në Shqipëri. Më kujtohet që një moment pas përfundimit të votimit dhe rizgjedhjes së Berishës si president me rreth 104 vota pro, shpërthyem në entuziazëm dhe filluam të rrihnim gazetarët e huaj që po ndiqnin këtë veprimtari para parlamentit, duke u thyer e rrëmbyer edhe kamerat. Një nga ata që ka ngrënë dru ishte edhe vëllai i Kryeministrit të tanishëm, Rama, që u mundua të shpëtonte nga dhuna jonë një grup gazetarësh të huaj që shoqëronte.

Dhe ju festuat në këtë atmosferë?

Është e vërtetë. Kemi festuar. Filluan festimet me shkrepje armësh e demonstrim force nga ana jonë në rrugët e Tiranës. Ne, duke festuar këtë zgjedhje të Berishës, po festonim pa ditur shembjen dhe falimentimin e atij palo shteti, apo më mirë antishteti, që kishte ndërtuar Berisha dhe PD në qeverisjen e tyre dhe hapnim rrugën një kaosi që do të merrte jetën dhe pronën e mijëra shqiptarëve, pasoja të cilit ndihen edhe sot e kësaj dite.

Kush e njoftoi Berishën se janë hapur depot e armëve dhe cili ishte reagimi i tij?

Situata në Vlorë pas protestave të 9 shkurtit ishte jashtë kontrollit të qeverisë. Policia ishte tërhequr brenda në komisariatin e Vlorës ku sulmohej herë pas here nga protestuesit. Gjatë kësaj kohe në terren kishte vetëm njerëz të SHIK-ut kryesisht nga veriu që nuk kishin asnjë informacion për situatën shpërthyese në Vlorë. Kulmi i këtij shpërthimit arriti në natën e 28 shkurtit ku u sulmua në mënyrë të organizuar ndërtesa e SHIK-ut. Sapo ka ndodhur sulmi Berisha është informuar nga Gazidede për këtë sulm. Punonjësit e SHIK-ut që duhet të mblidhnin informacione për çdo aktivitet të paligjshëm kundër sigurisë së shtetit e antikushtetues u gjendën të papërgatitur për këtë sulm. U kërkua ndihmë nga ushtria dhe reparti i Gardës që ndodhej në Vlorë për ruajtjen e vilave qeveritare po ata nuk qenë në gjendje të mbronin objektet e tyre e jo më t’i çonin ndihmë punonjësve të SHIK-ut të mbetur në rrethim e pa municione e armatim. Situata që evoluonte orë pas ore ishte dramatike. Kur u mor vesh që janë hapur depot e armëve tek marina dhe pastaj që po sulmohej baza ushtarake e Pashalimanit, u kuptua qartë që kishim të bënim me një plan të organizuar mjaft mirë. Në vilën katër erdhën Gazidede e Zhulali, por i cili qëndronte më tepër në paradhomë, ndërsa Berisha qëndronte brenda më tepër me Gazideden. Kur u mor vesh se depot e armëve po hapeshin njëra pas tjetrës bëmë një bisedë me Zhulalin e tronditur ku ai tha se ka rreth një muaj që kam kërkuar evakuimin e depove të armatimit nga Vlora dhe zonat e jugut pasi kishim informacione të klasifikuara që do sulmoheshin, por nuk ka pranuar Berisha. Sa për reagimin e Berishës nuk kishte ndonjë reagim të jashtëzakonshëm nga ana e tij për këtë tragjedi të shtetit që po ndodhte në Vlorë, përkundrazi ishte i qetë.

Ju kini këmbëngulur se Sali Berisha është autori kryesor i trazirave të përgjakshme të vitit 1997. Pse mendoni kështu? 

Të më kishit pyetur në atë kohë të ’97-s se kush është fajtori për katrahurën e atij viti, përgjigja ime do ishte tjetër, por i nisur nga përjetimet e zhveshura nga ana emocionale apo ideologjike, me gjakftohtësi e parë nga një pikë këndvështrimi tjetër e reflektimi, përgjigja ime shkon me përgjigjen e shumicës së shqiptarëve se kryefajtori i tragjedisë së ’97-s është Berisha dhe vetëm Berisha. Arsyet janë disa, por më madhorja për mendimin tim është ajo se Berisha ishte pjesë dhe zbatues i një skenari ogurzi për shembjen e shtetit shqiptar dhe copëtimin e tij. Kjo e nisur nga deliret e tij për kolltuk e pushtet absolut apo ngaqë ai ishte një marionetë e qarqeve antishqiptare apo të të dyjave së bashku. Faktet janë kokëforta. Pavarësisht se ne si popull shquhemi për një memorie të dobët, vetë ecuria e sundimit të Berishës ishte në funksion të kësaj që citova më sipër. Me ardhjen në pushtet u shkatërrua nën parullën e antikomunizmit çdo qelizë e shtetit, u larguan profesionistët, u mbush administrata me lopçarë e njerëz të pashkolluar e me spiunë e bashkëpunëtorë të regjimit të kaluar. U shkatërrua prona shtetërore e private. Policia sekrete u kthye në polici politike të Berishës që ndiqte e survejonte kundërshtarët politikë, ekonomia u ndërtua në bazë të konceptit të kioskave e piramidave financiare, u prenë pyje e u shkatërruan uzina e fabrika të tëra. Dhe nuk do të mjaftonin këto, por u manipuluan e u vodhën zgjedhjet e majit 1996. Të gjitha këto u bënë nën bekimin dhe direktivën e Berishës dhe në funksion të pushtetit të tij personal dhe klanit të tij. E gjithë kjo tablo antishtet solli në mënyrë të pashmangshme përplasjen e ’97-s. A mund të evitohej kjo përplasje? I vetmi që mund ta bënte këtë ishte shkaktari i kësaj, Berisha. Por ai i shkoi deri në fund rrugës së konfliktit dhe përplasjes civile. Zgjidhja ju dha nga të huajt që të përsëriste votimet e vjedhura në 45 zona, por u refuzua prej tij. Ai në rrugën e tij të marrëzisë e tradhtisë përdori firmat piramidale për të rrëmbyer e vjedhur kursimet e shqiptarëve. Kur shpërtheu revolta popullore ai tha se do ta shtyp me zjarr e hekur duke armatosur militantët partiakë e krahinorë. Urdhëroi ushtrinë e SHIK-un të bombardonin ura e të hidhnin bomba e lëndë helmuese mbi popullsinë civile, ndërseu veriun kundër jugut, por pasi nuk arriti as të shtypte revoltën e të ndizte konfliktin civil veri-jug, si një frikacak pragmatist që është, thirri eunukët e opozitës dhe bëri marrëveshjen famëkeqe të 9 marsit duke ndarë copa të tortës së pushtetit edhe për ata që i quante deri dje gjeneralët e rebelimit të kuq, dhe pasi arriti të shkatërronte çdo qelizë të shtetit, pasi armatosi gjithë popullin e çoroditur si një ‘trim’ dhe ”burrë shteti” e ”atdhetar” që është, u bë gati t’ia mbathte në natën e 13 marsit 1997… Unë nuk e di se kush mund të jetë fajtori tjetër për këtë tragjedi, pasojat e së cilës i ndjejmë edhe sot.

Kur mendoni se u ideua dhe u vu në zbatim projekti antishqiptar i 97-s?

Unë e kam thënë edhe disa herë të tjera që skenari i ’97-s ka patur si qëllim final të tij copëtimin e Shqipërisë. Këtë gjë e ka pohuar edhe vetë Berisha në natën e 13 marsit ku po bëhej gati të arratisej tek padronët e tij francezë e serbë. Por duke u nisur edhe nga rrethanat historike dhe synimet e fqinjëve tanë grabitqarë, por edhe konjukturat e fuqive të mëdha për Ballkanin në atëkohë, ky skenar bëhet i prekshëm dhe i besueshëm. Vetë ecuria e ngjarjeve të atij viti tregon për një skenar të tillë. Rënia e shtetit u bë me ndihmën e të gjitha palëve në konflikt se me thënë të drejtën deri më sot, politikanët tanë janë bashkuar gjithmonë në vjedhjet dhe shkatërrimin që i kanë bërë shtetit shqiptar,me qëllim apo pa qëllim, koha do ta tregojë, por tragjedia e ’97-s tregoi që kishim një klasë politike antishqiptare që ishin në shërbim të klaneve antishqiptare që synimi i tyre i vetëm ishte pushteti dhe jo interesat e vendit. Vetë përzierja e shërbimeve sekrete të huaja në këtë katrahurë, që nga ato fqinje e deri tek ato amerikane, tregon për një skenar të tillë dhe në krye të vendit duke qenë një marionetë antishqiptare si Berisha apo në krye të opozitës një i tillë si Nano, e bënte të lehtë zbatimin e këtij skenari kobzi për vendin tonë… Arratisja e Berishës natën e 13 marsit ishte guri i fundit i këtij skenari për copëtimin e Shqipërisë dhe mund të them se duke ndaluar arratisjen e tij, kam penguar realizimin e këtij skenari. Po të shohim kronikat e gjithë TV botërore që hapnin lajmet për Shqipërinë, lajmi kryesor ishte: Berisha iku, Shqipëria u copëtua, jugun nga Shkumbini e poshtë e mori nën kontroll Greqia, pjesën tjetër e mori Serbia. Duke zhdukur nga harta e botës Shqipërinë, këto që po them nuk janë lajthitje të miat, por lajmet e TV më të mëdha të botës atë natë marsi. Pas këtyre lajmeve, unë me shokët e mi kemi nxjerrë tanket dhe autoblindat në orën dy të natës në një parakalim force në bulevard dhe para 15 katëshit në tarracën e të cilit ishin të stacionuar gazetarët e huaj, dhe pas kësaj, lajmet kanë ndryshuar ku thuhej se kryeqyteti nuk ka rënë, por kontrollohet nga forcat paramilitare të Berishës.

Izet t’i kthehemi dhe njëherë hapjes së dosjes së vitit 97. Përpara vdekjes ish-ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali deklaroi se viti 1997 është një “dosje e zezë” që nuk do të hapet kurrë. Si do ta komentonit deklaratën e tij?

Safet Zhulali ka qenë tipiku i atyre personave injorantë që u ngjit në PD falë lidhjeve që kishte me klanin e SHIK-ut të Gazidedes. Pavarësisht se ai ishte nga Gjirokastra me origjinë, jetonte për një kohë të gjatë në Dibër duke kryer profesionin e mësuesit të matematikës dhe kohën pas punës si mësues e kalonte duke shitur djathë në dyqanin ku punonte gruaja e tij. Pasi u ngrit në mënyrë të rrufeshme e papritur në postin e lartë të Ministrit të Mbrojtjes, ai mori përsipër shkatërrimin e ushtrisë shqiptare, kuptohet me urdhër të Berishës, duke e mbushur atë në postet drejtuese me njerëz të afërt të klanit të Dibrës, kushërinj të paaftë, mediokër e servilë. Ai u bë bashkëpunëtor i Berishës në shumë afera të pista, në kontrabandën e armëve në drejtim të serbëve të Bosnjes dhe vendeve afrikane me konflikte, deri në Afganistan. Në konfliktin e vitit ’97, kur erdhi tek vila 4, ka qenë koha pas hapjes së depove në Vlorë e Sarandë, e pyeta kur po priste të takonte Berishën se si është e mundur që të mos mbroheshin depot e armëve. Ai më tha tekstualisht kështu: “Unë kam propozuar që të evakuohen të gjitha armatimet nga depot e ushtrisë në jug, por nuk më ka dëgjuar njeri, sepse kisha të dhëna që do sulmoheshin ato depo…” Kur po ma tregonte këtë detaj të paditur, e ndjeva se ai ishte i frikësuar për veten, gjë që koha e tregoi me arratisjen e tij për në Itali. Ishte i pari nga ata të qeverisë së Berishës që u arratis në atë mars të ’97-s. Edhe kur është kthyer, ai nuk ka pranuar të flasë për këto ngjarje, duke u mjaftuar vetëm me fjalën që “dosja e marsit të 97-s është një dosje e zezë që nuk do të hapet kurrë…DITA


Kliko per me shume info
Kliko per me shume info

SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here